Kamerat e sigurisë në duart e policisë, Nasto: Godasin biznesin e vogël, kosto dhe “hasmëri” me kriminelët
23/05/2022 Shpërndaje

Kamerat e sigurisë në duart e policisë, Nasto: Godasin biznesin e vogël, kosto dhe “hasmëri” me kriminelët

Kamerat e sigurisë në ambientet publike, si ato të bizneseve, të bashkive në qytete, apo institucioneve, do të lidhen të gjitha në një hartë dixhitale. Me krijimin e këtij sistemi të ri, planifikohet që policia mund të kontrollojë në kohë reale kamerat duke sjellë reagim më të shpejtë të policisë në zbulimin e autorëve që kanë bërë shkelje dhe vepra të ndryshme penale.

Por ky tender i shpallur nga Agjencia Kombëtare e Shoqatës së Informacionit me vlerë 100 milionë lekë të rinj është i pa pranueshëm për biznesin e vogël.

A e cenon privatësinë harta digjitale për hapësirat publike që mbulohen me kamera sigurie në të gjithë territorin?Vendosja e një kamere sigurie a do të sjellë kosto shtesë për biznesin e vogël?Kush do të merret me mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë? A mund të lindin konflikte mes bizneseve dhe autorëve të veprave penale për pamjet e filmuara ose të publikuara në media?

Në një intervistë të dhënë për Pozitivi.org shoqata e biznesit të vogël thekson se është e pamundur që kamerat e tyre të sigurisë të monitorojnë hapësirat publike. Kreu i kësaj shoqate, Albert Nasto thotë se në një kohë që biznesi i vogël përballet me pasojat e pas pandemisë, vendosja e kamerave për to do të ishte kosto shtesë.

Nasto ka evidentuar disa faktorë që sipas tij cënojnë biznesin e vogël përmes këtij projekt ligji. Një prej tyre është cënimi i privatësisë.

“Është cënim privatësie dhe tjetra ka një kosto shumë të lartë, s’dihet se ku shkon dhe se kush do t’i menaxhojë. A ka bërë qeveria shqiptare një model, i kujt është ky model apo janë goxha milionë euro kamera për t’u shitur dhe kjo këtu mbaron. Ka shumë biznese që abuzojnë duke e drejtuar kamerën nga rruga e sheshi që është në kundërshtim me të drejtën e privatësisë. Ne s’kemi privatësi. Pastaj lindin debate, u zunë te blloku, u vranë, dhe thonë që e nxorën kamerat e sigurisë së X subjekti. Ne po shikojmë se ka elementë anti kushtetues ky tender. Ç’është ky monitorim shteti! Sipas të dhënave që kemi ne do ta monitorojë shteti. Pse nuk diskutojnë me ne me grupet e tjera me dhomat e tregtisë që ka Shqipëria, dhomat e huaja dhe shqiptare?”.  

Krahas cënimit të privatësisë sipas Nastos tenderi është korruptiv, pasi nuk ka transparencë dhe bëhet fjalë për miliona. “Tenderi, miliona e miliona. Ne më shumë e kemi te tenderi korruptiv që do bëhet, që ka të bëjë me shumë miliona euro brenda. Kamerat që do shiten nuk e di sa do jenë, çfarë cilësie do kenë sepse kamerat mbajnë 10 ditë, 20 ditë, 30 ditë, një muaj e 6 muaj. Sa do mbajë kjo kamer?”.

Një tjetër shqetësim që për biznesin e vogël është i rëndësishëm, sipas Nastos ka të bëjë kostot shtesë. “A mundemi që në këtë kohë krize si biznese të na futet dhe ky telash në kohë mbijetese? Se kryeministri thotë se do ketë kosto zero. Po si s’do ketë kosto për ne, do ketë sepse do të blesh një kamer dhe do ta mirëmbash. Po nga ana e biznesit do të jenë të gjitha çfarë bëhet. Edhe serviset edhe mirëmbajtjet, të gjitha do jenë nga jonë. Do paguash çdo muaj internet. Dhe në cilat vende do jetë ky? Për të gjitha? Në një zonë fshati në një lagje që ka 2 shtëpi. Nëse në projekt ligj nuk është e specifikuar do të thotë që do të vendoset te të gjithë. Ligji thotë kështu me sa di unë, kamerat hapen në raste shumë të rënda. Këta tani e marrin dhe kur vidhet një biçikletë. Vjen i plotfuqishmi futet në dyqanin tënd dhe e merr”, shtoi ai.

Duke pasur informacionin digjital për pozicionin e kamerave të sigurisë dhe zonën e tyre të mbulimit, Policia e Shtetit e ka më të lehtë identifikimin dhe kërkimin e pamjeve filmike për zona të caktuara në rastet e hetimit të krimeve të ndryshme. Por shpesh kemi parë që këto pamje filmike përfundojnë në duar të medias. Kjo sipas Nastos është një tjetër problem që mund të shkaktojë konflikte mes bizneseve dhe autorëve të veprave penale.

“Mund të krijojë përplasje mes autorëve të veprave penale dhe pronarëve të bizneseve. Kjo është një pikë akoma më e vështirë dhe e rrezikshme. Do lindin konflikte”.

Ndonëse tashmë është bërë fakt që ky tender do të zbatohet, Nasto thotë se ligjin do e ankimojnë sepse sipas tij ka elementë që bien ndesh me Kushtetutën. “Unë po bisedoj me një jurist shumë të mirë dhe do ta çojmë në Gjykatë. Ka shumë elementë që bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë”.

Në mbarë vendin, prej vitesh kanë nisur të instalohen kamera në rrugët kryesore me qëllim ruajtjen e sigurisë publike. Po ashtu, janë dhe shumë biznese e individë, që kanë instaluar kamera që monitorojnë hapësirën publike. Por, të gjithë bashkë ende nuk janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën në rang kombëtar. Në sistemin e ri për çdo kamera të instaluar do të ketë informacion të detajuar për vendndodhjen dhe subjektin që e zotëron atë kamer.

Intervista me Albert Nasto

Në Shqipëri pritet të krijohet një hartë dixhitale me të gjitha kamerat e sigurisë që mbulojnë hapësirat publike, që do të jetë në menaxhim nga Policia e Shtetit. Sipas projekt ligjit kamerat e sigurisë në ambientet publike, si ato të bizneseve, të bashkive në qytete, apo institucioneve, do të lidhen të gjitha në një hartë dixhitale. Si shihet ky projektligj nga ana e biznesit të vogël?

Albert Nasto: Është cënim privatësie dhe tjetër ka një kosto shumë të lartë s’dihet se ku shkon dhe se kush do t’i menaxhojë. A ka bërë qeveria shqiptare një model, i kujt është ky model apo janë goxha milionë euro kamera për t’u shitur dhe kjo këtu mbaron.

Qeveria duhet të japë llogari njëherë sa kamera ka vënë vetë për të ruajtur ambientin publik dhe pastaj të kalojë te biznesi se po bëhemi si në Rusi. Çdo ministër merr dhe bën një projektligj pa u konsultuar me askënd, me asnjë grup interesi.

Unë mund ta vë për interesin tim. Ka shumë biznese që abuzojnë duke e drejtuar kamerën nga rruga e sheshi që është në kundërshtim me të drejtën e privatësisë. Ne s’kemi privatësi. Pastaj lindin debate, u zunë te blloku, u vranë, dhe thonë që e nxorën kamerat e sigurisë së X subjekti.

Ne po shikojmë se ka elementë anti kushtetues. Unë po bisedoj me një jurist shumë të mirë dhe do ta çojmë në Gjykatë. Ka shumë elementë që bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe një ndër elementët është privatësia.

Sikur kamerat t’i ketë të tijat shteti apo bashkitë tona, shteti duhet të marrë leje në dyqanin tim përpara se të vendosë kamera. Sepse mund të lindin debate të shumta për arsye sepse u shkelet e drejta, dhe lindin konflikte hasmërie kur televizionet, publikojnë pamje të dala nga policia. Mediat pastaj thonë që është marrë kamera e sigurisë në x biznes.

Pse shkelin të drejtën time. Vërtet ka kamera në Amerikë, Angli në shtete të tjera demokratike, ka kamera por i vendos në shesh, monitoron sheshin dhe sheshi s’duhet të më kapë mua si subjekt.

Pra kushti juaj është që kamerat që mos filmojnë subjektet private?

Albert Nasto: Brenda biznesit jo njëherë, por me këtë projekt ligj, do jetë brenda e jashtë dhe do ta monitorojë shteti. Ç’është ky monitorim shteti. Ç’a janë këta sovjetikë që na mbinë në Shqipëri. Sipas të dhënave që kemi ne do ta monitorojë shteti. Pse nuk diskutojnë me ne me grupet e tjera me dhomat e tregtisë që ka Shqipëria, dhomat e huaja dhe shqiptare. Pse nuk ngre një tavolinë, në media po rrinë si cuba, cuba të fëlliqur nga korrupsioni. Tenderi miliona e miliona. Ne më shumë e kemi te tenderi korruptiv që do bëhet, që ka të bëjë me shumë miliona euro brenda. Kamerat që do shiten nuk e di sa do jenë, çfarë cilësie do kenë sepse kamerat mbajnë 10 ditë, 20 ditë, 30 ditë, një muaj e 6 muaj. Sa do mbajë kjo kamer? A mundemi që në këtë kohë krize si biznese të na futet dhe ky telash në kohë mbijetese? Se kryeministri thotë se do ketë kosto zero.

Ju mendoni se do ketë kosto shtesë për biznesin?

Albert Nasto: Po si s’do ketë kosto sepse do të blesh një kamer dhe do ta mirëmbash. Mirëmbajtja do jetë nga ana e biznesit. Nga ana e biznesit do të jenë të gjitha çfarë bëhet. Edhe serviset edhe mirëmbajtjet, të gjitha do jenë nga jonë. Do paguash çdo muaj internet. Dhe në cilat vende do jetë ky? Për të gjitha? Në një zonë fshati në një lagje që ka 2 shtëpi. Nëse në projekt ligj nuk është e specifikuar do të thotë që do të vendoset te të gjithë.

Ligji thotë kështu me sa di unë. Në raste shumë të rënda. Këta tani e marrin dhe kur vidhet një biçikletë. Vjen i plotfuqishmi futet në dyqanin tënd dhe i merr pamjet. Këta e kanë katandisur këtë biznes që nuk di nga të ruhet.

Në një kohë që duhet ta ndihmojë me çdo mënyrë dhe me çdo mjet. Të gjenden mënyra. Të marrë shembull Kosovën, Maqedoninë e shtete të tjera se si po ndihmohet biznesi në këtë kohë lufte, efektet negative ekonomike që po jep sidomos në Shqipëri. Këta kanë luajtur mendsh por po na lodhin dhe ne mendsh.

Krahas kostove dhe privatësisë, çfarë problemesh të tjera sjell për biznesin sistemi i kamerave?

Albert Nasto: Mund të krijojë përplasje mes autorëve të veprave penale dhe pronarëve të bizneseve. Kjo është një pikë akoma më e vështirë dhe e rrezikshme. Do lindin konflikte. Kush del media e thotë se asaj medie kush ia ka dhënë, po pushtetarët ia kanë dhënë, policia. A kemi besime ne? Jo, zero besim me këtë polici. E si do mbajë ai atë sekretin hetimor e të dhënat private. Sepse në Amerikën dhe vende të tjera ruhet anonimati, kurse këtu del në pazar të sheshin dhe të blejnë sa të duan. Shqipëria në radhë të parë të bëjë detyrat e veta, në çdo vend që e cilëson si të rrezikshme. Në këto kohë krize nuk është e pranueshme.

A është përmirësuar situata për biznesin e vogël pas pandemisë?

Albert Nasto: Apsolutisht jo! S’na kanë dhënë asnjë ndihmë. Në këtë kohë kur çmimet e karburantit, energjisë, ujit janë rritur do ketë pasoja te bujqësia te prodhimi te furrat e bukës etj.

Albert Nasto: Ne s’po përdorim dot makinat private që i kemi për punë. Le çfarë thotë ministrja e cila thotë 80% i përdorin për qejf makinat. Jo moj jo 80% i përdorin për punë.

Sa do ta ndihmojë sezoni turistik biznesin e vogël?

Albert Nasto: Nëse vazhdon kështu me këto hapa sezoni turistik, me çfarë kemi parë në media dhe nga kontaktet me bizneset, hotelet buzë detit etj, nëse vazhdojnë me këtë rritje çmimesh, më duket se po godasim veten tonë. Do ndihmojë pak. Ne duhet të kemi kujdes me turizmin.

Unë do doja që kryeministri të bëjë një konsultim publik me ne grupet e interesit.  Jemi në depresion politik, ekonomik etj. Kjo është e turpshme. Është e turpshme tani që të mbyll një dyqan që kam 25 vjet që punoj se do më vërë kamera sigurie. Unë do mbaj përgjegjësi si privat për xhamin tim derën time dhe brenda por jo të ma monitorosh ti. Privatësia është gjithçka. Çfarë privatësie ruhet këtu kur para ca muajsh u bënë publike të gjitha pagat.

/Nga Beklie Koltraka

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.