Respektimi i të drejtave të njeriut, mësoni në çfarë niveli është Shqipëria
01/05/2019 Shpërndaje

Respektimi i të drejtave të njeriut, mësoni në çfarë niveli është Shqipëria

Të drejtat e njeriut kanë të bëjnë me të drejtën e jetës dhe një sërë të drejtash të tjera që mbrohen me ligj. Raporte të ndryshme të realizuara ndër vite nga mekanizma ndërkombëtare kanë treguar se kategori të ndryshme në Shqipëri përballen me cënim të drejtash. OKB ka bërë një vlerësim të fundit mbi situatën e respektimit të të drejtave të njeriut për vendet anëtare, ku do të paraqitet edhe situata e vendit tonë.

Grupi i Punës së Rishikimit Periodik Universal (UPR) i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të shqyrtojë për herë të tretë të dhënat e Shqipërisë në lidhje me të drejtat e njeriut. Ky shqyrtim do të zhvillohet ditën e hënë, më 5 maj 2019, gjatë një takimi që do të transmetohet drejtpërdrejt në webcast live.

Shqipëria është një prej 14 shteteve që do të rishikohet nga Grupi i Punës UPR gjatë seancës së radhës që do të zhvillohet më datat 6-17 maj.  Rishikimi i 1-rë dhe i 2-të UPR i Shqipërisë janë zhvilluar në muajin dhjetor 2009 dhe në prill 2014. Dokumentet mbi të cilët bazohet rishikimi përfshijnë:

1) raportin kombëtar – informacion që ofrohet nga shteti subjekt i rishikimit;

2) informacionet që përmbajnë raportet e ekspertëve dhe grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat njihen si Procedurat e Veçanta, organet e traktateve të të drejtave të njeriut dhe subjekte të tjera të OKB-së;

3) informacione të ofruara nga aktorët e tjerë, duke përfshirë institucionet vendase të të drejtave të njeriut, organizatat rajonale dhe grupet e shoqërisë civile.

Të tre raportet që shërbejnë si bazë për rishikimin e Shqipërisë më 6 maj mund të gjenden këtu.

UPR-ja është një proces unik që përfshin rishikimin periodik të të dhënave në lidhje me të drejtat e njeriut të 193 shteteve anëtare të OKB-së. Duke u nisur nga takimi i parë për këtë proces i mbajtur në muajin prill 2008, 193 shtetet anëtare të OKB-së janë shqyrtuar dy herë përgjatë ciklit të parë dhe të dytë të UPR-së.  Edhe gjatë ciklit të tretë të UPR-së, shtetet pritet të bëjnë të ditura hapat që kanë ndërmarrë për të zbatuar rekomandimet e dhëna gjatë shqyrtimeve të mëparshme, të cilat kanë marrë angazhimin t’i zbatojnë, si dhe të theksojnë zhvillimet e fundit në lidhje me të drejtat e njeriut në vend.

Delegacioni i Shqipërisë do të kryesohet nga Znj. Artemis Dralo, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Të tre përfaqësuesit e shteteve që do të luajnë rolin e raportuesve (“trojka”) për rishikimin e Shqipërisë janë: Çekia, Filipinet dhe Senegali.

Seanca e asaj dite do të transmetohet në ëebcast në http://webtv.un.org. Lista e folësve dhe të gjitha deklaratat që do të bëhen gjatë rishikimit të Shqipërisë do të postohen në UPR Extranet [emri i përdoruesit (username):  hrc extranet (me hapësirë); fjalëkalimi: 1session]. Grupi i Punës UPR pritet të miratojë rekomandimet për Shqipërinë në orën 15.30, më 10 maj.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.