Të rinjtë e Elbasanit ‘kundër’ trendit të kohës
Balerina Marinela Hysa, e njohur për aktivitetin e gjërë në kërcim ku së fundmi ka shkëlqyer në spektaklin “Amici”, vazhdon të jetë inspirim për të rinjtë që ndajnë të njëjtin pasion me të. Marinela ka një jetë aktive. Ajo tregon për pozitivi.org se së fundmi ka qenë pjesë e jurisë në një garë të zhvilluar midis gjimnazeve në qytetin e Elbasanit. Pjesëmarrja në konkurs i kaloi nëpër mend rrugën që ka përshkuar edhe ajo në fillimet e saj.
Pavarësisht se sot trendi i kohës janë kafenetë, kazinotë dhe interneti gjithmonë ka të rinj që duan ti luftojnë këto akivitete duke promovuar kulturën dhe sportin, siç janë gjimnazistët e Elbasanit në rastin konkret. Marinela shprehet për Pozitivin se në qytetin e Elbasanit të rinjtë janë aktiv në jetën sportive dhe kulturore sakaq shton se ka edhe elemente të shkëlqyer në kërcim gjë të cilën ajo e promovon çdo ditë falë punës së saj.
Marinela Hysa për pozitivi.org:
1.Së fundmi je bërë pjesë e jurisë në një konkurs kërcimi midis gjimnazeve në Elbasan. Na trego pak për këtë eksperiencë, si u bërë pjesë e jurisë?
Së pari ju falenderoj për interesin tuaj. Po është e vërtetë që isha pjesë e një jurie, event të cilin e përjetova me shumë emocion për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse në çdo sekondë më kujtohej vetja ime kur vite më parë kam qënë kërcimtare para një jurie ndërkohë që sot isha vetë anëtare e jurisë. Ky moment i rëndësishëm më shërbeu si retrospektivë për të kaluar nëpër mend gjithë rrugën që kam përshkruar në jetën time për të qënë këtu ku jam sot. Ku sigurisht ka patur stacione të shumta por një kryefjalë, puna. Ndaj përsa i përket pyetjes, më lejoni tju them se e kam përjetuar gjithë konkursin me një super-nostalgji dhe sigurisht, duke parë të ardhmen e kërcimit para syve të mi kjo nostalgji mu kthye në optimizëm.
2.Ti vazhdimisht instrukton në kercim të rinjtë por jo vetëm, si e shikon interesin e te rinjve të Elbasanit për t’u bërë pjesë e aktiviteteve kulturore, në rastin konkret në kërcim?
Është shumë e vështirë që në një kohë si kjo të jesh në drejtim të kundërt të trendit të kohës. Sot është koha e kafeneve, kazinove dhe eurollotove dhe këtë realitet unë kam vendosur modestisht ta luftoj në Elbasan duke hapur palestrën time e cila kur është hapur ka qënë aventura e një njeriu që e kishte kërcimin më shumë pasion se çduhej. Sigurisht që Elbasani ka elemente të shkëlqyer në kërcim dhe besoj jam personi që e sheh çdo ditë këtë fenomen. Pavarësisht se hapi i parë është ardhja në palestër për dobësim, pas pak kohësh vajzat bëhen të jashtëzakonshme në lëvizjet e tyre kjo më jep shpresë se e ardhmja e qytetit do jetë sporti dhe jeta e shëndetshme dhe jo parazitizmi. Sigurisht që do shfryëzoj dritaren tuaj të komunikimit për ti bërë thirrje vajzave nga Elbasani të ushqehen shëndetshëm dhe të mos bëjnë jetë sedentare sepse trupi është i vetmi vend ku janë të detyruara të jetojnë gjithë jetën brenda tij.
3.Si po shkon gara mes gjimnazistëve, a janë të talentuar në kërcim?
Gara mes gjimnazistëve është e fortë por ajo çka duhet të kuptojmë ne është emocioni që ata përjetojnë. Unë e kuptoj shumë mirë çdo të thotë të jesh 16 vjeç dhe të kërcesh para publikut dhe para jurisë. Ndaj na takon ne ti japim zemër të rinjve që ti çojnë performancat e tyre sa më lart. E rëndësishme është që nga kjo garë ata marrin dëshirën për fitore, punën në grup, aftësinë për të konkuruar ndershëm në jetë elemente të cilat të ndihmojnë të jesh i suksesshëm jo vetëm në kërcim por kudo, në punë, në shoqëri, në familje.
4.Çfarë mesazhi ke për të rinjtë përsa i përket angazhimit në aktivitetet sportive dhe kulturor?
Mesazhi për të rinjtë është vetëm një, shpallini luftë të hapur dembelizmit, njihni fuqinë e vetes suaj sepse ky është sekreti i të qenit i lumtur. Personalisht ushtrohem në palestër paradite dhe në kërcim mbasdite dhe jua them me gojën plot, kam gjetur kuptimin e jetës.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.






