“Ringjallja” e Skënderbeut, flamuri valëvitet çdo vit në fushë betejën e Bulqizës
Etmond Balja, 24 vjeçari nga Bulqiza është një talent i lindur për skulpturë. Pasionin e tij e ka ushtruar prej vitesh, ka realizuar disa vepra të figurave historike, e këtë e ka bërë për atdheun dhe vendlindjen e tij.
Etmondi ka lindur në Bulqizë por aktualisht jeton në Tiranë. 8 vjeçaren e ka mbaruar në vendlindje, më pas ka filluar Liceun Artistik në Tiranë për skulpturë, e tashmë në vit të fundit në master tek Akademia e Arteve, shkruan pozitivi.org. I ri por energji dhe vullnet të pashoq për të ecur përpara. Larg vendlindjes por me vepra është pranë saj. Etmondi ka realizuar përmendoren e Skënderbeut, e titulluar “Gurët e Skënderbeut” e cila është vendosur në Fushën e Vajkalit, Bulqizë më 27 maj 2017.
Skënderbeu në këtë fushë ka zhvilluar dy nga betejat më të rëndësishme. Midis viteve 1464 dhe 1465 u zhvilluan dy betejat e Vajkalit kundër Ballaban Pashës, me fitoren e Skënderbeut. Sipas studjuesve Skënderbeu zgjodhi Fushën e Vajkalit për të luftuar, falë pozicionit strategjik që kishte, për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur.
Etmondi gjatë një interviste ekskluzive për pozitivi.org rrëfen se në këtë zonë të Bulqizës, banorët që jetojnë aty, çdo vit festojnë te Gurët e Skënderbeut fitoren e madhe të betejave. Sipas rrëfimit të skulptorit bulqizak këta familje ngrenë flamurin mbi ‘Gurët e Skënderbeut’. Një festë e kthyer në traditë prej vitesh. Dëshira për të bërë këtë përmendore lindi nga vetë familjet vendase dhe Asllan Daxha, kërkesë e cila tashmë është realizuar pasi skulptura ka përfunduar dhe ndodhet në fushën e betejës që prej 27 maj 2017, dita kur u bë inagurimi, tregon Etmondi.
“Ideja për realizimin e përmendores së Skënderbeut erdhi krejt natyrshëm. Iniciator për këtë vepër Z. Asllan Daxha së bashku me disa familje vendasë që festojnë çdo vit te ‘Gurët e Skënderbeut’ fitoren e madhe në këtë betejë. Këta familje ngrenë flamurin çdo vit mbi këta gurë dhe shprehën dëshirën së bashku me disa biznesmenë të Bulqizës që të ngrenë një përmendore në simbol të betejës së lavdishme”, tha Etmondi gjatë intervistës për pozitivi.org.
Kjo vepër artistike “rringjall” herion tonë. Skulptura ka një pamje madhështore. Etmondi tregon se parametrat “arrijnë 3 metra lartësi dhe 2,5 gjerësi”. E vështirë të realizosh tiparet e heroit kombëtar në këto përmasa, por 24 vjeçari ia ka dalë mbanë pa asnjë vështirësi.
“Skulptura është realizuar në blate, pastaj përfundimtarja është derdhur në beton. Ajo arrin 3 metra lartësi dhe 2,5 gjerësi. Nuk kam patur asnjë vështirësi. Me kohë kam pritur të realizoja figurën e Skënderbeut, dhe ky ishte momenti me i bukur që t’i bëja këtë dhuratë vendlindjes time. Janë dashur 6 muaj për ta ideuar dhe 2 muaj për ta realizuar”, tha skulptori Balja për pozitivi.org.
Urimet e pafundme që mori për realizimin e kësaj vepre artistike të lavdishme, e kanë motivuar edhe më tej 24 vjeçarin. Çdo ditë pa u lodhur vazhdon punën me pasion, në studion e tij të rrëmujshme. Një punë e vështirë që s’e bën dot çdokush. Besoj jeni kuriozë të dini më shumë për ditën e një djali të ri skulptor. Etmondi e rrëfen shkurtimish gjatë intervistës për pozitivi.org. Mjafton ta lexoni me një sy, dhe do arrini ta imagjinoni rrëmujën dhe bukurinë që ka ky profesion, sidomos kur të udhëheq pasioni…
“Zgjohem në mëngjes shkoj në studio punoj ndonjë skulpturë që kam në dorë, nderkohë vazhdoj dhe fantazoj për skulptura të tjera. Shumicën e kohës e kaloj në studio, por edhe kur shkoj në shtëpi (galerinë e vogël) idetë dhe projektet vazhdojnë për të nesërmen. Të jesh artist është një punë sa e vështirë por dhe e bukur, mbi të gjitha duhet të jetosh si artist dhe jo të jesh! Hahah studioja është aq rrëmujë saqë kur shikon ndonjë skulpturë të duket e bukur”, tha ndër të tjera Etmondi.
Intervista e plotë me Etmond Balja për pozitivi.org:
Pozitivi: Kush është Etmond Balja?
Etmond Balja: Un jam Etmond Balja, 24 vjeç. Kam Lindur dhe kam mbaruar shkollën 8 vjeçare në Bulqizë, më pas kam filluar Liceun Artistik në Tiranë për skulpturë , aktualisht jam në vit të fundit master tek Akademia e Arteve.
Pozitivi: Keni realizuar një monument për Skënderbeun, si lindi ideja?
Etmond Balja: Ideja për realizimin e përmendores së Skënderbeut erdhi krejt natyrshëm. Pasi qyteti i Bulqizës është i mbushur me vlera historike sidomos në periudhën e Skënderbeut, pikërisht në fushën e Vajkalit, në betejën e famshme që pati jehonë në mbarë europën gjenden Gurët e Skënderbeut që i kanë bërë pritë ushtrisë së madhe Osmane. Këta gurë na bënë të mendojmë, ta realizojmë… E më pas ta vendosnim pikërisht në Fushën e Vajkalit, Bulqizë.
Pozitivi: Kush janë iniciatorët e këtij monumenti?
Etmond Balja: Iniciator për këtë vepër është Z. Asllan Daxha së bashku me disa familje vendasë që festojnë çdo vit te Gurët e Skënderbeut fitoren e madhe të betejës. Keta familje ngrenë flamurin çdo vit mbi këta gurë dhe shprehën dëshirën së bashku me disa biznesmenë të Bulqizës që të ngrenë një përmendore në simbol të betejës së lavdishme.
Pozitivi: Çfarë parametrash ka skulptura?
Etmond Balja: Skulptura është realizuar në blate pastaj përfundimtarja është derdhur në beton. Arrin 3 metra lartësi dhe 2,5 gjerësi. Ajo është realizuar në një studio private.
Pozitivi: Çfarë simbolizon, domethënia që ka?
Etmond Balja: Që në momentin kur jam vënë në dijeni për realizimin e monumentit, kam menduar që të jetë sa më natyral. Doja me patjetër që të lidhet me gurët që ndodhen në Fushën e Vajkalit dhe historinë që mbartin. Në bllokun e gurit është ndërtuar portreti i Skënderbeut, duke ruajtur karakteristikat që i janë bërë nëpër përshkrime. Kjo vepër është ndryshe nga tjerat pasi Skënderbeu në këtë vepër del nga gurët në Fushën e Vajkalit…
Pozitivi: Keni patur vështirësi gjatë realizimit dhe sa kohë ju ka marrë?
Etmond Balja: Nuk kam patur asnjë vështirësi. Me kohë kam pritur të realizoja figurën e Skënderbeut, dhe ky ishte momenti me i bukur që t’i bëja këtë dhuratë vendlindjes time. Janë dashur 6 muaj për ta ideuar dhe 2 muaj për ta realizuar.
Pozitivi: Kur e keni përfunduar?
Etmond Balja: Skulptura ka përfunduar, tashmë e kemi në fushën e betejës me datë 27 maj 2017 është bërë inagurimi. Ka qenë një ditë madhështore, emocione të papërshkueshme ku morën pjesë personalitete të historisë, kulturës , artit dhe politikës. Intelektualë dhe atdhetarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, Skënderbeu na bashkoi sërish.
Pozitivi: Kush ishin personalitetet?
Etmond Balja: Personalitetet Alfred Moisiu, Xhemshit Durici , prof Adem Bungu, Skënder Cala mjeshter i madh, Bujar Kapexhiu , Marin Mema, Gjetan Keta boksieri Bulqiza dhe shumë personalitete të tjerë.
Pozitivi: Pasioni yt është skulptura, keni bërë ndonjë punim tjetër?
Etmond Balja: Po kam realizuar para katër vitesh një bust në bronx kushtuar klerikut bektashi Dervish Caush – Canga. Po në vendlindjen time kam hapur disa ekspozita gjatë studimeve dhe një sërë projektesh kryesisht për vendlindjen pasi këtu janë hapat e mi të parë dhe formimi i karakterit.
Pozitivi: Zakonisht çfarë skulpturash të pëlqen të bësh?
Etmond Balja: Më pëlqen skulptura figuarative (realiste) dhe moderne, në skulpturë mundohem të përcjell ndjenjën, lëvizjen dhe emocionin, frymëzohem shumë nga i madhi August Rodin.
Pozitivi: Si është një ditë e juaja e zakonshme?
Etmond Balja: Zgjohem në mëngjes shkoj në studio punoj ndonjë skulpturë që kam në dorë, nderkohë vazhdoj dhe fantazoj për skulptura të tjera shumicën e kohës e kaloj në studio. Por edhe kur shkoj në shtëpi ( galerinë e vogel) idetë dhe projektet vazhdojnë për të nesërmen.
Pozitivi: Si është studioja e një skulptori, ma përshkruaj pak ambientin?
Etmond Balja: Të jesh artist është një punë sa e vështirë por dhe e bukur, mbi të gjitha duhet të jetosh si artist dhe jo të jesh! Hahah studioja është aq rrëmujë saqë kur shikon ndonjë skulpturë të duket e bukur.
Pozitivi: Kush janë planet që keni?
Etmond Balja: Të vazhdoj të krijoj vepra të tjera, ide dhe projekte… Më pëlqen të jetoj në Shqipëri sepse mendoj se kam shumë gjëra për të bërë këtu.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.




