Ulet numri i vizitorëve të huaj në vendin tonë, rritet dëshira e shqiptarëve për të “eksploruar” botën
Ndonëse vendi ynë ka bukuri të shumta natyrore të lakmuara nga shumë qytetarë të shteteve të tjera, shqiptarët preferojnë të eksplorojnë vendet e huaja çdo vit edhe më shumë.
Këtë e tregojnë shifrat e raportit të INSTAT, të cilat tregojnë se numri i “check- in” jashtë kufijve është rritur në 2019.
Sipas raportit të fundit të Instat, lëvizja e shtetasve shqiptarë jashtë vendit është rritur me 9.2%, në 10 mujorin e parë të 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
Në janar- tetor 2018, numri i daljeve jashtë kufijve ishte 4.537.760, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit pasardhës, ky numër arriti në 4.956.344.
Pra, referuar këtyre të dhënave, “check- in”- et nëpër “botë” janë rritur me 418.584. Destinacionet në rritje për pushime kanë qenë Italia dhe vendet e tjera të aksesueshme në rrugë ajrore dhe detare, për të cilat ofrohen shpesh në paketa turistike të favorshme dhe bëhet fjalë për vende si Turqia, Egjipti, etj.
Ndërkohë që kemi një trend në rritje të shqiptarëve që kërkojnë të ekplorojnë jashtë vendit, ka dhe një ulje të numrit të shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë në muajin shtator. Sipas të dhënave të INSTAT në muajin shtator, hyrjet e shtetasve të huaj në vend ishin 591.414, krahasuar me shtator 2018, ky numër është ulur me 11,0 %.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
