Si të krijoni politika të rrjeteve sociale dhe përse është e rëndësishme për redaksitë?
22/02/2020 Shpërndaje

Si të krijoni politika të rrjeteve sociale dhe përse është e rëndësishme për redaksitë?

Rrjetet sociale sot luajnë rol të rëndësishëm në çdo veprimtari. Edhe pse individët, duke u përpjekur ta ruajnë privatësinë e tyre, për vite me radhë u shmangen rrjeteve sociale, në botën e zhvillimit digjital këto rrjete janë bërë të pashmangshme. Arsyet janë komunikimi afarist unik, më i lehtë e më i shpejtë. 

Nëse jeni gazetar, vështirë do t’u shmangeni rrjeteve sociale. Sot duhet të komunikoni individualisht me publikun dhe ta plasoni përmbajtjen për të qenë unikë, ngase njerëzve u pëlqen të komunikojnë me autorin e përmbajtjes të cilën e lexojnë. Çdo formë e sjelljes në rrjetet sociale është shumë e rëndësishme për imazhin e medias suaj.  Një gabim, një botim i pamenduar i përmbajtjes që nuk është në përputhje me misionin tuaj, dhe publiku do t’ju gjykojë, e kjo do të ndikojë shumë në përhapjen e medias suaj. Për të mos ardhur deri te kjo, ka lindur ideja e përdorimit të politikave për rrjetet sociale. 

Rrjetet sociale luajnë rol të rëndësishëm në gazetari.

Në platformat sociale gazetarët, pavarësisht se cilin rol e luajnë, mund ta promovojnë punën e tyre, të japin informata të përditësuara çdo minutë, të sjellin burime të reja, të bisedojnë me publikun, të marrin kritika adekuate për punën e tyre, si dhe të eksperimentojnë me format e reja të komunikonit.

New York Times (NYT)  në udhëzuesit për politika të rrjeteve sociale thotë se lexuesit e tyre mund të përfshihen aktivisht dhe të japin kontribut në raportim, si dhe përmes rrjeteve sociale të tërheqin publik të ri. I kanë ftuar gazetarët dhe të punësuarit t’u përmbahen këtyre udhëzuesve, sepse rrjetet sociale paraqesin rrezik për NYT. 

“Nëse gazetarët raportojnë njëanshëm apo futen në diskutime në rrjete sociale, kjo mund të ndikojë në besueshmërinë e tërë redaksisë. Gjithmonë kemi bërë me dije se të punësuarit nga redaksia jonë duhet t’i shmangen plasimit të çfarëdo përmbajeje në rrjete sociale që dëmton reputacionin tonë, me qëllim të neutralitetit dhe korrektësisë”, thonë nga NYT-ja. Tërë përmbajtjen e udhëzimeve mund ta lexoni këtu

Rëndësia e politikave të rrjeteve sociale pasqyrohet në dy drejtime. I pari është aspekti organizativ, ndërsa i dyti ka të bëjë me rregullimin e sjelljes dhe veprimeve të të punësuarve.  

Aspekti organizativ nënkuton ndarjen e qartë mes punëve dhe përgjegjësive për krijimin e përmbajtjes, publikimin në rrjete sociale dhe komunikimin me publikun. 

Përveç kësaj, sjellja në rrjete sociale duhet të jetë në përputhje me politikat redaktoriale. Politikat redaktoriale të secilës media është me rëndësi kyçe për lexueshmërinë e tyre. Për shembull, nëse jeni gazetar i ndonjë portali të pavarur, publikimet në kanalet tuaja private duhet të jenë në përputhje me politikën e medias suaj. Qëndrimi juaj personal për ndonjë ngjarje shpesh mund të ndërlidhet me median ku ju punoni. Andaj duhet të ekzistojë politika e qartë për rrjete sociale që të mos dëmtohet reputacioni i medias. 

Çka duhet të përmbajë secila politikë për rrjete sociale dhe si ta zhvilloni atë në median tuaj? 

Synimi dhe qëllimet e politikave të rrjeteve sociale

Politikat e rrjeteve sociale duhet ta kenë synimit e tyre. Disa media duan të tërheqin publik të ri, disa kërkojnë sigurinë e informacioneve të tyre, e disa megjithatë vetëm kërkojnë ta ruajnë reputacionin e tyre. Nëse mendoni vetëm për njërin prej këtyre segmenteve, politika juaj do të jetë efektive. Për shembull, nëse dëshironi të tërhiqni publik të ri dhe klikime të reja, rrjetet sociale ofrojnë një gamë manipulimesh.Ekzistojnë grupe në Facebook që janë vetëm për like dhe klikime për të krijuar perceptime imagjinare në lidhje me lexueshmërinë e medias suaj. Nëse ju interesojnë vetëm shifrat, njerëzit këtë mund ta keqpërdorin. Në fund mund t’i shihni rezultatet me shifra, por jo edhe pasqyrën reale të suksesit tuaj.  Për t’iu shmangur manipulimeve potenciale, synimi i politikës suaj për rrjete sociale duhet të ketë:  

  • Rregulla dhe procedura të qarta të shfrytëzimit të faqeve zyrtare dhe të mediave në rrjetet sociale;
  • mbrojtje të reputacionit;
  • përgjegjësi;
  • interaksion me publikun. 

Me rastin e zhvillimit të synimit të politikave tuaja, bazohuni në vlerat themelore të medias suaj, në misionin dhe vizionin tuaj, derisa synimi përfundimtar i politikës do të ishte raportimi profesional dhe i paanshëm.  

Faqes zyrtare në rrjete sociale – përgjegjësitë dhe rregullat  

Pasi t’i keni caktuar qëllimet dhe synimin e politikave tuaja, duhet të caktoni personin i cili do t’i mbikëqyrë dhe do t’i zbatojë ato politika. Për zbatim duhet të jetë redaktori, e për monitorim do t’ju duhet një person i pavarur – shpesh ky person është zyrtari për komunikim i cili kujdeset për të gjitha rrjetet sociale apo ekipi i marketingut i cili kujdeset për imazhin e medias. Duhet ta caktoni një person përgjegjës për krijimin, mirëmbajtjen dhe fshirjen e përmbajtjes nga rrjetet sociale, si dhe të vendosni se cila përmbajtje mund të jetë në rrjete sociale. Sot shpesh shohim shumë përmbajtje fyese dhe komente të pavend në rrjete sociale, si dhe diskutime të cilat prodhojnë situata shumë të pakëndshme. Nëse krijoni politika dhe e keni një person i cili menaxhon me komente, atëherë do të kujdeseni që të largohet përmbajtja e pavend. Në rast se nuk e keni një person të caktuar për këtë detyre, ju këshillojmë që gazetarët e redaksisë suaj ta bëjnë monitorimin e komenteve nëpër rrjete sociale që lidhen me artikujt që ata i kanë botuar. Çdo përmbajtje e cila publikohet duhet të ketë aspekte të qarta marketingu dhe të PR-së e të cilat janë në përputhje me politikat e mediave. Për shembull, kush është përgjegjës për krijimin e video përmbajtjes, kujt do t’i drejtohet ai person, kush është përgjegjës për krijimin e fotografive. Puna në media kërkon strukturë të qartë organizative, dhe në fund edhe përgjegjësi karshi punës. Ekzistojnë shumë rregulla e procedura, por filloni t’i krijoni ato sipas mundësive dhe resurseve tuaja. 

Standardet etike dhe standardet më të larta të gazetarisë

Politikat tuaja të rrjeteve sociale duhet të jenë në pajtim me kodet dhe ligjet të cilat rregullojnë fushën e medias, si dhe në pajtim me kodet të cilat janë krijuar brenda vetë mediave. Këto rregulla janë jashtëzakonisht të rëndësishme kur flasim për dukuritë siç është plagjiatura, raportimi i njënashëm, vjedhja e identitetit, vjedhja e të drejtave të autorit, plasimi i shakave të pavend… Sa i përket përdorimit individual të llogarive personale të të punësuarve në media, pronarët e mediave apo redaktorët duhet ta respektojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve të tyre, por duhet të ekzistojnë edhe rregulla të qarta që ato shprehje të mos e cënojnë reputacionin e mediave në të cilat ata punojnë. Politikat e rrjeteve sociale të redaksisë suaj duhet të synojnë inkurajimin e të punësuarve që ata të jenë të përgjegjshëm  dhe profesionalë. 

Mbrojtja dhe siguria e mediave në epokën digjitale

Kur krijoni politika për rrjete sociale, ato duhet të përmbajnë segmentin e mbrojtjes si të mediave ashtu edhe të të punësuarve. Elementin e mbrojtjes e zhvilloni me kolegët nga fusha e TIK-ut të cilët i mirëmbajnë serverët dhe pajisjet tuaja. Për të mos ardhur deri te thyerja e sigurisë, apo deri te publikimi pa dashje i informacioneve të besueshme nga ana e të punësuarve tuaj, ju mund të ndërmerrni masa radikale për të ndaluar shkëmbimin e çfarëdo informacioni që nuk është pjesë e komunikimit intern.  Le të jenë politikat tuaja për rrjete sociale mësim i vazhdueshëm dhe avancim i të punësuarve tuaj, sepse vetëm ashtu do të jeni të sigurtë se ata nuk do të përhapin dokumente apo pubilkime të cilat do të mund ta shkatërronin reputacionin e medias suaj. 

Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale

Sot, nëse gazetarët tuaj nuk përdorin rrjete sociale në mënyrë aktive, dhe nëse nuk kanë interaksion me publikun, nuk do të keni media sipas standardeve të larta që kërkon tregu i ditëve tona. Vendosni rregulla të qarta se çka kërkoni nga interaksioni – a është kjo të tërhiqni publik të ri apo diçka tjetër. Të punësuarit tuaj duhet të jenë të sinkronizuar në rrjete sociale. Sot, redaksitë duken të unifikuara, kanë fotografi unike, hashtagë unikë, dhe kanë komunikim të unifikuar me publikun. Kujdesuni ta zhvilloni këtë segment me gazetarët dhe të punësuarit tuaj. Kërkoni të dini se çka është më e rëndësishme për ta, çka u sjellin më së shumti rrjetet sociale, dhe kështu do të dini se cilat standarde të vendosni. Këtë segment duhet ta zhvilloni me kolegët të cilët janë përgjegjës për PR dhe marketing. Njëri prej aspekteve kyçe është zhvillimi i sistemit të komunikimit në rast krize, që nëse gazetari futet në çfarëdo diskutimi individualisht, ai mund t’i shkaktojë dëm të madh krejt medias. 

Filloni që sot të zhvilloni politika të rrjeteve sociale që ta përmirësoni dhe ta forconi organizimin dhe komunikimin tuaj.  /Balkansmedia

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.