Rrëfimi i 26 vjeçarit nga Shkodra Ajron Dizdari. Pse vendosa të jem vullnetar gjatë pandemisë.
10/05/2020 Shpërndaje

Rrëfimi i 26 vjeçarit nga Shkodra Ajron Dizdari. Pse vendosa të jem vullnetar gjatë pandemisë.

Jo të gjithë u izoluan gjatë pandemisë së Covid 19 në vendin tonë. Organizata të ndryshme që operojnë në vendin tonë, mes tyre edhe UNFPA Albania, aktivizuan grupet e tyre vullnetare në mbarë vendin, me qëllim që t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve.

Kështu kishte nga ata të rinj që zgjodhën që gjatë periudhës së pandemisë të jenë pranë atyre që kishin më shumë nevojë. Shumë të rinj, pjesë e organizatave joqeveritare vendosën që të jenë në shërbim të qytetarëve, veçanërisht të moshuarve. I tillë është edhe Ajron Dizdari i aktivizuar në AIESEC e bashkë me organizata të tjera sic është UNFPA Albania , vendosi që gjatë gjithë pandemisë të ishte pranë njerëzve në nevojë. Rrëfimi ekskluziv i Ajron Dizdarit, 26 vjeçarit nga Shkodra vjen për Pozitivi.org.

Pyetje: Gjatë pandemisë së Covid 19, kohë kur qytetarët ishin të izoluar, ju vendoset që të ishit pranë qytetarëve në nevojë, pse kjo zgjedhje?

Ajron Dizdari;

“Unë mendoj që pandemia Covid 19 është një virus i rrezikshëm për të gjithë botën, edhe pse realisht ne shqiptarët nuk kemi pasur eksperienca të këtij lloj virusi. Pra të shkojmë deri në ato nivele qe të shkojmë në pezullim total. Duke qenë të mbyllur, të izoluar në fakt duhet të shohim anën e mirë që fatmirësisht kemi pasur luksin për të planifikuar kohën sepse nuk kemi bërë asgjë tjetër. Atëherë mendova se ka plot njerëz që duan ndihmë në ketë kohë. Falë organizatave që ndihmojnë familjet ne nevojë, vendosa që të jem edhe unë vullnetar. Arsyeja është e thjeshtë se përse zgjodha të ndihmoj. Jo çdo kush ka luksin që të ketë kushtet bazë, siç janë pleqtë që janë vetëm ose familjet me të ardhura të pakta. Kështu duke respektuar fashën orare, masat mbrojtëse dhe duke mos shkelur asnjë prej rregullave qe janë vendosur nga shteti si kushte kryesor minimale për tu rrezikuar nga virusi, vendosa që të ndihmoj. Si i ri që jam, dhe me një imunitet më të fortë vura veten në vendin e atyre që kanë nevojë. Po sikur unë të isha si ata? Atëherë mendova qe ti ndihmoj dhe ndihma është gjëja më e mirë që mund të bëj në këtë kohë kur nuk kam asgjë aktivitet tjetër”. 

Pyetje: A kishit frikë që duke ndihmuar qytetarët mund të rrezikonit dhe të prekeshit nga virusi Covid 19?

Ajron Dizdari:

“Absolutisht që frika ka ekzistuar dhe pse jo në nivelet e një paniku por që ishte prezente. Sepse kur të gjithë ishin të mbyllur dhe realisht duhej që të rrije mbyllur për të mos rrezikuar shëndetin, si shëndetin tim ashtu dhe të familjarëve të tjerë dhe njerëzve të tjerë që mund të takoja, ishte prezent. Edhe rreziku ka qenë absolutisht sepse kontakti me njerëzit ishte një nga pikat kryesore qe r bënte virusin qe të kalonte nga njeri tek tjetri. Gjithsesi rregullat e ndjekura, masat mbrojte ndaj virusit i kam ndjekur në mënyrë perfekt sepse ishte maksimumi qe mund të bënim për tu mbrojtur nga virusi. Fatmirësisht asnjë nga të grupit vullnetar nuk kemi pasur komplikacione në lidhje me shëndetin ndoshta edhe prej faktit se kemi qenë të rinj, ndikon dhe imuniteti më i fortë. Por fatmirësisht arritëm t’ja dalim në lidhje me virusin që mos të rrezikonim asnjë prej nesh shëndetin tone”. 

Pyetje:Si jeni gjendur në grupin e vullnetarëve, pse kjo zgjedhje?

Ajron Dizdari;

“Duke qenë pjesëtar i një prej organizatave më të mëdha në botë, e cila është AISEC, e ku në Shqipëri është që prej vitit 2012 që ndihmon të rinjtë në projekte dhe në intershipe të ndryshme. Atëherë duke qenë se u pezulluan të gjitha projektet e ndryshme nga Covid 19, në këtë mënyrë ne kërkuam që bashkë me organizatat e tjera që kemi te njëjtin qëllim, organizata që janë jofitimprurëse, joqeveritare e që duan të  ndihmojnë familjet në nevojë e që kanë mundësi ti ndihmojnë ata, ne vendosëm që të bëhemi bashkë  për çdo kënd që ka nevojë nëpërmjet punëve vullnetare. Ne krijuam paketa të mira dhe duke kërkuar suportin dhe ndihmën tonë në çdo lloj nevoje që ata kishin. Në fakt kjo ishte gjë e mirë sepse në një farë mënyre edhe pse ishin pezulluar nga aktivitetet tona qe ne bënim herë pas here, ne arritëm që gjithsesi ti ndihmonim jo vetëm të rinjt por të gjithë shtresat në nevojë, e sidomos të moshuarit që e kishin kategorikisht të ndaluar lëvizjen. Ne këtë mënyrë ishte një organizim shumë i bukur sepse bashkëpunimi tregoi që ne jemi të gjithë bashkë dhe mund tja dalim në qoftë se jemi bashkë”.

Pyetje: Si e mendoni të ardhmen, do të jetë pjesë e jetës tuaj edhe angazhimi si vullnetar, për të qenë pranë njerëzve në nevojë?

Ajron Dizdari:

“Unë dua që të punoj fort çdo ditë qe të bëhem një lider i së ardhmes. Dua qe të rris vlerat e mia prej lideri, të bëhem një shembull për brezat e së ardhmes. Çdo zgjedhje ka sfidat e veta dhe absolutisht që kalimi i sfidave me bën që të shoh dhe të eci përpara. Unë mendoj se edhe pas çdo zhgënjimi  përsëri duhet të provoj për më të mirën. Me njerëzit në nevojë është e njëjta gjë, sado bota është e pasur dhe mund të mbulojë të gjitha varfëritë në çdo cep të saj përsëri ka varfëri, e madje po rritet edhe më tepër. E kauza ime ne rrugën e liderit është që të jem sa më pranë atyre që kanë nevojë, ti ndihmoj dhe ti mbështes. Dhe me besimin që do ja dal dhe të tjerët të ndjekin shembullin tim”.


Ajroni ka përfunduar studimet në bachelor Administrim-biznes, në Fakultetin Ekonomik, Shkodër.

#unfpaalbania

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.