107-vjeçari, berberi më i vjetër në botë, ende pret flokë me orar të plotë
16/10/2018 Shpërndaje

107-vjeçari, berberi më i vjetër në botë, ende pret flokë me orar të plotë

Anthony Mancinelli është berberi më i vjetër në botë dhe ende s’ka dhënë asnjë shenjë se do ta lërë këtë punë.

Tani është 107 vjeç dhe ende po punon me orar të plotë. Ai pret flokë në pesë ditë të javës për 8 orë rrjesht. Si berber ka punuar për 97 vitet e fundit.

I moshuari u lind në vitin 1911 në Napoli, të Italisë dhe tetë vjet më vonë shkoi në Shtetet e Bashkuara me familjen, duke u vendosur në Nju Jork më 11 shtator 1919. Meqë atje jetonte halla e tij, Anthony u vendos në Newburgh, Nju Jork, ku banon dhe aktualisht.

Këtë punë e ka filluar që në vitin 1921, atëherë kur një prerje flokësh kushtonte vetëm 25 cent. Ishte vetëm dhjetë vjeç. Ndërsa sot, konsiderohet si një nga punonjësit më të besueshëm në sallon.

“Ai kurrë nuk ka telefonuar për të thënë se është sëmurë”, thotë pronari i dyqanit të flokëve. “Unë kam dhe punonjës të rinj që kanë probleme herë pas here. Ndërsa Anthony vazhdon të vijë, dhe të bëjë më shumë prerje flokësh sesa një 20-vjeçar. Ata ulen duke pare telefonat, duke shkruar mesazhe apo duke bërë çfarëdo, ndërsa ai punon”.

Kur u pyetën për daljen në pension, ai u përgjigj: “Pse duhet?”

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.