Fëmijët viktima të luftës, lotët e nënave në arrati: Duam të shohim buzëqeshje në fytyrat e tyre
08/03/2022 Shpërndaje

Fëmijët viktima të luftës, lotët e nënave në arrati: Duam të shohim buzëqeshje në fytyrat e tyre

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të shpejtë të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Bombardimet e rusëve gjetën të papërgatiur mëngjesin e 24 shkurtit qytetarët ukrainas. Nënat me fëmijë u zgjuan nga sirenat e sulmit për netë me radhë nën frikën e vdekjes. Për të shpëtuar jetën e tyre tashmë u janë drejtuar vendeve fqinje. Ndërsa burrat kanë zgjedhur të qëndrojnë për të mbrojtur vendin.

Më shumë se 1.5 milionë refugjatë nga Ukraina kanë kaluar në vendet fqinje në 10 ditë, tha të dielën komisioneri i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, Filippo Grandi. Në një postim në Tëitter, Grandi e quajti atë “kriza e refugjatëve në rritje më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Gjermanisë i tha CNN se rreth 38,000 njerëz kanë mbërritur në vend nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Policia Federale Gjermane regjistroi 37,786 refugjatë nga vendi i shkatërruar nga lufta që nga e diela, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN.

Megjithatë, duke pasur parasysh mungesën e kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, numri i njerëzve që largohen mund të jetë shumë më i lartë, tha ministria. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë Nancy Faeser i tha gazetës gjermane “Bild am Sonntag” se Gjermania do të presë refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, pavarësisht nga kombësia e tyre.

“Ne duam të shpëtojmë jetë. Kjo nuk varet nga pasaporta,” i tha Faeser gazetës gjermane.

Ndonëse shumë po largohen ka dhe një pjesë të popullsisë që ka zgjedhur të luftojë në Ukrainë. Por dita ditës ato po përballen me vështirësi për shkak të bombardimeve. Shumë qytete e fshatra janë pa energji elektrike, ndërsa kanë edhe mungesa në ushqime e ilaçe mjekësore.

Dërgesa e parë e furnizimit mjekësor urgjent nga Médecins Sans Frontières (MSF)/Mjekët pa Kufij ka mbërritur në Kiev, tha organizata ndërkombëtare humanitare në një deklaratë.

Përballë kësaj situate Evropianët, kujtimet e të cilëve për luftën  e Moskës pas Luftës së Dytë Botërore janë të thella, vazhduan të tregojnë mbështetje për fqinjët e tyre lindorë.

Në stacionin e trenit Przemysl, qyteti i madh polak më i afërt me pikën kufitare më të ngarkuar me Ukrainën, rreth 150 fëmijë ukrainas nga jetimoret në rajonin e Kievit mbërritën me tren nga Lviv.

Ndërsa prisnin të zbrisnin, ata u mblodhën te dritaret e trenit dhe hodhën shikimin jashtë: disa buzëqeshën, të tjerë u puthnin ose u tundnin me dorë vullnetarëve me xhaketa të verdha reflektuese në platformë. Një vullnetar u afrua për t’i argëtuar.

Në të njëjtin qytet, një shoqatë bamirëse për fëmijë kishte përgatitur një sallë sportive të konvertuar në shkollë për t’i pritur ata.

“Ne kemi ushqim për ta, do të ketë shumë fëmijë që janë shumë të vegjël, kështu që do të na duhet të ndërrojmë pelenat, etj,” tha Przemek Macholak, 25 vjeç, përfaqësues i Happy Kids, një organizatë joqeveritare polake.

“Më pas ata do të shkojnë përsëri në autobusë, ata do të nisen për në Poloni, një tjetër udhëtim 20-orësh,” tha më tej. Nënat dhe fëmijët pushuan për disa orë.

Happy Kids, e cila ka ndihmuar me evakuimin e rreth 2,000 jetimëve deri më tani, tha se po përpiqej të mos i ndante fëmijët sapo të mbërrinin në Poloni.

Qeveria polake miratoi një projekt-ligj për të krijuar një fond prej 8 miliardë dollarë për të ndihmuar refugjatët nga Ukraina.

“Kjo do të financojë strehimin më urgjent, por edhe aksesin në tregun e punës, përfitimet sociale dhe arsim”, i tha ministri Lukasz Schreiber Radio Plus.

Deri më tani, përpjekja për ndihmë është marrë kryesisht nga organizatat joqeveritare, vullnetarët dhe komunat.

Në Rumani, në pikën kufitare të Siretit me Ukrainën, vullnetarë me xhaketa reflektuese mirëpritën nënat ukrainase që mbanin çanta shpine, shtynin karroca apo mbanin të vegjlit ndërsa largoheshin, me erën që frynte dhe petalet e borës së bardhë që u zbardhinin flokët.

Një grua fshiu lotët ndërsa ecte.

Ndërkohë, çekët kanë dhuruar deri më tani 62.8 milionë dollar për ndihmën për Ukrainën, shuma më e madhe e mbledhur ndonjëherë për ndihmë humanitare në vend.

Si po përballen fëmijët me luftën?

Fatkeqësisht në Ukrainë edhe fëmijët janë ekspozuar në luftë. Për ata fëmijë që rriten në Ukrainën lindore, kjo nuk është lufta e parë që ata kanë duruar në jetën e tyre të shkurtër. 

Në vitin 2014, luftimet midis forcave ruse dhe ushtrisë ukrainase në rajonin plagosen shumë fëmijë, e disa humbën jetën ashtu sikurse edhe sot.

Më shumë se 100 fëmijë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë tetë viteve të konfliktit në lindje të vendit.

Por që kur Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës, këta numra janë rritur shpejt pasi fëmijët në mbarë vendin u ekspozuan ndaj luftës.

Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, të paktën 19 fëmijë janë vrarë që nga 24 shkurti. Mes tyre ishte edhe një vajzë gjashtëvjeçare e cila u kap nga bombardimet e Mariupolit.

Rusia pretendoi se nuk kishte shënjestruar zonat civile, por kopshtet, institucionet arsimore, spitalet dhe zonat e banuara të gjitha janë sulmuar. Beteja kryesore e nënave në Ukrainë është të shpëtojnë fëmijët. Shumë ia kanë dalë.

“Kur gjetëm në një strehë, fëmija im nuk mund të mbante një lugë në duar, ishte i tronditur”, thotë një nënë.

Ludmila Romanenko, një psikologe që punon me fondacionin bamirës Voices of Children, tha se fëmijët në rajon po ritraumatizohen.  Sipas UNICEF-it, konflikti i përshkallëzuar në Ukrainë tani rrezikon 7.5 milionë fëmijë të vendit.  Javën e kaluar, fëmijët janë detyruar të kalojnë netët në bodrume, ndërsa foshnjat kanë lindur në strehimore nën tingujt e bombave.

Të tjerë kanë duruar udhëtime të vështira dhe të gjata në të gjithë vendin pasi familjet ikën për në vende më të sigurta si Polonia, Rumania dhe Moldavia.

“Ne vërtet duam të jetojmë” 

Fëmijët që arrijnë të ikin nga Ukraina po përballen me sfidat e tyre, sipas Irina Saghoyan nga Save The Children. Fëmijët në lëvizje janë një shqetësim i madh, sepse të gjitha familjet udhëtojnë shumë lehtë, kanë pak sende personale”, tha ajo.

Për Lyubov Pavlenkon dhe djalin e saj, Bogdanin, si zgjedhja për të qëndruar apo ajo  për t’u larguar nuk janë të lehta. Ajo ka frikë se nuk do të arrijnë në qytetin perëndimor të Lviv. “Ne duam të jetojmë. Ne vërtet duam të jetojmë,” tha ajo. “Ne duam të rrisim fëmijët tanë dhe të shohim buzëqeshje në fytyrat e tyre, jo lot”.

/pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.