Pronari i hoteleve në Vlorë, ofron akomodim për të prekurit e tërmetit
Tërmeti i fuqishëm ka lënë në qiell të hapur qindra familje në Durrës, për shkak të shembjes dhe dëmtimit të banesave të tyre. Solidarizimi dhe ndihma për to nuk ka munguar nga qytetarë dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë. Një prej tyre ka qenë edhe pronari i disa hoteleve në Vlorë, i cili ka bërë një gjest human duke ofruar strehim për familjet e prekura nga kjo tragjedi.
Vasil Bedinaj, pronari i “Regina Group” ka vënë në dispozicion të gjithë njësitë akomoduese të hotelerisë për personat e prekur nga tërmetet. Ai thotë se “Regina Group nga ky moment vë në dispozicion rrjetin e hoteleve të saj, për akomodim të familjeve të prekura”, ndërsa u bën thirrje për solidarizim edhe biznesmenëve të tjerë për të ndihmuar në këto moment të vështira.
“Miq, në këto orë të vështira për Shqipërinë duam t’ju gjendemi pranë bashkëqytetarëve të prekur. Regina Group nga ky moment vë në dispozicion rrjetin e hoteleve të saj, për akomodim të familjeve të prekura. Hotel Regina City, Florence, Al Hotel dhe Jerolda Hotel vihen në dispozicion të shtabit të energjencave. Vlora fatmirësisht është një vend i sigurt për akomodim në këtë moment. Ftoj bizneset e qytetit të solidarizohen, vendi po kalon momente të vështira. Lutemi për Shqipërinë e solidarizohemi me dhimbjen e vëllezërve e motrave që luftuan për jetën, ata që ende luftojnë apo ata që humbën përballjen me natyrën”, ka thën Bedinaj.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
