Transmetimi i HIV nga nëna te fëmija
25/04/2019 Shpërndaje

Transmetimi i HIV nga nëna te fëmija

Një problematikë shqetësuese në vendin tonë është transmetimi vertikal i virusit, pra kalimi i tij nga nëna tek fëmija. Numërohen gjithsej 44 fëmijë të infektuar nga nëna, dy prej të cilëve vetëm gjatë vitit 2018. Rritja e nivelit të njohurive për transmetimin e HIV nga nëna te fëmija dhe pakësimi i rrezikut për transmetimin nga nëna te fëmija përmes përdorimit të ilaçeve anti-retrovirale janë shumë të rëndësishme për pakësimin e transmetimit të HIV nga nëna te fëmija (MTST).

Ekspertët vlerësojnë se rritja e numrit të rasteve të infektuara nga nëna te fëmija kërkon një program të veçantë të kontrollit të virusit HIV tek gratë shtatzëna si dhe testim të tyre, si gjatë kujdesit të paralindjes, ashtu edhe gjatë lindjes.

Për të vlerësuar njohuritë lidhur me MTST, të intervistuarite një raporti të realizuar në Studimin Demografik dhe Shëndetësor u pyetën nëse virusi që shkakton AIDS mund të transmetohet nga nëna te fëmija përmes ushqyerjes me gji dhe nëse një nënë me HIV mund të pakësojë rrezikun e transmetimit të virusit te fëmija duke marrë ilaçe të posaçme gjatë shtatzënisë. Femrat ka më shumë të ngjarë se meshkujt që të kenë dijeni për rrezikun e transmetimit të HIV nga nëna te fëmija përmes ushqyerjes me gji (75 dhe 51 përqind, përqind), thuhet në raport.

Përgjithësisht, femrat dhe meshkujt me arsim universitar ose më të lartë (88 dhe 52 përqind, përkatësisht), ata që jetojnë në zonat rurale (83 dhe 54 përqind, përkatësisht), ata që jetojnë në Tiranën Urbane (86 dhe 56 përqind, përkatësisht) dhe ata në nivelin më të lartë material (86 dhe 55 përqind, përkatësisht) ka më shumë të ngjarë ta dinë se HIV mund të transmetohet përmes ushqyerjes me gji, në krahasim me femrat dhe meshkujt e tjerë.

Në krahasim me informacionin e MICS 2005 (INSTAT, 2008), ka pasur një rritje të ndjeshme të përqindjes së femrave që e dinë se HIV mund të transmetohet përmes ushqyerjes me gji, nga 58 përqind në 2005 në 75 përqind në ADHS 2008-09. Rreth një ndër tre gra (31 përqind) dhe një ndër katër burra (27 përqind) e dinë se rreziku për transmetimin e HIV nga nëna te fëmija mund të ulet, nëse nëna merr ilaçe të posaçme gjatë shtatzënisë.

Vërehet se njohuritë në lidhje me ilaçet e posaçme për parandalimin e transmetimit nga nëna te fëmija, ndër femrat dhe meshkujt në qytete (35 dhe 30 përqind, përkatësisht), ndër ata me arsim universitar ose më të lartë (51 dhe 48 përqind, përkatësisht), ata që jetojnë në Tiranën Urbane (39 dhe 31 përqind, përkatësisht) dhe ata në kuintilin më të lartë pasuror (43 dhe 37 përqind përkatësisht) janë më të larta se ndër të intervistuarit e tjerë.

Përgjithësisht, 28 përqind e femrave dhe 16 përqind e meshkujve e dinë se HIV mund të transmetohet përmes ushqyerjes me gji dhe se rreziku për transmetimin nga nëna te fëmija mund të ulet, në rast se nëna merr ilaçet e duhura gjatë shtatzënisë. Një përqindje më e madhe grash në zonat urbane sesa në ato rurale kanë dijeni për transmetimin nga nëna te fëmija përmes ushqyerjes me gji dhe se përdorimi i ilaçeve të duhura e ul rrezikun e transmetimit nga nëna te fëmija (32 dhe 25 përqind, përkatësisht) ndërsa e kundërta vihet re te meshkujt (15 përqind e meshkujve në zonat urbane ndaj 17 të meshkujve në ato rurale).

Sipas rajonit, njohuritë për transmetimin nga nëna te fëmija ndër femrat varion nga 17 përqind në rajonin Malor në 34 përqind në Tiranën Urbane. Ndër meshkujt, dijet variojnë nga 11 përqind në Tiranën Urbane në 22 përqind në rajonin Bregdetar. Kjo u realizua me mbështetjen e UNFPA. #UNFPA Albania

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.