
STUDIMI / SHKRIMI ME DORË PËRMIRËSON MËSIMIN DHE KUJTESËN TE FËMIJËT DHE TË RRITURIT
Një studim i fundit i kryer nga hulumtuesit në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë (NTNU) ka zbuluar se fëmijët që shkruajnë me dorë mësojnë dhe kujtojnë më efektivisht se ata që përdorin kompjuterë ose pajisje të tjera për të mbajtur shënime. Studimi gjithashtu theksoi se përfitimet e shkrimit me dorë ndihen edhe te të rriturit.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Profesoresha Audrey van der Meer dhe ekipi i saj, ka shqyrtuar ndikimin e shkrimit me dorë në aktivitetin e trurit. Ndërsa studimet e mëparshme ishin përqëndruar te të rriturit, ky studim për herë të parë përfshiu edhe fëmijët, duke zgjeruar kuptimin e se si shkrimi me dorë ndikon në mësimin dhe kujtesën.

Studimi përfshiu përdorimin e EEG (elektroencefalografisë) për të regjistruar dhe monitoruar aktivitetin e valëve të trurit. Pjesëmarrësit veshën një kapelë me më shumë se 250 elektroda të vendosura në sipërfaqen e jashtme të kokës.
Rezultatet treguan se truri te të rriturit dhe fëmijët është shumë më aktiv kur shkruan me dorë në krahasim me shkrimin në tastierë.
“Shfrytëzimi i penës dhe letrës jep trurit më shumë impulse,” tha Van der Meer. “Shkrimi me dorë krijon shumë më shumë aktivitet në pjesët e ndjeshme të trurit.”
“Duke shkruar në letër aktivizohen më shumë ndjesitë. Gjithashtu ndikon shikimi I gërmave që shkruani dhe tingulli që bëni gjatë shkrimit me dorë”.
“Këto përvoja të ndjesive krijojnë kontakt midis pjesëve të ndryshme të trurit dhe hapin rrugën për mësim. Ne mësojmë më mirë dhe mbajmë mend më mirë.”
Edhe pse kompjuterët dhe smartphone-t janë bërë zgjedhja kryesore për të gjitha brezat, grupi më i ri ka kaluar gjithë jetën me pajisjet dixhitale.
Sipas Akademisë Amerikane të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve, fëmijët në moshën 8 deri 12 vjeç shpenzojnë katër deri në gjashtë orë me pajisje elektronike, ndërsa adoleshentët deri në nëntë orë. Shumica e shkollave në vend kanë zhvilluar edhe mësimin online, prandaj fëmijët në atë periudhë kanë kaluar edhe më shumë kohë se mesatarja. Që nga viti 2010, 45 shtete kanë pranuar standardet Common Core, të cilat lënë mësimin e shkrimit me dorë në dorë të shteteve. Si rezultat, shumë mësues kanë kaluar te lapsi e letra duke shmangur tastierën.
Artikullin original e lexoni këtu.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.