Zarfi i mbështjellë me flokët e stilistes nga Vlora brenda ka të fshehur një thesar
06/10/2017 Shpërndaje

Zarfi i mbështjellë me flokët e stilistes nga Vlora brenda ka të fshehur një thesar

“Gjithsecili nga ne ka nevojë për dikë e jo thjeshtë dikë, por shumë persona kanë nevojë të kenë pranë vetes një skuadër, gjithkush ka nevojë për dikë në një moment apo në një tjetër, e gjithë jetën”, këto ishin disa nga fjalët e fundit të 20 vjeçares nga Vlora gjatë një interviste për pozitivi.org.

Ambicioze, punëtore por mbi të gjitha me këmbë në tokë. E kam fjalën për Pranvera Deromemajn, e cila është 20 vjeç dhe studjon Inxhinieri Tekstile dhe Modë tek Universiteti Politeknik i Tiranës. Ka pasion modën, të stilojë fustane e aksesorë të ndryshëm, njëkohësisht ndjek vitin e fundit të shkollës si dhe po punon të krijojë së shpejti një koleksion me 10-20 fustane të gjitha të realizuara e dizenjuara nga vetë ajo.

Prnavera kërkon të bëhet e famshme por “më shumë se gjithçka i pëlqen të bëjë atë që do çdo ditë, dhe ajo t’i sigurojë jetesën…”. 20 vjeçarja nga Vlora ka dhuruar flokët për fëmijët që vuajnë nga kancer, rreth një vit e gjysmë më parë, e ndikuar nga shumë faktorë. Ka qëndruar shpesh në një ambjent me persona që kanë vuajtur nga kjo sëmundje, e kjo e ka bërë të jetë më pranë sfidave që përballen këto persona, duke dhënë ndihmën e saj. Gjatë intervistës së dhënë për pozitivi.org stilistja e ardhshme rrëfen se mikesha e saj ka luftuar me kancerin rreth 2 vite më parë, por sot e ka mposhtur atë. “Kam pasur një miken time që ka vuajtur nga kjo sëmundje. Fatmirësisht ajo mundi ta luftonte pavarësisht gjithçkaje që i thanë mjekët, sot është shumë mirë me shëndet të plotë”.

20 vjeçarja vlonjate ndan me ne planet që ka, ëndrrat, historitë e personit të zemrës dhe mikeshës por edhe letrën që u dërgoi fëmijëve së bashku me flokët e saj dhuratë. “Ka pafund arsye në këtë botë për të ndjerë dhimbje, zhgënjim, revoltë, neveri… por sa më shumë ta gjurmosh negativitetin po aq ai shumëfishohet. Ligji i universit funksionon njëlloj për lumturinë, mirëqënien, buzëqeshjen dashurinë… n.q.s unë bëj diçka për të bërë dikë sadopak të lumtur kjo më dhuron mua dyfish lumturi.

Ndoshta nesër do të bëj gjëra të mëdha por e vetmja gjë që mund të bëj sot është diçka krejt e vogël me zemër dhe shumë dashuri…”, kështu shkruante në letrën që iu dërgonte fëmijëve me kancer Pranvera. Letra motivuese dhe mesazhi që 20 vjeçarja përcjell për të rinjtë e fëmijët me kancer është me të vërtetë një thesar.

Intervista e plotë me Pranvera Deromemaj për pozitivi.org:

Pozitivi: Pranvera ti studjon Inxhinieri tekstile dhe Modë. Pse ke vendosur ta ndjekësh si degë, e ke pasur pasion apo ishte zgjedhje rastësore?

Pranvera: Nuk ishte zgjedhje rastësore madje për mua është një qëllim që e kam synuar gjithmonë. Më pëlqen fashion design ndaj mendoj se Universiteti Politeknik është një eksperiencë shumë e vlefshme duke qenë se mësoj më shumë për pjesën teknike e ndërkohe mund të ndjek masterin në profil më artistik.  Nuk kam menduar në Shqipëri, por jashtë vendit e kështu arrij në atë nivel që dua të jem nga ana akademike të paktën…  Po kështu i përkushtohem edhe në përditshemrinë time me projekte të vogla “do it yourself”… Ndërkohë që studjoj mund të bëj veshje, e aksesorë të ndryshëm.

Pozitivi: Na trego ndonjë gjë që ke bërë, me detaje, nga je frymëzuar, ndonjë foto?

Pranvera: Realisht më pëlqen çdo gjë që perfshin të qenit kreativ, që nga kombinimi i veshjev, realizimi i tyre, qëndisje, krijimi i detajeve të vogla, aksesorëve, paketimi i dhuratave çdo gjë që të lejon të jesh ti ajo që e sjell në jetë…veshjet që më pëlqejnë të realizoj perveç atyre që përdoren në përditshmëri urban style, më pëlqejnë shumë veshjet e “Alta Moda” me shumë detaje por që duan shumë kohë dhe angazhim të realizohen.

Pozitivi: Në të ardhmen ke dëshirë të bëhesh stiliste e famshme? Ke ndonjë shembull që ndjek?

Pranvera: Realisht më pëlqen fama ashtu si çdo personi që do ishte në vendin tim, por më shumë se gjithçka më pëlqen të bëj atë që dua çdo ditë, dhe ajo të më sigurojë jetesën… Do më pëlqente të kisha një brend por po aq do më pëlqente edhe të isha pjesë e skuadrave të punës të firmave të mëdhaja, të paktën këtë do doja fillimisht të punoja pranë njërës prej emrave të mëdhenj.

Haute Couture dhe Alta Moda, brand me shumë emër, realizon kryevepra ku Eliee Saab është ai që më pëlqen në çdo veshje të mundshme të gjithë koleksionit. Në plane të afërta kam dhe unë dëshirë të realizoj një koleksion me 10-20 fustane. Të gjitha të krijuara, të realizuara e dizenjuara nga unë.

Pozitivi: Ti ke dhuruar flokët për fëmijët me kancer. Pse e bëre diçka të tillë? Si u bashkove me nismën?

Pranvera: Kisha një periudhë kohe që mbaja flokët e gjata dhe realisht ishin shumë të shëndetshëm por doja një ndryshim. Pas shumë kohësh e vendosa t’i prisja. Në momentin e parë pasi i preva thjesht i kërkova t’i mbaja dhe mos të hidheshin poshtë por pa ndonjë qëllim të qartë… Ndërkohë shumë rastësisht u informova për grupin e studentëve që kishin marrë nismën dhe vendosa që t’i dhuroja.

Pozitivi: Tek zarfi po shikoj që ka një letër çfarë ke shkruar aty?

Pranvera: Po është një letër drejtuar fëmijëve…

“Ka pafund arsye në këtë botë për të ndjerë dhimbje, zhgënjim, revoltë, neveri… por sa më shumë ta gjurmosh negativitetin po aq ai shumëfishohet. Ligji i universit funksionon njëlloj për lumturinë, mirëqënien, buzëqeshjen dashurinë… n.q.s unë bëj diçka për të bërë dikë sadopak të lumtur kjo më dhuron mua dyfish lumturi.

Ndoshta nesër do të bëj gjëra të mëdha por e vetmja gjë që mund të bëj sot është diçka krejt e vogël me zemër dhe shumë dashuri… Zoti ju bekoftë… Pranvera.

Pozitivi: Ke takuar ndonjëherë fëmijë që vuajnë nga kancer?

Pranvera: Kam pasur një miken time që ka vuajtur nga kjo sëmundje. Fatmirësisht ajo mundi ta luftonte pavarësisht gjithçkaje që i thanë mjekët, sot është shumë mirë me shëndet të plotë. Pas shumë betejash ka qenë vërtet jashtëzakonisht e vështirë.

Pozitivi: Ndikoi fakti qe ke pasur një person të afërt të prekur nga kjo sëmundje që të solidarizohesh më shumë?

Pranvera: Po shumë ndoshta dhe arsyeja që bera këtë gjest të vogël mund të ketë qenë sepse isha më pranë sfidave që duhet të kalojë një person me këtë sëmundje. Ndoshta kjo më ka bërë më të ndjeshme në lidhje me këtë gjë… Për më tepër personi im i zemrës ka humbur babain në një moshë shumë të re prej kësaj sëmundjeje, ka jetuar gjithë jetën deri sot me mungesën e tij dhe e shoh sa dhemb kjo mungesë për të.

Pozitivi: Çfarë mesazhi do t’ju jepje të rinjve por jo vetëm që të solidarizohen me raste të tilla?

Pranvera: Aq shumë sa mendojmë se jeta jonë është individuale aq më shumë jemi duke u gabuar! Gjithsecili nga ne ka nevojë për dikë e jo thjeshtë dikë, por shumë persona pranë vetes kanë nevojë për një skuadër, gjithkush ka nevojë për dikë në një moment apo në një tjetër, e gjithë jetën… Për sa kohë kemi nevojë për njeri-tjetrin për aq kohë duhet të bëjmë ç’mundemi për t’ja bërë jetën të tjerëve edhe rrjedhimisht vetes më të bukur.

   

 

 

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.