Punësimi, zgjidhja për të dalë nga skamja
26/03/2019 Shpërndaje

Punësimi, zgjidhja për të dalë nga skamja

Varfëria është një sfidë që sjell shumë dëme dhe për familjet që bien pre e saj edhe shumë pasoja. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund varfërisë është punësimi i sigurt. Shembuj të tillë janë një model i mirë për t`u ndjekur. I tillë është rasti i familjes Veizi në Fier. Ajo është e përbërë nga katër anëtarë dhe deri para pak kohësh jetonte e zhytur në mjerim të plotë. Tashmë familjes i është siguruar punësim i qëndrueshëm falë ndërhyrjes dhe bashkëpunimit të institucioneve, bizneseve dhe organizatave joqeveritare.

Si u ndihmua familja Veizi?

Rasti i kësaj familje fillimisht u ngrit si problematikë nga  shkolla 9 vjeçare ‘Trifon Prifti’ në Hamil, për shkak se fëmijët nuk shkonin në shkollë. Kushtet e familjes ishin shumë të vështira, të ardhurat  siguroheshin vetëm nga profesioni i Elisit si muzikant (baterist).

Kriza filloi kur Elisi doli DJ në treg dhe mbeti i papunë. Për të siguruar të ardhura ai u detyrua të mbledhë materiale të riciklueshme për të mbajtur familjen, por ishte shumë e vështirë përmbushja e nevojave bazike ushqimore të familjes, aq me pak shkollimi i fëmijëve. “Punoja nëpëë dasma, tani nuk kam më dasma sepse dolën DJ. Ne falimentuam. E pashë që nuk po hanim më bukë me dasmat dhe fillova të kërkoj për punë tjetër”, thotë Elisi. Pamundësia ekonomike dhe paragjykimi që fëmijëve u bëhej në shkollë (për shkak se vijnë nga komuniteti rom) nga bashkëmoshatarët, i detyroi ata ta braktisin mësimin.

Shkolla ‘Trifon Prifti’ ka një numër të konsiderueshëm nxënësish nga komuniteti rom, rreth 50 %, të cilët rezultojnë të jenë ndër më problematikët sa i përket frekuentimit të shkollës. Ndër ta ishin edhe 2 fëmijët e familjes Veizi. Pasi u evidentua rasti nga mësuesit, u zhvillua një takim me prindërit e fëmijëve.

Shkaku kryesor që kishte çuar në braktisjen e shkollës, ishte gjendja ekonomike. U mungonin librat, mjetet shkollore dhe gjithashtu kishin mungesa në veshmbathje, e shumë kërkesa të tjera të paplotësuara.  “Se përballonim dot që ti çonim fëmijët në shkollë me të ardhurat  që kishim më përpara”, thotë Elisi.

Për ta ndihmuar këtë familje dhe 2 nxënësit e tyre, shkolla njoftoi organizatat që trajtojnë rastet e fëmijëve. Me ndihmën edhe të insitucioneve vendore ata ndërhynë për të vlerësuar kushtet dhe nevojat bazike emergjente që kishte familja e Elis Veizit.

Nga verifikimi që ju bë gjendjes së familjes ezultoi që s’kishin asnjë burim të ardhurash dhe ishin në kushte të vështira jetese. Rikthimi i fëmijëvë në shkollë ka qenë një nga sfidat kryesore. Për të arritur këtë qëllim së pari duhej ndihmuar familja. Familja e Veizit u ndihmua ekonomikisht dhe materialisht.

Elisi është mbështetur fillimisht me 3 dele për mbarështim. Me kalimin e kohës ai e ka shtuar numrin e deleve dhe në të ardhmen familja mendon të shesë qingjat për mish për të siguruar më shumë të ardhura. “Pastaj nusja kaloi në kurs, i dhuruan dhe një makinë qepëse”, shton Elisi.

Situata filloi të ndryshojë, fëmijët ushqehen me qumësht dhe produktet e tjera të bulmetit. Sakaq ata gëzojnë shëndet më të mirë dhe e ndjekin shkollën rregullisht. Nga ana tjetër është bashkëshortja e Elisit, edhe ajo ishte e papunë.  Gjatë konsultave u këshillua për një kurs profesional. “Isha pa punë, kaq vite shtëpiake. Përfaqësuesit e projektit të kombeve të bashkuara “No one leave behind” më thanë se mund të shfrytëzoja një shans të mirë për të nisur një kurs. Pranova, vajta. Ia mora mirë dorën. Mësova mirë të punoj në makinë. Më sollën një makinë. Fillova punë në fabrikë, kam marrë disa rroga. Ndryshova pak ecurinë e fëmijëve se si plotësoja dot kushtet më parë”, thotë ajo.

Zyra e punës në qarkun e Fierit thotë se një nga sfidat më të mëdha të këtij komuniteti është ndryshimi i mentalitetit, për të punuar. “Një nga sfidat që kemi për këtë lloj komuniteti gjëja e parë që duhet të ndryshojë është mentaliteti. Unë personalisht kam dhe njohje personale  me shumë nga komuniteti dhe ky  është objektivi i parë, mentaliteti. Probleme të tjera janë arsimi i dobët nga ana e tyre, mospasja e një profesioni të caktuar. Këto janë sfidat reale për të punuar me këtë komunitet që ata të vijnë të integrohen në punë”, thotë drejtori i zyrës së punës në Fier.

Në familjen Veizi konsultimet mbi rëndësinë e punës dhe si të bëhen të pavarur ekonomikisht sollën rezultate pozitive. “Burri nuk donte të shkoja në kurs fillimish e pastaj në punë se ishte mësuar që gratë të rrinë në shtëpi me të larë e të shpërlarë. Tani me ndihmën e projektit, u mësua duke ikur unë, me idenë që do futem në punë e do marrim lekë. Tani është shumë i kënaqur”, thotë bashkëshortja.

Pasi pranoi, asaj iu mundësua kursi falas.  E ndoqi kursin e formimit profesional për rrobaqepësi dhe pas përfundimit të kursit, falë bashkëpunimit dhe me bizneset është bërë i mundur punësimi i saj në një fasoneri. Njëkohësisht punon edhe në shtëpi në kohën e lirë, në makinën e saj qepëse të mundësuar nga projekti. Bizneset kanë qenë bashkëpunuese sa i përket këtyre rasteve. Janë treguar të gatshme t’u japin mundësinë kryefamiljarëve në nevojë që kanë përfunduar një kurs profesional, në fushat ku ata operojnë.

Elisi i ka shtuar delet, bashkëshortja vijon të punojë në rrobaqepësi. Familja tani arrin t’i përgjigjet nevojave të fëmijëve. Pas kësaj edhe fëmijët ndryshuan sjelljen, frekuentimin, dëshirën për të mësuar e për të qenë njëlloj si të tjerët. “Tani kanë ndryshuar gjërat. Fëmijët e vazhdojnë shkollën normalisht, janë të paisur me të gjitha mjetet dhe librat. Ata ndihen të barabartë me tjerët. Shkojnë në shkollë me shumë dëshirë”, thotë Elisi.

Gjatë një vizite në familjen e tyre, në oborrin përpara shtëpisë ndodheshin gjedhët, të cilët ishin shtuar në numër nga dita që morën 3 të parat. Kishte më shumë gjallëri dhe gëzim. Ata u shprehen se janë shumë të kënaqur nga mbështetja e dhënë prej projektit. Kjo ishte një shtysë e madhe për ti inkurajuar të punojnë më shumë dhe për të zhvilluar ekonominë e familjes.

Hapat e parë i kanë hedhur dhe shpresa që në të ardhmen të mos kthehen më kurrë pas, janë rritur dhe vazhdojnë të rriten me zgjerimin e mundësive ditë pas dite. “Tani që unë dhe bashkëshorti jemi në punë i arrijmë kushtet që kërkojnë fëmijët. Kemi për të rregulluar shtëpinë. Kërkesat rriten por ne do punojmë më fort e do tja dalim Më përpara nuk kisha vajtur në zyrën  e punës se nuk kërkoja dot punë, se skisha zanat. Tani e kam derën hapur, vete ku të dua, po të kem nevojë kërkoj punë”, e përmbyll rrëfimin e saj kryefamiljarja.

Ky mund të cilësohet pa frikë një rast suksesi kur institucionet dhe organizatat bëhen bashkë për ti ofruar një zhvillim të qëndrueshëm familjeve në nevojë dhe jo thjesht dhe vetëm një pagesë perms ndihmës ekonomike.

[su_custom_gallery source=”media: 11756,11757,11758,11759″ link=”lightbox” width=”250″ height=”750″ title=”never”]

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.