Të të paguajnë për të takuar miqtë gjatë orarit të punës!
08/01/2026 Shpërndaje

Të të paguajnë për të takuar miqtë gjatë orarit të punës!

Kjo po ndodh në Suedi.Vendi po teston një qasje të re dhe inovative për të luftuar vetminë, duke përfshirë drejtpërdrejt bizneset në këtë betejë sociale. Një zinxhir i madh farmacish, Apotek Hjärtat, ka nisur një program pilot të quajtur “Friendcare”, i cili u jep punonjësve kohë të paguar gjatë orarit të punës për të forcuar miqësitë dhe lidhjet sociale.

Nisma vjen në një kohë kur qeveria suedeze po u bën thirrje kompanive private të luajnë një rol aktiv në adresimin e vetmisë, e cila tashmë konsiderohet një problem serioz i shëndetit publik.

Kohë e paguar për lidhje njerëzore

Një nga pjesëmarrëset në programin pilot është Yasmin Lindberg, 45 vjeçe, e cila punon me turne në një farmaci të Apotek Hjärtat në qytetin bregdetar të Kalmarit, në jug të Suedisë.

“Kur kthehem në shtëpi jam shumë e lodhur. Nuk kam as kohë, as energji për të takuar miqtë,” tregon ajo, ndërsa rregullon raftet me ilaçe.

Yasmin e ndan kohën e lirë kryesisht me fëmijët e saj adoleshentë, të cilët jetojnë me të çdo javë të dytë. Megjithatë, ajo pranon se është ndier “mjaft e vetmuar” që prej ndarjes nga partneri katër vite më parë — një ngjarje që solli edhe shkëputjen nga rrethi i përbashkët shoqëror.

Falë programit “Friendcare”, i nisur në muajin prill, Yasmin përfiton 15 minuta në javë, ose një orë në muaj, gjatë orarit të punës, të dedikuara ekskluzivisht për ndërtimin ose forcimin e marrëdhënieve shoqërore.

Kjo kohë mund të përdoret për telefonata, organizimin e takimeve përmes aplikacioneve të mesazheve, apo takime fizike me miq dhe persona të rinj.

“Doja të bëja diçka më të mirë për veten… të shtyja veten të veproja,” thotë ajo. “Ndihem më e lumtur. Nuk mund të jetosh vetëm përmes internetit, siç ndodh sot me shumë njerëz.”

Mbështetje financiare dhe trajnim

Përveç kohës së paguar, të gjithë pjesëmarrësit në projekt kanë marrë edhe 1,000 krona suedeze (rreth 100 dollarë), të cilat mund t’i përdorin për aktivitete që lidhen me miqësinë dhe jetën sociale gjatë eksperimentit njëvjeçar.

Vullnetarët kanë ndjekur gjithashtu trajnime online për të mësuar si të njohin dhe të përballen me vetminë — trajnime që kompania i ka vënë në dispozicion të rreth 4,000 punonjësve të saj në të gjithë Suedinë.

Drejtoresha ekzekutive e Apotek Hjärtat, Monika Magnusson, shpjegon se ideja për “Friendcare” lindi nga bashkëpunimi i mëparshëm me organizatën e shëndetit mendor Mind. Ky bashkëpunim tregoi se edhe bisedat e shkurtra, por domethënëse, mes farmacistëve dhe klientëve mund të reduktojnë ndjenjën e izolimit.

“Kërkojmë të kuptojmë çfarë efekti ka rezervimi i pak kohe çdo javë për të ruajtur marrëdhëniet njerëzore,” shprehet Magnusson.

Programi nuk u drejtohet vetëm personave që ndihen të vetmuar, por edhe atyre që duan t’i kushtojnë më shumë kohë njerëzve të izoluar në rrethin e tyre shoqëror.

Një koncept i ri mirëqenieje

Termi “Friendcare” është një lojë fjalësh me “friskvård”, një përfitim i zakonshëm në vendet e punës në Suedi, i cili u ofron punonjësve fonde pa taksa për aktivitete sportive, fitnes ose masazhe. Disa kompani ofrojnë madje edhe një “orë shëndeti” javore.

“Friendcare ndjek të njëjtën logjikë, por fokusohet tek vetmia dhe marrëdhëniet njerëzore,” shpjegon Magnusson.

Vetmia si problem shëndeti publik

Nisma e Apotek Hjärtat përkon me përpjekjet e qeverisë suedeze për ta sjellë vetminë në qendër të debatit publik. Në muajin korrik, Agjencia e Shëndetit Publik publikoi strategjinë e parë kombëtare për reduktimin e vetmisë, e hartuar me porosi të qeverisë.

Një element kyç i kësaj strategjie është bashkëpunimi më i ngushtë mes bizneseve, bashkive, studiuesve dhe shoqërisë civile.

Ministri i Shëndetësisë, Jakob Forssmed, e ka cilësuar vetminë si një problem serioz shëndetësor, duke iu referuar studimeve ndërkombëtare që e lidhin atë me rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare, goditje në tru dhe vdekje të parakohshme.

Sipas tij, edhe bizneset duhet të shqetësohen, pasi vetmia ndikon si tek punonjësit, ashtu edhe tek klientët, ndërsa rrit kostot e kujdesit shëndetësor dhe mungesat në punë. | BGNES

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.