Si të menaxhoni ankthin para provimeve
Sezoni i provimeve ka nisur, si për maturantët ashtu edhe për studentët. Duke qenë se rezultatet e provimeve dhe testeve janë kaq të rëndësishme, është e natyrshme që një nxënës/ student të ndjehet i stresuar në prag të ditës së madhe. Psikologia Ilirjeta Metushi përcjell përmes Pozitivi.org disa këshilla se si të përballoni stresin dhe ankthin para provimeve që të arrini rezultatet që doni. Ankth, pagjumësi e depresion, gjithçka iu ndodh para provimeve dhe pasojat janë të dëmshme për shëndetin dhe për rezultatet. Merrni disa këshilla!
A rritet niveli i stresit-ankthit te studentët para provimeve?
Ilirjeta Metushi: Sezoni i provimeve ka qenë dhe do të mbetet një nga etapat kurorëzuese të studimeve. Të gjithë e dimë se para një provimi prezenca e emocioneve si frika, pasiguria nuk mungon por mënyra sesi secili prej nesh e përjeton bën ndryshimin.
Disa studentë janë të ndjeshëm, disa të tjerë janë të veshur me perfeksionizëm dhe në këtë rast reagimi ndryshon por në secilin rast niveli i stresit rritet dhe manifestohet në shumë mënyra në bazë të temperamentit të individit.
Si ndikon stresi apo ankthi në rezultate?
Ilirjeta Metushi: Sigurisht që ndikon dhe në rezultate pasi që rritet mënyra se si procesohet emocioni. Në mënyrë automatike rriten rrahjet e zemrës, krijohet një hendek mes kompetencave tona dhe asaj që përjetojmë.
Mësuesit dhe pedagogët, a mendon se mund të luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e nivelit të ankthit përpara se ata të hyjnë në provim?
Ilirjeta Metushi: Në mënyrë absolute stafi akademik ndikon dhe mundet të identifikojë raste të tilla. Disa hapa që duhet të ndjekin janë:
Bisedë interaktive para leksionit;
Dialogim me studentët, nxënësit për të analizuar gjendjen psikologjike të tyre;
Ndërveprime me ta, të qenurit të komunikueshëm dhe tolerantë përballë këtij fenomeni;
Bashkëpunim me psikologun e institucionit përkatës;
Nga eksperienca ime në punë jam e lumtur të theksoj se bashkëpunimi i pakushtëzuar ka qenë ndihmues në këtë drejtim.
Po studentëve çfarë këshillash do t’u jepje për të menaxhuar ankthin që vjen para provimeve?
Ilirjeta Metushi: Fokus te pikat kryesore;
Mos të mesojnë përmendësh;
Të punojnë me frymëmarrjen e barkut;
Të qenurit protagonist, pra askush tjetër s’e di më mirë punën time;
Gjithmonë ujë me vete;
Një ditë para shëtitje në natyre apo buzë detit;
Përsëritje e informacionit para miqve apo prindërve
Gjithashtu para pasqyrës përsëritje.
Cilat janë pasojat e stresit/ankthit nëse nuk menaxhohet si duhet?
Ilirjeta Metushi: Pasojat mund të jenë të shumta dhe mund të manifestohen psikologjikisht, fiziologjikisht etj. Nëse një individ kalon për një periudhë të gjatë stres ose ankth pasojat mund të jenë fatale për jeten e tij deri në distancim total social, burnout etj
A ka faktorë të jashtëm që mund ta përkeqsojnë akoma më shumë nivelin e ankthit në atë periudhë?
Ilirjeta Metushi: Sigurisht që ka, faktorët e jashtëm janë ndikues sidomos te individët që nuk kanë një vetërregullim emocional të fortë. Sa me pak vetëbesim të kemi aq më shumë ndikohemi nga faktorët e jashtëm si shoqëri, pritshmëritë e familjes. Do theksoja që faktorët e jashtëm janë si centrifuge për proceset mendore të njeriut.
A kani ndonjë rast specifikt të ndonjë studenti për të treguar që lidhet me këtë temë
Ilirjeta Metushi: Eksperienca në punë më ka përballur me raste të ndryshme dhe shpeshherë kam thënë me vete, a ka më vallë, si jetojnë keta njerëz me kaq shumë pesha?
Më kujtohet një student i cili ishte para provimeve dhe gjendja e tij psiko emocionale ishte shumë e rënduar. E ndanin vetëm disa ditë nga sezoni i provimeve. Në pamje të parë jeta e tij ishte e veshur me një perfeksion mbytës i cili të verbonte por në të vertet ishte bosh. Pasi u bë vlerësimi përkatës vendosëm të fillonim terapinë së bashku dhe provimi i tij i parë ishte një sukses i vertet dhe pse me pasiguri. Theksoj ishte një student ekselent por maska e perfeksionit i kishte zbehur kapacitetet e tij.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
