Rikthehet Anilda Ibrahimi, shkrimtarja që hodhi dritë mbi historitë shqiptare në italisht: Shumë familje rrezikuan jetën për të mbajtur besën
Figura e gruas shqiptare para viteve 80’ është e paraqitur në 5 gjuhë të ndryshme të botës dhe e shfletuar nga lexuesit italianë. Kjo falë shkrimtares së mirënjohur, Anilda Ibrahimi, e cila i shkruan romanet e saj në gjuhën italiane. Përmes personazhëve e historive të përjetuara dhe nga vetë ajo në periudhën e fëmijërisë dhe të adoleshencës, shkrimtarja paraqet realitetin e gruas shqiptare të asaj kohe. E rikthyer në Tiranë në javën e gjuhës italiane nga Ambasada Italiane në Tiranë, Ibrahimi ka zhvilluar një takim me të rinj në gjimnazin Ismail Qemali për të folur për jetën dhe krijimtarinë e saj letrare.
Gjatë një interviste për pozitivi.org Ibrahimi tregon detaje mbi librin e fundit “Il tuo nome e una premesa” që flet për një histori që i përkiste shpëtimit të gati 2 mijë hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore të cilët u strehuan në Shqipëri. “Shumë familje shqiptare rrezikuan jetën për të mbajtur besën, premtimin që u kishin bërë miqve hebrej dhe që i kishin strehuar. Edhe duke rrezikuar në atë moment. Unë doja të tregoja këtë histori dhe e tregova nëpërmjet jetëve të vogla që pasqyrohen në përditshmërinë e tyre.
Tregova familjen gjermane si mbërriti në Shqipëri në vitin 38-39, familjet që e shpëtuan hap pas hapi duke kaluar gjithë periudhën e luftës së dytë dhe duke arritur në paradoksin e jetës që ai vend që i shpëtoi këta njerëz, ai vend i mbajti edhe të burgosur sepse në momentin e mbylljes së kufinjve në momentin e vendosjes së diktaturës komuniste këta nuk patën më mundësi të iknin dhe ngelën në të njëjtin vend që i shpëtoi dhe në të njëjtin vend që i mbajti të burgosur, në pamundësi për të dalë duke arritur deri në vitin 90, që pastaj me rënien e diktaturës mundën”, thotë Ibrahimi.
Ajo tregon se nga Shqipëria është larguar në vitin 1993, menjëherë pasi përfundoi Universitetin në Tiranë për Gjuhë dhe Letërsi. Edhe pse larg vendit të saj për shumë vite, vendosi që krijimtaria e saj, të cilën e shkruan në gjuhën italiane, të jetë për jetesën e shqiptarëve dhe fëmijërinë e saj, gjatë periudhës komunsite.
“Për mua ky ishte paradoksi dhe nëpërmjet këtyre personazheve pata mundësinë të tregoj edhe parantezën e viteve të komunizmit, si jetonin hebrenjtë si jetonin shqiptarët në fund të fundit. Jetët e vogla të shqiptarëve sepse çdo jetë e vogël është e madhe sepse është jeta jonë, është e kaluara jonë dhe mua më intereson të tregoj gjithmonë me shkëputje duke jetuar larg prej 25 vjetësh. Kjo largësi më ka dhënë edhe mundësinë që të realizoj më mirë se çfarë ndodhi në ato vite gjatë fëmijërisë time që unë kam jetuar pjesën komuniste deri në 18 vjeç”, tregoi ndër të tjera ajo.
Shkrimtarja ka gjithmonë në fokus gruan, madje rrëfen se aktualisht është në proces duke shkruar një libër, ku do të bazohet mbi historinë e saj jetësore, nga fëmijëria te emigrimi, e më pas te karriera e saj si shkrimtare. “Kam gjithmonë gruan si pjesë qendrore të romaneve të mia dhe sidomos gruan shqiptare. Në librin e 5-të që do të dalë së shpejti gjithmonë unë tregoj mungesën e edukimit sentimental të grave shqiptare, atë trysni që ushtronte presioni publik i familjes i shoqërisë dhe pyetja ime. Unë jam një nga ato gra. Ç’është bërë me jetën time sot mbas shumë vitesh duke qenë unë nënë e 3 fëmijëve me një identitet tjetër dhe italian në fund të fundit që unë vazhdoj të kem në fokus gruan shqiptare”, u shpreh shkrimtarja.
Anilda Ibrahimi për pozitivi.org:
Pozitivi: “Il tuo nome e una premesa” është libri juaj i fundit, përse bën fjalë?
Për mendimin tim letërsia mund të përcjellë mesazhe në mënyrë jo të vetëdijshme, sepse duke treguar një histori normalisht instiktivisht përcillen dhe mesazhe. Unë nuk nisem nga mesazhet por kam një histori për të treguar dhe kjo histori i përkiste shpëtimit të gati 2 mijë hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore që u strehuan në Shqipëri dhe shumë familje shqiptare rrezikuan jetën për të mbajtur besën, premtimin që u kishin bërë miqve hebrej dhe që i kishin strehuar.
Edhe duke rrezikuar në atë moment. Unë doja të tregoja këtë histori dhe e tregova nëpërmjet jetëve të vogla që pasqyrohen në përditshmërinë e tyre. Tregova familjen gjermane si mbarriti në Shqipëri në vitin 38-39, familjet që e shpëtuan hap pas hapi duke kaluar gjithë periudhën e luftës së dytë dhe duke arritur në paradoksin e jetës që ai vend që i shpëtoi këta njerëz, ai vend i mbajti edhe të burgosur sepse në momentin e mbylljes së kufinjve në momentin e vendosjes së diktaturës komuniste këta nuk patën më mundësi të iknin dhe ngelën në të njëjtin vend që i shpëtoi dhe në të njëjtin vend që i mbajti të burgosur, në pamundësi për të dalë duke arritur deri në vitin 90, që pastaj me rënien e diktaturës mundën.
Kështuqë për mua ky ishte paradoksi dhe nëpërmjet këtyre personazheve pata mundësinë të tregoje edhe parantezën e viteve të komunizmit, si jetonin hebrenjtë si jetonin shqiptarët në fund të fundit. Jetët e vogla të shqiptarëve sepse çdo jetë e vogël është e madhe sepse është jeta jonë, është e kaluara jonë dhe mua më intereson të tregoj gjithmonë me shkëputje duke jetuar larg prej 25 vjetësh. Kjo largësi më ka dhënë edhe mundësinë që të realizoj më mirë se çfarë ndodhi në ato vite gjatë fëmijërisë time që unë kam jetuar pjesën komuniste deri në 18 vejç.
Pozitivi: Në të katërt librat tuaj në fokus keni gruan. Do të vazhdoni ta keni edhe në librat e ardhshëm?
E kam gjithmonë. Mund të tregoj vetëm nga ana e gruas. Kam gjithmonë gruan si pjesë qendrore të romaneve të mia dhe sidomos gruan shqiptare. Në librin e 5 që do të dalë së shpejti gjithmonë unë tregoj mungesën e edukimit sentimental të grave shqiptare, atë trysni që ushtronte presioni publik i familjes i shoqërisë dhe pyetja ime; Unë jam një nga ato gra. Çështë bërë me jetën time sot mbas shumë vitesh duke qenë unë nënë e 3 fëmijëve me një identitet tjetër dhe italian në fund të fundit që unë vazhdoj të kem në fokus gruan shqiptare.
Pozitivi: Ju u larguat nga Shqiperia menjëherë pas universitetit dhe ja ku jeni sot me një karrierë të arrirë jashtë vendit. A është rasti juaj një model për t’u ndjekur nga gratë e tjera?
Unë nuk dua të jap shembull për askënd në kuptimin që nuk është e rëndësishme që ti të bëhesh shkrimtar apo në jetën tënde në momentin që ti realizon që je një njeri i lirë dhe zgjedh, pra ke mundësi zgjedhje. Nëse bëhesh shkrimtar, nëse bëhesh parukiere, nëse bëhesh mësuese, nuk është shumë e rëndësishme çfarë do bëhesh, shembulli i suksesit ndoshta është vetëm në atë pjesën që të jesh njeri i lirë që të zgjedhësh dhe të mos jesh në atë maskilizëm shqiptar që unë kam jetuar, po tani kohët kanë ndryshuar. Baza e gjithçkaje në jetën e një gruaje është e lirë të zgjedhi apo jo, nuk ka rëndësi që je e suksesshme sepse edhe ëndrra e një njeriu që ka si synim të hapi një dyqan të vogël apo një dyqan estetike është realizimi, sepse realizimi i ëndrrës tënde duke qenë e lirë të zgjedhësh për gjithçka ai është shembulli i suksesit.
Pozitivi: Ju përmendët lirinë dhe duke qenë se në fokus keni pasur gratë e para viteve ’80 dhe keni përshkruar mënyrën si kanë jetuar, si e shikoni sot gruan krahasuar me ato vite? A ka ndryshuar vërtet ky realitet në Shqipëri?
Unë nuk kam shumë elementë sepse vij shumë pak në Shqipëri dhe në atë pak që vij mund të shikoj atë fasadën e jashtme atë sipërfaqen. Mendoj që rënia e komunizmit i dëmtoi në njëfarë mënyre. Pavarësia ekonomisë është edhe pavarësi politike në fund të fundit, është edhe pavarësi e identitetit. Mendoj që kemi shembuj suksesi të paparë në Shqipëri për gra të zonja në politikë në parlament të gjitha, por për të parë në të vërtetë në çfarë gjendje është shoqëria shqiptare duhet të shikosh popullsinë rurale. Popullsia rurale, çfarë bëjnë këto gra, si punojnë. Mendoj se ka ende shumë për të bërë.
Pozitivi: Çfarë mund të na thoni për krijimtarinë tuaj në proces?
Unë po shkruaj një libër të fundit siç e përmenda pak më parë për edukimin që kam marrë unë në vitet 80 dhe për herë të parë e filloj në Itali sepse tregoj rastin e një gruaje që ka një identitet, një gjuhë tjetër. Dhe ajo shikon të kaluarën, gjithë identitetin e saj kompleks, çfarë ka marrë nga ai vend, ajo mungesë edukimi sentimental që ka pasur nga ana e familjes që në njëfarë mënyre ka qenë e kompletuar edhe nga librat, sepse ne kemi qenë një gjeneratë që kemi lexuar jashtëzakonisht. Ne jemi edhe leximet që kemi bërë, ne jemi librat, personazhet që kemi parë. Është një histori që më takon në rradhë të parë, nuk është autobiografi sepse nuk është e rëndësishme që unë të tregoj historinë time po është një histori si gjithmonë e një gjenerate të asaj periudhe që unë kam jetuar fëmijërinë dhe adoleshencën në komunizëm.
Pozitivi: A mendoni që keni bërë mirë që u larguat. Si e përfytyroni jetën tuaj nëse do qëndronit në Shqipëri?
Shumë gjëra i kam fituar, shumë gjëra të tjera i kam humbur. Nuk bëhen ato krahasime. Unë kam ikur në një periudhë historike që nuk mund të krahasohet me këtë moment që po kalon Shqipëria tani. Ndoshta tani nuk do kisha ikur. Kam ikur në një etje kulturale në atë moment, pas universitetit. Ideja e botës së madhe, mbas rënies së murit të Berlinit na dha atë hapësirën e idesë së lirisë, që mund të qarkullojë dhe ngela. Por që kam humbur dhe fituar, si të gjitha gjërat në jetë, që humbet dhe fiton nga ana tjetër.
Realizoi Beklie Koltraka
© 2019 – 2021, Pozitivi. All rights reserved.



