UNFPA ALBANIA, KJO ADVOKUESE E MADHE E FAMILJES, TË MOSHUARVE DHE BARAZISË GJINORE!
24/10/2022 Shpërndaje

UNFPA ALBANIA, KJO ADVOKUESE E MADHE E FAMILJES, TË MOSHUARVE DHE BARAZISË GJINORE!

Nëse ke kaluar sot nga sheshi Skëndërbej, nuk ka se si të mos ketë rënë në sy stenda e UNFPA Albania. Për të gjithë ata që nuk e dinë, kjo është java kulturore ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara dhe UNFPA si një nga 19 agjencitë në Shqipëri, ka prezantuar një fushatë të gjerë sensibilizuese. Aktivitetet do zgjasin për një javë në bashkëpunim me qeverinë e Shqipërisë e përveç Tiranës ato do të shtrihen në Pukë të mërkurën, të enjten në Përmet e të premten në Durrës për ta finalizuar javën përsëri në Tiranë.

UNFPA prezantoi materiale informuese ndërgjegjësuese mbi shëndetin seksual riprodhues, një nga temat kryesore ku ajo investon në vendin tonë. Por përveç materialeve informuese për marrëdhëniet e shëndetshme, marrëdhëniet në çift, HIV, shëndetit seksual dhe riprodhues në përgjithësi, higjienës menstruale tek vajzat, u shpërndanë edhe më shumë se 100 kondomë.

Përmes një ekspozite me foto të bëra nga të rinjtë ku adresoheshin çështjet e dhunës, të shëndetit seksual dhe riprodhues, përdorimit të metodava kontraceptive moderne në Shqipëri, u synua që të shkohej më pranë të rinjve, burrave e grave me mesazhe konkrete.

UNFPA po mbulon një gamë të gjerë çështjesh me rëndësi për familjen, moshimin, edukimin seksual etj, të cilat kanë nevojë për jehonë të gjerë mes komuniteteve. Ndaj fushata të këtij lloji i japin jetë punës në terren që bëhet nga specialistët, por edhe nga nga të rinjtë e Rrjetit Zëri i të Rinjve si edhe nga të rinjtë si edukatorë bashkëmoshatarë.

E konceptuar në formën e një ekspozite shëtitëse, kjo javë i është dedikuar punës që Kombet e Bashkuara bëjnë në Shqipëri, ndaj nuk duhet parë thjesht dhe vetëm si celebrim i ditës ndërkombëtare të OKB. UNFPA Albania do të vijojë të angazhohet në disa çështje jetike për komunitetet edhe në vitet në vijim, duke qenë kështu një suportuese e familjes, të moshuarve dhe një advokuese e të drejtës për barazi gjinore në Shqipëri.  

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.