Kompozoi këngën e Jonidës, Eriona Rushiti: Shoqëria përtyp tekste kokaine e luksi fals, dështimet dhe sukseset në Eurovision
12/05/2022 Shpërndaje

Kompozoi këngën e Jonidës, Eriona Rushiti: Shoqëria përtyp tekste kokaine e luksi fals, dështimet dhe sukseset në Eurovision

Që prej 2004 kur pati debutimin e parë, Shqipëria është përfaqësuar nga 19 këngëtarë në Eurovision i cili është evenimenti më i rëndësishëm artistik që i kushtohet shumë vëmendje në Europë dhe më gjerë. Këtë vit Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja Ronela Hajati me këngën “Sekret” por që nuk u kualifikua as në finale. Paraqitja e performancës së grupit dhe e Ronelës, ngjalli debate në opinionin publik, ky i fundit i ndarë në dy kampe.

E kritikuar në disa pika kënga e Ronelës ka qenë edhe nga kompozitorja Eriona Rushiti e cila është kompozitore edhe tekstshkruese e këngës “Ktheju Tokës” me të cilën Jonida Maliqi na ka përfaqësuar në Eurosong në 2019. Kënga e saj i dedikohet fenomenit të emigrimit, fort i njohur për shqiptarët që në vitet ’90, por edhe në ditë e sotme dhe përmes saj i bëhet njëkohësisht një thirrje për të larguarit. Një stil komplet tjetër cilëson këngën e Ronelës. Madje ajo është ndalur ndër të tjera te disa vargje të këngës.

“Sigurisht që mbrëmë jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe perfomancat e natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme dhe të drejta. Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqësime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin. Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit, të sportit etj.) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi. Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga keto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skene e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe ne mbrëm nuk kishim asnjerën nga këto komponente:

1-Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.  2-Interpretimi nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht ( qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra 1-2-3 e fjalë pa asnjë lidhje logjjke me njëra-tjetrën)  3-Dhe, së fundmi, performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik të orëve të vona të natës. Të gjitha këto komponentë dukej se ishin bërë “me vesh” i themi ne nga anët tona. Këngë me një strukturë arna-arna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër e mbushur me pasthirrma agresive a thua se po shkonim në luftë. Një tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija”, edhe fjalën “regret” , edhe “toca-tocalo, “ edhe “ta marrsha”, edhe “ma ke bo jeten si lojna, avion” e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër. Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept, e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të terhequr vemendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit.”, thotë ajo.

E kontaktuar nga Pozitivi.org kompozitorja ka theksuar se dy përfaqësimet më të mira të Shqipërisë në Eurosong janë me Rona Nishliun dhe Eugent Bushpepa.

“Shqipëria shpesh është prezantuar me balada dhe pak herë me këngë ritmike, të cilat gjithmonë priten më mirë nga publiku, pasi njerëzit duan edhe argëtim, perveç tematikave sociale. Këtë vit Shqipëria e kishte këtë mundësi, sepse kënga e Ronelës krijon atmosferë të bukur, beat-i është i gjetur, por teksti dhe vija melodike lënë për të dëshiruar. Plus që nuk u shfrytëzuan elementë të mirë të këngës për të elaburuar më shumë e për ta bërë ate edhe profesionale, përveçse komerciale.

Per mua prezantimet më të mira Shqipëria i ka pasur me Rona Nishliun (një këngë që rrallë herë kompozohet) pra nuk besoj që i vjen më Shqipërisë apo edhe Eurovizionit. Pasi hyn në ato këngë unike ku si krijimi ashtu edhe interpretimi janë të një cilësie të lartë. Po të njëjtin vlerësim kam për prezantimin e Eugent Bushpepës. Me një super vokal dhe interpretim ai arriti të rrembejë edhe vota të jurisë profesionale, por edhe të publikut. Pastaj nuk mund të flas për veten sepse kam konflikt interesi. Për mua këto kanë qenë prezantimet më të mira të Shqipërise, përsa i takon këngës si paketë e plotë me të gjitha komponentet e saj”, tha kompozitorja për Pozitivin.

Shpesh kemi parë që këngë të cilat nuk përcjellin ndonjë mesazh në vetvete janë më të suksesshme se disa të tjera që janë shumë më të mirëshkruara dhe kënduara. A po zhduken këngët që mbartin mesazhe si kënga “Ktheju Tokës” apo të ngjashme? A mund të përcillen ende mesazhe të rëndësishme përmes këngëve? Ku mendoni se është problemi?

“I gjithë tregu muzikor ka marrë një drejtim kaotik, duke orientuar keq edhe shijet muzikore në publik. Gjatë viteve të fundit janë bërë trend këngë që nuk përcjellin asgjë dhe kështu që janë të destinuara që të harrohen po aq shpejt sa dalin në treg. Shija e publikut është ç’orientuar. Po të pyesësh këngëtarët as ata vetë nuk dinë se çfarë këngësh duan të kenë në repertor, pikërisht për shkak të këtij kaosi që është krijuar. Janë të paktë artistët që nuk bëjnë kompromise me artin, apo nuk bëjnë muzikë për klikime.

Sigurisht që jeta është e larmishme dhe ka shumë mesazhe që mund të përcillen mes artit e këngës. Nuk është e thënë që ato duhet të jenë gjithmonë mesazhe impenjative që vijnë vetëm përmes baladave. Sepse edhe këngët ritmike apo rryma të ndryshme muzikore mund të ironizojnë apo të sjellin në mënyre groteske fenomene shqetësuese të jetës nëpërmjet mesazheve. Jeta ka edhe fabula të bukura e të gjitha këto mund të jenë në pjesë e një teksti kënge. Por mesa po kuptojmë shoqëria jonë përtyp me lehtë tekste që flasin për një jetë eazy me kokainë e me luks fals. Ky trend ndikon në publik dhe më pas tenton tq hyjë edhe nëpër festivale, por për fat deri tani nuk kanë mundur akoma. Shpresoj shumë që ky fenomen të ndryshojë dhe te rritet cilësia artistike e krijimtarisë”, përgjigjet Rushiti.

Përfaqësimi i Shqipërisë ndër vite në Eurovision

2004- Anjeza Shahini “The Image of You”

2005- Ledina Çelo Tomorroë i go”

2006- “Zjarr e ftohtë” Luiz Ejlli

2007- “Balada e Gurit” ose “Hear my plea” nën interpretimin e Aida dhe Frederik Ndocit

2008- Olta Bokës “Zemrën e lamë peng”

2009- Kejsi Tola “Carry me in your dreams”

2010- Juliana Pasha “It’s all about you”

2011- “Feel the passion” Aurela Gaçe

2012- Rona Nishliu “Suus” 

2013- Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko “Identitet”

2014- Hersi- “One Night’s Anger”

2015- Elhaida Dani “I’m alive”

2016- “Përralla” e Eneda Tarifës

2017-“World” nga Linda Halimi

2018- Eugent Bushpepa “Mall”

2019-Jonida Maliqi – Ktheju Tokës

2020-Arilena Ara Fall From The Sky

2021- Anxhela Peristeri- Karma

2022-Ronela Hajati Sekret

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.