TË LËSH ANGLINË PËR KUKËSIN!
21/02/2025 Shpërndaje

TË LËSH ANGLINË PËR KUKËSIN!

Po, po, nuk e lexuat gabim. Ka lënë Anglinë për Kukësin dhe jo Kukësin për Anglinë! Kjo është historia e Liridonës, një të reje nga qyteti verior, që mbase për shumë bashkëmoshatarë të saj do tingëllojë e pazakontë.

Pak vite më parë ajo vendosi të shkonte drejt Anglisë, duke ndërthurrur studimin me punësimin. Dhe shtysa ishte ashtu si për të gjithë, një jetë e një ekonomi më e mirë. Ja si shprehet Liridona kur e pyet për shkaqet që e shtynë të linte qytetin e saj të lindjes.

“Doja vetëm të lëvizja. Doja të shkoja në një shtet të madh, e zgjodha Anglinë se kemi njerëzit tanë atje, që na ofrojnë suport në pjesën e akomodimit. Në fakt lëvizja ime nuk ishte kryesisht për studime. Ishte për të gjetur punë, një punë më të mirë me një pagë më të madhe edhe se në Tiranë.”

Ndiqni podcast-in me intervistën e Liridonës

Kishte emigruar në mënyrë të ligjshme, ndaj puna u gjet shumë shpejt. Mes mësimeve dhe punës, e reja nga Kukësi tregon se si ishte momenti i parë kur shkoi në Angli.

“Shok kulturor dhe këtë e kupton vetëm kur je atje. Kam bërë një kurs që varion nga një vit, në një vit e gjysmë, kundrejt të punuarit ligjërisht në klinikat dentare atje. Ka forma dhe sistem të mirëintegruar përsa i përket zhvillimit personal” – thekson Liridona.

Studioi e punoi për rreth 1 vit e gjysmë në Angli, dhe në fund vendosi të kthehej. Kishte humbur shumë nga ngjarjet shpirtërore dhe familjare që e përmbushnin. Tani kishte ardhur me një tjerër vizion e kërkesë për veten. Aktualisht punon si menaxhere në një program që ka në fokus pikërisht aftësimin e të rinjve për të ardhmen. Përmes tij, të rinjtë në Kukës po pajisen me aftësi që kërkohen nga tregu i punës, e është një nga elementët e progamit, t`iu gjejë treg të huaj punësimi, por pa u larguar nga Kukësi. Është botë globale, e gjithçka është e mundur. Liridona e sheh kështu të ardhmen në Kukës.

“E ardhmja në Kukës është plot sfida. Ka të rinj që duan të shkollohen këtu. Ka të rinj që refuzojnë këtë rrugë, duke menduar si më të sigurtë anën tjetër. Siç ka edhe të tjerë që ëndrrat e shkollimit iu mbetën në mes për arsye financiare. Do doja shumë të që rinjtë kukësianë të prezantojnë veten dhe qytetin e tyre sepse është një qytet shumë arsimdashës.”

Edhe pse nuk e cilëson veten personin e duhur për të dhënë një këshillë, sepse beson në zgjedhjet e lira të gjithkujt, sërish e ka një mesazh për të rinjtë.

“Zhvillimi personal është unik. Secili të mendojë se nuk është i huaj për qytetin e vet. Nuk jam pro shpopullimit, shitjes së tokave tek të huajt. Do doja që qyteti im të jetë prapë unik dhe të popullohet nga kukësianët.”

Kjo histori suksesi, që vjen nga një qytet ku më së shumti dëgjohen historitë e emigrimit të jashtëligjshëm, është një dritëz shprese për shumë të rinj që ashtu si Liridona thurrin ëndrra për suksesin e tyre personal, larg suksesit të komunitetit ku kanë lindur e janë rritur.

Nga Brikena Vata, nxënëse e shkollës Avni Rustemi, Kukës.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.