Greta Thunberg, udhëheqësja e protestave masive refuzon çmimin e madh për mjedisin
31/10/2019 Shpërndaje

Greta Thunberg, udhëheqësja e protestave masive refuzon çmimin e madh për mjedisin

Greta Thunberg 16-vjeçarja e cila është nominuar për Çmimin Nobel të Paqes 2019, për fushatën e saj ndërkombëtare në mbrojtje të mjedisit duke qenë frymëzim për qindra protesta të drejtuara nga të rinjtë në mbarë botën nuk ka pranuar një çmim mjedisor dhe shumën e tij. Aktivistja e ka bërë një gjë të tillë sepse sipas saj, lëvizja klimatike nuk ka nevojë për më shumë çmime.

Gjatë një postimi në rrjete sociale Greta ka refuzuar çmimin prej 500,000 koronë (46,000 euro) duke u shprehur se oferta ishte një nder i madh, por sipas saj politikanët dhe njerëzit në pushtet duhet të dëgjojnë shkencën aktuale, e cila sipas saj është më e mira që kemi në dispozicion. Sakaq 16 vjeçarja falënderoi Këshillin Nordik për vlerësimin, i cili u shpreh gjithashtu se e respekton vendimin e aktivistes.

Në postimin e saj në Instagram Thunberg tha: “Vendet nordike kanë një reputacion të shkëlqyer në të gjithë botën kur bëhet fjalë për çështjet e klimës dhe mjedisit. Nuk nevojiten fjalë të bukura për këtë.

 Greta Thunberg ka qenë frymëzim për qindra protesta të drejtuara nga të rinjtë në mbarë botën. Fillimisht e nisi lëvizjen e saj në gusht kur organizoi një protestë me nxënës të shkollës para ndërtesës së parlamentit suedez.

Çdo të premte që nga ajo ngjarje e parë, Greta vazhdon të mbajë protesta gjatë së cilave shton presion të mëtejshëm ndaj ligjvënësve suedezë për të ndërmarrë veprime kundër ndryshimeve klimatike.

Me nismën “Fridays for Future” 16 vjeçarja ka nxitur protestesta, me synim kryesor vënien në lëvizje të politikanëve për mbrojtjen e klimës. E guximshme, e fortë dhe me shpirt luftarak, për t’ja arritur qëllimit. Ajo ia ka dalë. Ka udhëhequr protestat e të rinjve në disa vende të botës për këtë kauzë. S’pati frikë të flasë të vërtetën dhe krahas liderve më të mëdhenj, për rrezikun që i kanoset botës për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht sensibilizimit dhe ndikimit që pati aktivizmi i saj, ka pasur dhe nga ata që s’e kanë marrë seriozisht për shkak të moshës. Edhe ajo vetë është shprehur se me të vërtetë është shumë e re dhe mund të duket absurde që fëmijët të ndërmarrin diçka të tillë. Megjithatë Greta ka deklaruar se e ka detyrim moral të bëjë diçka nëse askush nuk lëviz. Dhe në fakt ia ka arritur qëllimit.

16 vjeçarja u bë njohur me fjalimin që mbajti në Konferencën Ndërkombëtare për Klimën në Katovicë në Poloni. Videoja me fjalimin e saj ka bërë bujë në rrjetet sociale, saqë vazhdon të shihet si shembull suksesi.

Më 12 Shkurt Greta shkoi në Bruksel dhe iu drejtua me një fjalim përfaqësuesve të BE-së , duke u shprehur se ata nuk po bënin aq sa duhet për të parandaluar ndryshimet klimatike. Duartrokitjet u bënë më të forta kur ajo tha se: Udhëheqësit e botës flasin për gjithçka, përveç krizës klimatike. Një mesazh ky mjaft i drejtpërdrejtë për të gjithë politikën.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.