Roli i medias mes Kosovës dhe Serbisë, Besniku: Një shkëndijë, prish çdo përpjekje
03/05/2019 Shpërndaje

Roli i medias mes Kosovës dhe Serbisë, Besniku: Një shkëndijë, prish çdo përpjekje

Besnik Boletini ka përfunduar studimet master në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Sociologjisë. Aktualisht punon në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese, Preportr me të cilën për projekte të caktuara kanë bashkëpunuar me gazetarë dhe organizata të ndryshme në Serbi.

Pavarësisht situatës së tensionuar mes dy vendeve, bashkëpunimi mes gazetarëve shërben për të lidhur ura komunikimi dhe për të thyer muret, që duket se po forcohen çdo ditë. Por Besniku shprehet se në tërësi marrëdhëniet jo të mira mes dy vendeve kanë ndikuar edhe tek raportimet mediale, ku thekson se mediat në Serbi janë shumë të kontrolluara nga aparati shtetëror dhe këtë e reflektojnë edhe në raportimet e tyre.

“ Pavarësisht se ka bashkëpunime të ndryshme dhe bëhen disa hapa përpara, mjafton një shkëndijë e vogël, një tensionim i situatës, apo ndonjë incident, prish pothuajse të gjitha përpjekjet”.

Në një intervistë për pozitivi.org Besniku ndër të tjera na tregon edhe mbi situatën e serbëve që janë në Kosovë dhe se si ats mund t’i kthehen normalitetit duke u integruar në shoqëri.

 Besnik Boletini për pozitivi.org:

  1. A mund të bësh një prezantim të vetes, kush është Besniku?

Unë jam shqiptar nga Kosova, kam lindur në qytetin e Istogut i cili gjendet në Rrafshin e Dukagjinit. Që nga viti 2005 jam zhvendosur në Prishtinë për të studiuar dhe pas përfundimit të studimeve të nivelit bachelor kam filluar punën si gazetar në një gazetë të përditshme. Unë kam studiuar sociologjinë në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë kam përfunduar edhe studimet master në këtë drejtim. Sociologjia ka ndërlidhje të shumta me gazetarinë. Prandaj për mua ka qenë e lehtë të përshtatëm në zanatin e gazetarit. Për më tepër e konsideroj se është përparësi nëse gazetari ka studiuar një nga shkencat sociale. Në gazetari nuk mjafton vetëm teknika e shkrimit, por është shumë e rëndësishme që gazetari të ketë njohuri për funksionimin dhe zhvillimin shoqëror në vendin që punon. Në këtë aspekt sociologjia më ka ndihmuar në aspektin e të shtruarit dhe trajtimit të çështjeve të ndryshme me një qasje shumëdimensionale.

Që nga viti 2011 punoj në Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese – PREPORTR. Kjo qendër është pjesë e organizatës joqeveritare ÇOHU! Profili ynë është kundër korrupsionit dhe rrjedhimisht edhe hulumtimet tona janë të fokusuara në këtë fushë. Në Preportr kam ndjekur dhjetëra hulumtime sa i përket metodave të gazetarisë hulumtuese, që më kanë ndihmuar shumë në punën e përditshme që bëj.

  1. Si bashkepunoni me Serbinë pavaresisht konflikteve ndër vite?

Në Kosovë është zhvilluar luftë edhe për faktin se edhe NATO ka qenë e përfshirë, e jo konflikt. Prej viteve të 90’ta populli shqiptar në Kosovë është përballur me një dhunë sistematike, e cila ka kulmuar në vitet 98-99, kur aparati shtetëror serbë ka vrarë mbi 13 mijë shqiptarë, ka dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare dhe ka djegur pjesën më të madhe të shtëpive të shqiptarëve.

Nuk kemi ndonjë bashkëpunim të vazhdueshëm si organizatë, përkatësisht si medium. Kemi bashkëpunim me një medium (KRIK) që ka profil pune krimin e organizuar në Serbi. Kemi kontakte sa i përket ndonjë informate për ndonjë individ apo çështje të caktuar. Gjithashtu ata i ftojmë për të treguar përvojën e tyre në një trajtim që e mbajmë çdo vit me gazetarët e rinj ose me studentët e gazetarisë. Pra gazetarët trajnohen metoda të ndryshme të gazetarisë hulumtuese.

Kur kemi trajnime për çështje të ndryshme, takohemi edhe me pjesëmarrës serbë dhe deri më tani kemi kaluar shumë mirë. Zakonisht ata janë më mëndjehapur për çështjet që diskutojmë, sidomos për raportet ndëretnike.

3.Si e komentoni situaten aktuale mes dy vendeve, tensionet e shkaktuara per vendosjen e takses 100% nga Kosova per produktet e Serbise?

Situata mes dy vendeve është vazhdimisht jo stabile. Taksa nuk ka pasur ndonjë ndikim të veçantë në këto raporte, përveç që Serbia e ka kushtëzuar heqjen e taksës me rinisjen e dialogut. Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk është dashtë të vendosë taksë. Por fillimisht të vendos ndalesë për produktet serbe, nëse në certifikatat e prodhimit nuk do të shkruante se janë të dedikuara me Republikën e Kosovës. Kjo mënyrë do të ishte më racionale dhe konsideroj që do të shmangte presionin e madh ndërkombëtar pasi që arsyeja kishte qenë më e madhe, nëse një shtet nuk të njeh si shtet nuk mund as të eksportojë produkte në atë shtet. Për më tepër deri në vendosjen e taksës,  Serbia ka eksportuar produkte në të cilat shkruan se janë të dedikuara për “Kosovo Metohija” një termë që ata e përdorin për Kosovën, duke e konsideruar si tokë të tyre.

  1. A mendoni se perdoret gjuha e urrejtjes ne raportimet e gazetareve te te dy vendeve, sipas këndveshtrimit tuaj?

Sigurisht që marrëdhëniet jo të mira mes dy vendeve kanë ndikim edhe tek raportimet mediale. Zakonisht këto vërehen kur ka ndonjë situatë tensionuese. Fatkeqësisht mediat në Serbi janë shumë të kontrolluara nga aparati shtetëror dhe sigurisht që reflekton në raportimet mediale atje.

5.Çfarë mund të bëhet nga organizatat, gazetarët për të ndihmuar në shuarjen e konflikteve dhe për të përmirësuar situatën mes dy vendeve?

Ka disa organizata që bashkëpunojnë mes vete. Sidomos organizatat që merren me të drejtat e njeriut. Ka takime dhe bashkëpunime mes organizatave. Por ka raste kur mbahen takimet atje, ka reagime nga të pranishmit kur përmendet Kosova. Për shembull më (5 prill) derisa Qendra Inovative e Kosovës ka filluar prezantimin në një nga panelet e Samitit Digjital për Ballkanin, sapo premtuesi shqiptar ka përmendur fjalën Kosovë, i është ndalë mikrofoni dhe ka pasur reagim nga disa të pranishëm aty që i ka tërhequr vërejtjen prezantuesit që gjatë fjalimit të mos e përdor fjalën “Shteti i Kosovës”. Kjo tregon se është shumë e vështirë të ketë një normalitet edhe tek çështjet jopolitike siç janë organizimet për çështje tekniko-teknologjike.

Aktualisht një normalizim është i vështirë. Pavarësisht se ka bashkëpunime të ndryshme dhe bëhen disa hapa përpara, mjafton një shkëndijë e vogël, një tensionim i situatës, apo ndonjë incident, prish pothuajse të gjitha përpjekjet.

6.Keni qene ndonjehere ne Serbi dhe cfare pershtypjesh ke  krijuar nga njerezit atje dhe gjithcka tjeter?

Po kam qenë dy herë në Serbi. Në vitin 2013 në qytetin e Nishit dhe para disa muajve kam qenë në Beograd. Në të dy rastet kam qenë në kuadër të ëorkshopeve që kemi mbajtur. Nuk kam ndonjë përshtypje të veçantë. Është vend normal dhe kemi kaluar mirë. Më ka lënë përshtypje fakti se kur kemi hipur në taksi në Nish jemi këshilluar nga kolegët serbë që të mos tregojmë se jemi shqiptar nga Kosova, pasi që mund të ndodh ndonjë problem.

  1. Cfare mendoni per serbët?

Serbët janë pjesë e Kosovës. Ata jetojnë në zona të ndryshme në Kosovë. Realisht gjendja e tyre nuk është premtuese në Kosovë. Ata janë viktima së pari që qeverisë serbe, për faktin se dirixhohen direkt nga kjo e fundit. Derisa në vitin 2013  nuk është krijuar partia që quhet “Lista Serbe”, ka pasur një integrim gradual të serbëve të Kosovës në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Por pasi që është krijuar kjo parti, e që derivon nga marrëveshjet e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, gjerat kanë ndryshuar. Kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, përkundrazi e lufton. Paradoksi qëndron tek fakti se ata kanë disa ministri dhe komuna, marrin pagat dhe privilegjet tjera, por vazhdojnë ta luftojnë shtetin e Kosovës. “Lista Serbe” nuk e merr asnjë vendim pa u konsultuar me qeverinë serbe. Para se të krijohej kjo parti, partitë serbe që kanë vepruar në Kosovë e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe qytetarët serbë kanë pasur një integrim të kënaqshëm. Por pasi që është krijuar partia në fjalë ka ndodhur një dezintegrim i menjëhershëm. Si pasojë ka një refuzim të vazhdueshëm nga serbët e Kosovës për t’u integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës. Dhjetëra ushtarë serbë që u patën bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dorëhequr si pasojë e kërcënimeve dhe shantazheve që u janë bërë nga qeveria serbe. Pra përdorimi i serbëve të Kosovës për qëllime politike të Beogradit zyrtarë i ka dëmtuar dhe po i dëmton shumë serbët e Kosovës. Ata po i vuajnë pasojat më të mëdha. Përkundër privilegjeve që kanë si komunitet, ata refuzojnë të jenë pjesë e shoqërisë së Kosovës. Ata mësojnë me planprograme arsimore të Serbisë. Të rinjtë serbë nuk e dinë gjuhën shqipe. Jeta për ta do të jetë e vështirë në Kosovë, sepse nëse e marrim një shembull praktik një qytetar serb që jeton në Graçanicë, në Lipjan, në Prishtinë, apo në ndonjë qytet tjetër, nuk do të mund të punësohet në sektorin privat pa e dikur gjuhën shqipe. Fjala vjen, nuk mund të punësohet në një kompani interneti ku duhet të jap shërbime të ndryshme, nuk mund të punësohet si kontabilist, apo jurist në një kompani etj. Pra Serbia po i ngulfatë në vazhdimësi serbët e Kosovës duke i privuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Për këtë arsye të rinjtë serbë do ta kenë të vështirë të jetën në Kosovë nëse do të vazhdojë ky presion i Serbisë ndaj tyre.

Në anën tjetër Serbia ka kontroll total në Veri të Kosovës. Serbët atje jetojnë keq. Janë të izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës. Serbia atje po ndërton qindra shtëpi për të akomoduar apo sjellë serbë të pastrehë nga Serbia. Serbët në veri të Kosovës nuk paguajnë energji elektrike. Deri më tash, energjia që ata kanë shpenzuar  u është faturuar shqiptarëve dhe komuniteteve tjera të Kosovës. Ata nuk i regjistrojnë veturat si dhe nuk paguajnë taksa tjera. Pavarësisht kësaj, atje mbretëron një gjendje kaotike për shkak se aty udhëheqin grupe kriminale dhe njerëz tjerë që janë direkt të kontrolluar nga qeveria serbe.

Serbët e Kosovës mund t’i kthehen normalitetit vetëm duke u integruar në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës siç kanë bërë edhe komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.