Traumat e 2 vëllezërve bulqizakë që jetojnë në çadër, biznesmeni nis t’u ndërtojë shtëpinë
16/10/2017 Shpërndaje

Traumat e 2 vëllezërve bulqizakë që jetojnë në çadër, biznesmeni nis t’u ndërtojë shtëpinë

Në Bulqizë dy vëllezër në moshë të thyer jetojnë në çadër. Haxhi dhe Petrit Dama prej gjashtë muajsh jetojnë jashtë, pasi shtëpia e tyre është shembur pak nga pak, ashtu siç ka marrë tatëpjetën jeta e tyre në këtë moshë. Petrit Dama, njëri nga vëllezërit sot është 72 vjeç. Kohë më parë, për 11 vite ka jetuar në tunel, e si pasojë ka probleme të rënda me shëndetin. Ditën e kalon duke rregulluar çadra të prishura, të cilat i shet kundrejt një çmimi modest, për të siguruar të ardhura për jetesë. Në dimër dhe verë, në mes të shiut e breshërit, kështu kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë 2 vëllezërit, mosha e të cilëve nuk premton shumë, shkruan pozitivi.org.

Haxhiu është vëllai tjetër, që jeton po në atë çadër. Historia e tyre është e trishtë, ndërsa jetesa tepër e vështirë.  Por si gjithmonë në fund të tunelit ka dritë. Pozitivi.org mëson se shtëpia e tyre së shpejti do të nisë të ndërtohet e kjo falë bashkëfshatarit të dy vëllezërve Dama. Shpëtim Puca, nga Bulqiza, është rritur me 2 vëllezërit që jetojnë në çadër, ndërsa sot jeton në Ankara, dhe ka ngritur biznese të suksesshme në disa vende të botës. Puca i kontaktuar nga Pozitivi rrëfen historinë e trishtë të jetës së dy vëllezërve dhe dëshirën e tij të mirë për t’jua ndërtuar sërish strehën e shembur. Biznesmeni Puca tha se tashmë materialet kanë  mbërritur në vend dhe ndërtimin po e ndjek Haxhi Pulja së bashku me Bashkinë e Bulqizës.

Puca është rritur me 2 vëllezërit Petrit dhe Haxhi, ndaj di dhe historinë e familjes së tyre. Gjatë një interviste për pozitivi.org, biznesmeni tregon tragjeditë e njëpasnjëshme të familjes Dama që i çuan dy vëllezërit, të jetojnë në këtë mjerim që janë sot. “Babai i tyre u pushkatua nga regjimi komunist dhe në kohën e dënimit para se të pushkatohej linda unë dhe ma vunë Shpëtim emrin për të, që të shpëtojë dhe djalit të xhaxhait Gëzim që të gëzoheshim por mbeti vetëm dëshira, pasi nuk vlejti dhe ai u pushkatua… Që atëherë  morën rrokullimën…

Nga ajo ngjarje e ëma nuk përballoi dot goditjen dhe humbi llogjikën. Shumicën e kohës e kalonin tek shtëpia jonë por me kalimin e kohës u shkëputën dhe u larguan. Më kujtohet ishin më të mirët në fshat dhe kishin shtëpinë më të bukur me dy kate dhe të shtruar me dërrasa të gdhendura. Gjithashtu Haxhiun, megjithëse filloi të shfaqte të meta mendore edhe atë e burgosën…”, tha ndër të tjera biznesmeni Puca, bashkëfshatar i 2 vëllezërve që jetojnë në çadër. Biznesmeni Shpëtim Puca është treguar i gatshëm t’i ndihmojë. Fillimisht do të japë 500 euro, por punimet do të ndiqen derisa të ndërtohet streha e 2 vëllezërve. Puca gjatë intervistës për Pozitivin përveç anës humane tregon si ka mundur të ketë sukses, në bizneset që ka ngritur në disa vende në botë.

Intervista me Shpëtim Puca për pozitivi.org:

P: Si jeni njohur me rastin e dy vëllezërve nga Bulqiza?

Shpëtim Puca: Edhe unë nga ZallSopoti jam, jemi rritur bashkë me to. Jemi nga i njëjti fshat.

P: Ju i keni parë që fëmijë, si kanë përfunduar në këtë gjendje?

Shpëtim Puca: Babai i tyre u pushkatua nga regjimi komunist dhe në kohën e dënimit para se të pushkatohej linda unë dhe ma vunë Shpëtim emrin për të, që të shpëtojë dhe djalit të xhaxhait Gëzim që të gëzoheshim por mbeti vetëm dëshira, pasi nuk vlejti dhe ai u pushkatua… Që atëherë  morën rrokullimën…

Nga ajo ngjarje e ëma nuk përballoi dot goditjen dhe humbi llogjikën. Shumicën e kohës e kalonin tek shtëpia jonë por me kalimin e kohës u shkëputën dhe u larguan. Më kujtohet ishin më të mirët në fshat dhe kishin shtëpinë më të bukur me dy kate dhe të shtruar me dërrasa të gdhendura.

P: Po shtëpisë çfarë i ndodhi, u shkatërrua me kalimin e viteve? Si përfunduan në kasolle?

Shpëtim Puca: Siç thashë dhe më parë shtëpia ishte e madhe, ne fillim u prishën tjergullat, pastaj muret dhe në fund u shemb krejt e gjitha. Gjithashtu Haxhiun, megjithëse filloi të shfaqte të meta mendore edhe atë e burgosën.

P: Ju jeni ofruar t’i ndihmoni për të ndërtuar shtëpinë. Mund të na bëni një prezantim të shkurtër për të gjitha ata që s’ju njohin. Me çfarë merreni dhe si u njohët me rastin e dy vëllezërve nga Bulqiza?

Shpëtim Puca: Para disa ditësh kanë shkuar materialet e ndërtimit tek shtëpia e vëllezërve Dama. Ndërtimin po e ndjek Haxhi Pulja dhe së bashku me Bashkinë e Bulqizës do e përfundojmë. Unë si fillim jap 5000 euro. Unë jam Shpëtim Puca, në vitin 91 emigrova në Turqi, më pas emigruan dhe dy vajzat Eneida dhe Arjeta. Si çdo emigrant tjetër në fillim mësova gjuhën, në të njëjtën kohë fillova të punoj në ndërtimin e konstruksionit të makinave. Pas një përvoje 12 vjeçare pashë se pronarët e mi nuk ishin më të mençur se unë prandaj vendosa të hap firmën time.

Në këto 12 vjet u bëra specialist në prodhimin e makinave. Tani makinat tona dërgohen në 15 vende të botës. Vajzat u rritën Eneida mbaroi për diplomaci dhe masterin në Itali, pasi punoi në Irlandë dhe ne Luksemburg në Amazonë u njoh me një djalë amerikan dhe u martua. Arjeta mbaroi për Inxhinieri kompjuterash dhe në të njëjtën kohë mori edhe diplomën për Inxhinieri Elektrike. Pasi punoi në Boosh, Gjermani, Kinë, Japoni u kthye në krye të firmës “Yeni Balkan Makina”. Tani ajo është pronare e firmës “Yeni Balkan” në Turqi, pronare e firmës ARİDA në Maqedoni gjithashtu është pronare e firmës TİMAK në Tiranë.

P: Si i keni arritur kaq shumë suksese, si ia dolët?

Shpëtim Puca: Megjithëse kam mbaruar për mësues muzike, në ditët e sotme jam krenar për punën e ndershme që kam bërë gjithashtu nuk kam zili asnjë inxhinjer, Stakjan, Gjerman. Çdo gjë e kama arritur me punë dhe përkushtim. Për anën e financës ka punuar shumë gruaja ime Fiqja.

2 vëllezërit:

Në foton e mëposhtme Shpëtim Puca:

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.