Voice Record Pro: Aplikacioni për incizimin e zërit
04/02/2020 Shpërndaje

Voice Record Pro: Aplikacioni për incizimin e zërit

Telefonat e mençur kanë shumë karakteristika që i bëjnë ata tërheqës dhe pa të cilët nuk mund ta imagjinojmë funksionimin sot. Pavarësisht se a kemi të bëjmë me aplikacione të thjeshta që i përdorim çdo ditë, siç është alarmi, ora, shënimet, kalkulatori apo moti. Apo kemi të bëjmë me aplikacione më komplekse si kapja e fotografive, përpunimi i fotografive e i videove si dhe incizimi i zërit. Është bërë e paimagjinueshme të mos i përdorim ato çdo ditë.

Për gazetarët, përveç video xhirimeve dhe fotografive, sigurisht se njëra prej aplikacioneve më të rëndësishme në telefonat e tyre celularë është diktafoni apo incizuesi i zërit. Incizuesit e zërit voice recorder, diktafonët) janë aplikacione të cilat rëndom vijnë me telefonat celularë, por ato zakonisht janë të kufizuara dhe ofrojnë vetëm opsionin për incizimin e zërit dhe emërtimin e fajlit të incizuar. Nëse i shikojmë si aplikacione të cilat do t’i shërbejnë qëllimit të tyre parësor – incizimit të zërit – atëherë gjithsesi janë të dobishme. Por çka nëse dëshirojmë të kemi më shumë mundësi me audio incizimet të cilat i posedojmë? Çka nëse duam të shtojmë komente, ta përzgjedhim një minutazh të caktuar gjatë intervistës, t’i presim copëzat apo jemi lodhur me transkriptimin e intervistave dhe të deklaratave?

Ekziston një numër i madh aplikacionesh të cilat mund t’i shkarkoni, qoftë për Android apo për iOS. Sot ju paraqesim aplikacionin Voice Record Pro, i cili mund t’jua lehtësojë incizimin dhe përpunimin e intervistave dhe të deklaratave në formatin audio. 

Voice Recoder Pro është aplikacion shumë mirë i pajisur, me dizajn dhe mënyrë shumë të thjeshtë përdorimi. Interface-i është i lehtë për përdorim, datotekat e incizuara gjenden me lehtësi. Padyshim bën pjesë në njërin prej aplikacioneve të dobishme dhe të thjeshta për diktafon.

Si përdoret Voice Record Pro?

Para së gjithash duhet të shkoni në Play Store apo në App Store dhe ta shkarkoni aplikacionin Voice Record Pro. Ekziston një numër i madh aplikacionesh me emrin e njëjtë apo të ngjashëm, andaj shikoni ta shkarkoni të duhurën, e cila duket si në këtë fotografi.

Pasi ta keni shkarkuar aplikacionin, do të ju kërkohet t’ia lejoni aplikacionit të incizojë zërin dhe të ruajë fajla. Klikoni në Allow dhe do të hyni në aplikacion. 

Në dritaren e parë në pjesën e poshtme do të keni tri butonë që tregojnë fillimin e incizimin, stopimin dhe lëshimin e incizimin. Në pjesën lart do të keni gjashtë opsione. Në fazën kur ende nuk keni incizime, opsionet e vetme të qasshme nga këto gjashtë janë Cloud Service, që ju tregon se ku mund t’i ruani incizimet, si dhe Options me disa opsione shtesë të cilat i ofron ky aplikacion, si dhe me kontaktin për t’iu drejtuar prodhuesve të aplikacionit.

Vlen të theksohet se do të ishte mirë që para se të filloni me incizimin e intervistës apo të deklaratës te pjesa e rregullimeve t’i fikni thirrjet dhe ta ndalni internetin, që intervista apo podcast-i juaj të mos pengohen nga telefonata apo mesazhe, si dhe njoftime që ju vijnë nga rrjetet sociale. Këtë do ta bëni më së lehti duke e futur telefonin tuaj në airplane mode.

Për të filluar incizimin, klikoni te opsioni për fillimin e incizimit. Kur klikoni te ky opsion, ju hapet dritarja e re ku mund të zgjedhni cilësinë e incizimit – low, medium apo high, si dhe formatin – MP3 dhe M4A. Me këto opsione, automatikisht ju rregullohen karakteristikat e cilësisë së zërit. Varësisht nga formati që e zgjedhni, mund të shihni edhe karakteristika shtesë siç është madhësia apo numri i kanaleve e kështu me radhë.  Por, nëse ato karakteristika nuk ju përshtaten, gjithsesi mund të shkoni te opsioni Advanced dhe t’i rregulloni manualisht karakteristikat të cilat ju përshtaten.  Te rregullimi manual, përveç MP3 dhe M4A, mund ta zgjedhni edhe formatin WAV të audio incizimit. E mira është se në momentin që i rregulloni manualisht karakteristikat që ju përshtetet, aplikacioni i mban mend dhe më pas mund të vazhdoni t’i përdorni. 

Pasi t’i keni rregulluar karakteristikat e incizimit dhe pasi të klikoni te ikona për incizim, në ekran në anën e djathtë lartë do të ju shfaqet monitori i cili mat forcën e zërit. Ky monitor është tejet i rëndësishëm sepse mund të përcillni ndjeshmërinë e mikrofonit, dhe nëse zëri kalon në zonën e kuqe ju mund të ndërmerrni hapa të caktuar. Super opsioni të cilin e keni në dispozicion kur incizoni është Bookmark ku mund të klikoni në momentin që ju duket se keni diçka shumë me rëndësi dhe kësaj dëshironi t’i ktheheni më vonë pasi ta dëgjoni krejt incizimin. Besojmë se ju ka ndodhë shpesh të bëni intervista dhe më vonë të keni vëshitrësi të gjeni ndonjë pyetje të caktuar. Duke e përdorur opsionin Bookmark, mund ta shenjoni çdo pyetje të parashtruar, dhe kështu t’u ktheheni më lehtë atyre pyetjeve kur ta dëgjoni incizimin.

Pasi të mbaroni me incizimin, klikoni te stop dhe do të ju jepen një numër i madh opsionesh që i ofron ky aplikacion. Përveç atyre standarde, siç është madhësia e incizimit, kohëzgjatja dhe emërtimi i incizimit, ekziston edhe një varg karakteristikash të cilat gjithsesi mund t’ju sjellin dobi. 

Njëra prej këtyre mundësive është shkurtimi i incizimeve dhe dërgimi i tyre me e-mail apo ruajtja në Gmail Drive, Dropbox apo OneDrive, si dhe plasimi direkt në Youtube. 

Aplikacioni është shumë më i zhvilluar për Iphone se për Android, duke qenë se së pari është krijuar për Iphone, dhe prandaj edhe dallojnë disa karakteristika, gjegjësisht tani për tani Iphone ofron më shumë.  
Për këtë arsye, tani për tani transkriptimi është i mundur vetëm në pajisjet Iphone, ku hyn edhe transkriptimi në kroatisht apo në serbisht, shkruan balkansmedia. Transkriptimi nuk është krejtësisht i përsosur, por gjithsesi do t’jua lehtësojë punën. Patjetër, ju do të duhet ta lexoni tekstin dhe t’i ndreqni fjalët e caktuara të cilat aplikacioni nuk i ka njohur gjatë transkriptimit.

Dallimet

Siç ndodh rëndom me aplikacionet, besojmë se edhe kjo do të avancojë, sidomos në domenin e barazimit të karakteristika për Androit dhe IOS. 

Instaloni aplikacionin dhe na tregoni përvojën e punës me të. Do të na pëlqente të dëgjonim përvojat tuaja dhe nëse planifikoni ta përdorni në punën tuaj në të ardhmen.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.