I varur për festat e nëntorit, gjendet flamuri shqiptar nën rrënojat e një banese të shembur
Mëngjesin e sotëm ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka publikuar një foto të flamurit shqiptar të gjetur në rrënojat e një banese të shembur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ndërsa poston foton ministri ka shkruar se ky flamur ka ndriçuar sytë dhe zemrat e heronjve shqiptar.
Postimi i Lleshajt:
28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ishte ky flamur, i nxjerë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës. Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
