Si të planifikosh familjen?
28/11/2020 Shpërndaje

Si të planifikosh familjen?

Ka ende paragjykime për të folur hapur mbi përdorimin e kondomit apo metodave kontraceptive pavarësisht se shoqëria shqiptare po ecën gjithnjë e më tepër hapa drejt emancipimit dhe kontaktet me vendet më të zhvilluara janë më të shpeshta. Mungojnë studimet mbi përdorimin e metodave mbrojtëse si pjesë e planifikimit familjar dhe shëndetit seksual dhe cilat janë hapat që duhet të ndjekin prindërit e rinj apo partnerët në këtë drejtim.

Madje në kërkimet e rastësishme në internet gjenden në mënyrë të cunguar mënyra të përdorimit të kondomit apo kontraceptivëve por jo informacione të detajuar me rëndësi për mbrojtjen e shëndetit të partnerëve dhe rëndësinë e planifikimit familjar. Mjeku i familjes mund të këtë një rol të rëndësishme në këtë pjesë, por ky sistem në Shqipëri është ende i pa konsoliduar tërësisht dhe situata në zonat rurale është edhe më problematike kur flitet për mungesë të bluzave të bardha në sistemin shëndetësor. Referuar të dhënave në nivel ndërkombëtar, në vitin 2015, studimet tregojnë se 64% e grave të martuara ose në bashkëjetesë në botë përdornin një formë kontracepsioni.

Por, të paktën 1 në dhjetë gra të martuara në shumë rajone të botës kanë nevoja të paplotësuara për sa i takon përdorimit të metodave mbrojtëse të marrëdhënieve seksuale.

Për sa i takon situatës në Shqipëri, niveli i përdorimit të metodave moderne kontraceptive është ende i ulët krahasuar me vende të tjera, dhe larg objektivave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Të dhënat e studimit demografik dhe Shëndetësor (ADHS, 2008/09) dhanë një panoramë të qartë se njohuritë mbi metodat e planifikimit familjar janë thuajse të plota në Shqipëri, ku rreth 99% e të intervistuarve të moshës 15-49 vjeç njohin të paktën një metodë të planifikimit familjar moderne apo tradicionale. Po i njëjti studim nxorri në pah se femrat janë më tepër të informuara se meshkujt në lidhjet me metodat mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale.

Studimi i kryer në vitet 2008-09 bën me dije se vetëm 10.6% e grave të martuara në Shqipëri kanë përdorur një metodë moderne kontraceptive, kundrejt 58.7% që kanë përdorur një metodë tradicionale.

Për UNFPA, planifikimi familjar është jetik për një zhvillim të qëndrueshëm për çdo shoqëri. Prandaj, programet e planifikimit familjar, përfshirë metodat moderne kontraceptive, mbështesin çifte dhe individë për realizimin dhe ushtrimin e të drejtës së tyre themelore për të vendosur lirisht dhe me përgjegjësi nëse, kur, dhe sa fëmijë të kenë.

Në Shqipëri, që nga viti 1997, të gjitha shërbimet e planifikimit familjar të ofruara falas në sektorin publik janë të integruara në sistemin shëndetësor në të tre nivelet (niveli primar, sekondar dhe terciar). Në sistemin publik, këto shërbime ofrohen në 430 qendra të planifikimit familjar, përfshirë qendrat e konsulencës për gratë, maternitetet dhe qendrat shëndetësore në nivelin lokal. Në zonat urbane, shërbimet e planifikimit familjar, përveç qendrave të këshillimit të grave, ofrohen edhe në maternitete, spitalet e rretheve dhe ato rajonalë, dhe spitalet universitare (niveli terciar – vetëm në Tiranë).

Në të kundërt, në zonat rurale, shërbimet e planifikimit të familjes ofrohen në qendrat shëndetësore dhe në ambulanca.

 Në këto rrethana, Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e UNFPA, ka filluar përpjekjet për të miratuar konceptin e “Qasjes totale të Tregut” për sigurinë kontraceptive.

Përdorimi i metodave kontraceptive ka rëndësi jetike për nënën dhe fëmijën.

Përdorimi i kondomëve dhe kontraceptive do të mënjanonte shtatzënitë e paplanifikuara si dhe mbrojtjen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, HIV dhe AIDS nëpërmjet edukimit shëndetësor dhe mjeteve kontraceptive që ndikojnë në parandalimin e tyre.

 Për shumë gra, përfshirë edhe ato që dëshirojnë të kenë fëmijë, kontracepsioni nuk është një zgjidhje; është një e drejtë dhe nevojë bazë shëndetësore. Sipas specialistëve të shëndetësisë, planifikimi familjar vullnetar duke përdorur metoda të sigurta dhe efektive kontraceptive, ofron përfitime të mëdha në aspektin shëndetësor ekonomik dhe social për familjet dhe komunitetin.

Referuar UNFPA, 217 mln gra në të gjithë botën janë përgjigjur në pyetësor se do të donin të shmangnin shtatzëninë por nuk kanë përdorur metoda të sigurta në planifikimin familjar. Kjo për arsye se mungon informacioni ose shërbimet në sistemet shëndetësore. Në të gjithë botën po punohet për të siguruar furnizim të qëndrueshëm të kontraceptivëve, duke reduktuar kostot, duke investuar në shërbimin shëndetësor dhe duke financuar politikat mbështetëse të planifikimit familjar.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.