Shtimi i martesave të të miturve, drejtorja e UNFPA: Shqipëria të përmirësojë kuadrin ligjor
01/07/2020 Shpërndaje

Shtimi i martesave të të miturve, drejtorja e UNFPA: Shqipëria të përmirësojë kuadrin ligjor

Alanna Armitage, Drejtore Rajonale e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore tha në një intervistë për Euronews Albania se nga një studim i fundit në Shqipëri vihet re shtimi i numrit të vajzave që martohen nën 18 vjeç.

Drejtorja e UNFPA, e cila është e angazhuar prej 25 vitesh për promovimin e vajzave dhe grave theksoi se “martesa e fëmijëve i vendos bashkëshortët fëmijë dhe veçanërisht vajzat e martuara, në rrezik të dhunës në familje, abuzimit seksual dhe përdhunimit dhe mohimit të aksesit në arsim”.

Sipas saj, kjo praktikë ka ndikime gjatë gjithë jetës në shëndetin fizik dhe mendor dhe mirëqenien që shtrihet deri në moshën madhore, kontribuon drejt niveleve më të larta të vdekshmërisë foshnjore dhe amtare.

Sondazhi i fundit i Demografisë dhe Shëndetit në Shqipëri (ADHS) i realizuar në 2017-2018 tregon një rritje të numrit të grave të moshës 20-49 vjeç të martuara nën moshën 18 vjeç, nga 9% në 11% dhe nga 1% në 2% tek djemtë, krahasuar me ADHS e mëparshme të vitit 2008-2009, ku rreth një në dhjetë gra të moshës 20-49 vjeç u martuan për herë të parë para moshës 18 vjeç, dhe 7% e grave të moshës 15-19 vjeç ishin martuar ose në bashkim.

Kurse një studim tjetër UNFPA & UNICEF për martesën e fëmijëve tregoi se, në vitin 2007 martesat nën 19 vjeç përbënin 28.5% të të gjitha celebrimeve të regjistruara. Në vitin 2016 pati një rënie të kësaj tendencë në 14.8%. Por. Në 2017 ky fenomen ka pasur sërish rritje.

“Legjislacioni shqiptar njeh si moshë minimale për martesës 18 vjeç për gratë dhe burrat. Sidoqoftë, një person nën moshën 18 vjeç mund të paraqesë në gjykata leje për t’u martuar për “çështje me rëndësi”. Asnjë moshë minimale nuk përcaktohet, megjithatë, Kodi Penal kriminalizon marrëdhëniet seksuale me një të mitur nën 14 vjeç. Kjo do të thotë që autorizimet gjyqësore për martesën e fëmijëve nuk mund të kalojnë nën këtë moshë minimale. Kurse martesa e detyruar përbën vepër penale”, tha znj. Armitage.

Drejtorja Rajonale e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, thotë se, sa i takon kornizës legjislative ajo ka hapësirë për përmirësim duke nisur nga rritja e moshës minimale për marrëdhënie seksuale dhe ndryshim i vogël i moshës mund të përcaktohet për marrëdhënie seksuale konsensuale, me qëllim të dekurajimit të shfrytëzimit të fëmijëve nga të rriturit.

Nga ana tjetër, Alanna Armitage thotë se, nevojiten udhëzime dhe trajnime për gjyqtarët në mënyrë që të përcaktojnë siç duhet interesin më të mirë të fëmijës kur japin autorizim për martesë nën moshë. Ajo shprehet kritike dhe për Axhendë Kombëtare e të Drejtave të Njeriut (2017-2020) nuk përcakton asnjë masë për të adresuar martesën e fëmijëve në Shqipëri dhe as Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore (2016 – 2020).

“Martesa e fëmijëve duhet të shihet si çështje prioritare. Martesa e fëmijëve është një shkelje e qartë e ligjeve ndërkombëtare që përfshin Deklaratën Universale të të drejtave të Njeriut 1948 dhe shumë konventave të tjera. Vlen të përmendet se Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e martesave të fëmijëve dhe të detyruara, megjithatë duhet të bëhet shumë më tepër”, thotë Armitage.

Më të prekurit nga fenomeni i martesës së hershme është komuniteti i romëve që sipas Alanna Armitage, qëndrimet diskriminuese ndaj tyre bëjnë që ata të mos kenë besim tek nëpunësit civilë. Ndërsa mësuesit dhe punonjës të shërbimeve sociale duke e konsideruar martesën e fëmijëve si një gjë të jetesës rome, minimizojnë rëndësinë e shkeljes së të drejtave të fëmijëve mes tyre.

Por, fenomeni prek dhe vajzat që jetojnë në zona të thella rurale ose në rajone kufitare. Shumica e vajzave që janë viktima të praktikës së martesës së fëmijëve janë ose të paarsimuar ose kanë braktisur shkollën shumë herët, si rezultat, një numër i konsiderueshëm i këtyre vajzave nuk janë në gjendje të fitojnë jetesën e tyre dhe të varur nga pikëpamja sociale dhe ekonomike nga vjehrrat ose burrat e tyre.

“Shoqëria shqiptare në përgjithësi po përparon, edhe për sa i përket barazisë gjinore, megjithatë disa pjesë të shoqërisë mund të jenë lënë pas dhe normat shoqërore që favorizojnë martesën e fëmijëve ende nxisin fenomenin. Si një praktikë tradicionale që ka ndodhur midis familjeve, komuniteteve dhe shoqërive për breza, asnjë strategji, fushatë apo grup i vetëm nuk do të ndalojë martesën e fëmijëve dhe kjo as nuk do të ndodhë brenda natës. Ka nevojë për veprim në të gjitha nivelet, nga baza në globale. Fuqizimi i vajzave për të marrë vendimet e tyre është thelbësore dhe duhet të plotësohet me përpjekje për të adresuar kontekstin dhe qëndrimet më të gjera që do të thotë se shumë janë të martuar si fëmijë”, deklaron znj. Armitage.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.