Rama nderohet me çmim në Shtëpinë e Bardhë
06/03/2018 Shpërndaje

Rama nderohet me çmim në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri, Edi Rama gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë në  SHBA, është nderuar me Çmimin për Pluralizmin Kulturor, me motivacionin “Për angazhim të veçantë në ruajtjen e kujtesës së Holokaustit dhe mbrojtjen e të vërtetës historike, promovimin e ruajtjes së vlerave kulturore të trashëgimisë së popullit amerikan.”

Ky çmim iu dorëzua Ramës gjatë një ceremonie të posaçme në Shtëpinë e Bardhë, nga kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer, i emëruari nga Presidenti Donald Trump. “Një surprizë e posaçme, ceremonia e marrjes së çmimit për pluralizmin kulturor, i dorëzuar nga i emëruari i Presidentit Trump në krye të Komisionit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Amerikane në Botë, Paul Packer”, shkruan kryeministri në rrjete sociale.

Packer vlerësoi përpjekjet e kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare për ruajtjen e kujtesës së Holokaustit. “Vetëm dje folëm për ndikimin dhe për lidhjen e mahnitshme të Shqipërisë me shtetin e Izraelit, por tani jam gjithashtu i nderuar që jam këtu, jo vetëm për lidhjen midis Shqipërisë dhe Izraelit, por gjithashtu një lidhje midis Amerikës dhe Shqipërisë, sepse janë shumë qytetarë amerikanë që janë shpëtuar nga vendi juaj, kështu që nga ana e Komisionit që përfaqëson Presidentin dua t’ju them faleminderit në emër të Amerikës.

Gjithashtu kam mësuar edhe për Kryeministrin sesi ju po ruani dhe kërkoni ta ruani trashëgiminë tuaj kulturore në Shqipëri dhe duke nisur tani me ndërtimin e muzeut të Holokaustit, i cili do të bëhet nga i njëjti arkitekt i muzeut të Izraelit, duke treguar lidhjen e veçantë që SHBA ka me Izraelin në nivelin kulturor dhe në shumë mënyra që SHBA do të ketë në anën e trashëgimisë me Shqipërinë, kështu që dua të them që është një nder i madh për ne”, ka thënë mes të tjerash Packer.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.