Zhaklin Lekatari: Të dorëzohem nuk është pjesë e natyrës time
25/08/2022 Shpërndaje

Zhaklin Lekatari: Të dorëzohem nuk është pjesë e natyrës time

Zhaklin Lekatari, gazetare e aktiviste, themeluese e blogut “Tabu.al”. Ajo është zëri i shumë vajzave dhe grave. Rebelohet me padrejtësinë, fuqizohet me ato që luftojnë për të kapërcyer cfarëdo lloj barrierë që ndeshën. Për pozitivi. org Zhaklina ndan pak nga përditshmëria e saj por jo vetëm.

Ju jeni gazetare, aktiviste, themeluese e blogut “Tabu.al” fjala mbetet arma juaj më e fortë, a ka qënë Zhaklin gjithmonë e lirë për të shprehur hapur atë që mendon ?

E para ishte fjala.

Kjo është një pyetje që nuk ka një përgjigje të thjeshtë, sepse  mendoj që jeta e njeriut është ciklike dhe koncepti i lirisë individuale, te unë,  ka ndryshuar ndër vite, është rritur, përmirësuar, pjekur sikurse jam zhvilluar dhe unë si individ. Megjithatë, në përiudha të ndryshme të jetës, për atë që përceptoja si liri në atë kohë, e them me bindje që kam shprehur gjithnjë hapur atë që mendoja. Nëse kujtoj fëmijërinë vlen e njejta, edhe në atë kohë, kam qenë një vajzë aktive,  që nuk pëlqente padrejtësitë. Mendoj gjithashtu që të qënurit polemimizuese dhe debatuese është pjesë e natyrës dhe shpirtit tim të lirë.

Je zëri i shumë vajzave dhe grave, po cfarë të shqetëson më shumë në shoqërinë tonë?

Injoranca, mungesa e kulturës, mungesa e elitës, standartet e dyfishta, patriarkati, dhuna me bazë gjinore, mungesa e strategjive të dedikuara në edukim dhe jetë shoqërore, angazhimi i gravë në tregun e punës, pavarësia ekonomike, mungesa e drejtësisë, hipokrizia e mund të vazhdoj kështu për disa faqe.

Zhaklin shumë herë ndeshesh me komente negative në blogun tuaj, ke krijuar imunitet ndaj këtyre komenteve apo sërish të bezdisin?

Në fakt impakti i prezencës time online ka ndryshuar dhe me kalimin e viteve është përmirësuar, megjithatë ka ende persona të cilët ndihen të frikësuar e të sulmuar nga fjala ime duke reaguar me dhunë. Sigurisht që cyber bulling ka pasojat e veta negative, por nuk mund të them që kam ndenjur duarkryq duke duruar në mënyrë pasive dhunën verbale. Kam marrë masa, jam interesuar, angazhuar, marrë pjesë në trajnime që të kanalizoj dhe të gjej mënyrën e duhur për të kthyer këtë energji negative.

Dhe ia kam dalë, sepse tashmë, përdor dhe komentet apo mesazhet dashakeqe, për të krijuar diçka të re prej tyre, për blogun apo platformat ku punoj, duke përpunuar të keqen e duke përpiluar diçka dhe nga ajo. Mendoj që për momentin është qasja e duhur për mua, në vijim do shoh sepse bota virtuale është në ndryshim të vazhdueshëm.

Me blogun tuaj pyetjet e shumë personave rreth seksit marrin përgjigje, po cilat janë disa nga pyetjet që dominojnë më shumë dhe janë shqetësuese?

Pyetjet më shqetësuese do i quaja këmbanë alarmi dhe janë padyshim të gjitha ato pyetje ku vërehet mungesa e një informacioni bazik qoftë mbi higjienën, qoftë mbi etikë, qoftë mbi proçese bazike biologjike, qoftë mbi terminologjinë e duhur; janë pyetje që më bëjnë të bindem çdo ditë e më shumë që edukimi seksual është i domosdoshëm në një shoqëri ende në tranzicion si e jona.

Janë pyetje që më frikësojnë për të ardhmen e vendit dhe janë pyetje që të bëjnë të kuptosh që ai cikli vicioz i dhunës dhe injorancës, është shumë i vështirë për t’u thyer dhe që fenomenet negative shoqërore duhen trajtuar shumë seriozisht. 

Për të të njohur pak nga përditshmëria, Zhaklin si nis dita juaj?

Unë punoj në Tring Media, kështu që dita ime nis aty, në zyrat e Tring dhe në studiot e ndryshme, nisur nga  angazhimet që kam. Më pas dita është shumë aktive, në varësi të punëve apo projekteve të tjera personale dhe profesioanale më të cilat merrem. Gjatë sezonit televiziv, gjithë ditën e kaloj në punë, një punë që pëlqej shumë dhe që nuk më rëndon. Më pas palestër dhe nevoja familjare. Një ditë në javë mundohem të pushoj plotësisht nga çdo gjë nëse nuk kam angazhime profesionale. Pjesën më të madhe të kohës ia dedikoj punës, leximit, studimit, krijimit, aktivitete që adhuroj në fakt. 

Cila është gjëja që pa të cilën ju nuk bëni dot?

Liria.

Ju jeni një grua e fortë, po si “ngrihet” Zhaklin kur “rrëzohet”?

Unë jam një njeri spiritual dhe mundohem të kultivoj energjinë time dhe të kem një harmoni dhe kohezion midis, trupit, mëndjes dhe shpirtit. Kështu që kur rrëzohem, kaloj vetëm fazën e viktimizimit, pastaj, kryej një proçes të ngjashëm me atë të mesazheve negative; mundohem të krijoj diçka të re dhe të bukur nga dështimi, nga rënia, nga e keqja, nga lëndimi.

Uljet dhe ngritjet nuk do kishin asnjë kuptim pa njera-tjetrën, janë pjesë komplementare të njëra-tjetrës, kështu që mirëpres çdo gjë në jetë, sepse të gjitha janë vetëm situate ciklike që duhen tejkaluar. Të dorëzohem nuk është pjesë e natyrës time.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.