PAS SHKODRËS DO JETË DHE TIRANA QYTETI I BIÇIKLETAVE?
31/01/2023 Shpërndaje

PAS SHKODRËS DO JETË DHE TIRANA QYTETI I BIÇIKLETAVE?

Të udhëtosh me bicikletë është trend, turp apo aventurë e rrezikshme?

Në Shqipëri të gjitha këto perceptime qendrojnë. Një pjesë e banorëvve sidomos në zona më pak të zhvilluara e zgjedhin bicikletën si mjetin më ekonomik për të lëvizur.  Por në Tiranë një lëvizje e nisur vitet e fundit sidomos nga personazhe që shërbejnë si influencer për opinionin publik kanë nxitur mendimin e kundërt: Të udhëtosh me bicikletë është trend. Bën mirë për shëndetin sepse mban trupin në aktivitet fizik … dhe mund të ekspozosh edhe një biçikletë të bukur që ia vlen të komentohet në rrjete sociale nga ndjekësit e tu.

Për të nxitur lëvizjen me biçikleta Bashkia e Tiranës ka nisur prej vitesh shtimin e korsive,  duke nxitur edhe pakënaqësitë e bizneseve anës rrugës, pasi janë ata që vuajnë më shumë heqjen e parkimeve për automjetet.

Premtimet elektorale

Bashkia Tiranë premtoi në fillim të vitit 2018, se qytetit do t’i shtoheshin edhe 10 km korsi e dedikuar, ndërhyrje që do të shtriheshin në disa zona si: Aksi bulevardit “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio. Po kështu, edhe në rrugën e re të Kombinatit. Dhe në fakt kjo ka ndodhur, pasi Tirana tanimë rezulton si qyteti me numrin më të madh të korsive të biçikletave, krahasuar kjo me qytetet kryesore të Shqipërisë.

Situata aktuale

Tirana e sotme mund të konsiderohet një qytet më miqësor me biçikletat, në krahasim me sa ishte 5 apo 6 vite më parë. Janë të shumta rrugët në kryeqytet, që kanë një korsi të tillë për çiklistët, duke bërë që të rritet numri i përdoruesve të biçikletave. Pandemia nga Covid-19 rriti gjithashtu ndjeshëm përdorimin e biçikletave dhe kjo konfirmohet edhe nga hapja e bizneseve të reja që i tregtojnë ato. Jo vetëm kaq, por me rritjen e çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit të vitit 2022, përdorimi i biçikletës nga kryeqytetasit po kthehet në një mjet alternativ të lëvizjes.

Sot qyteti ka rreth 35 kilometra rrjet të korsive të reja të biçikletave dhe bashkë me ato ekzistuese numërohet një total prej 44 kilometrash. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë Tiranë, kjo është një shifër e kënaqshme duke iu referuar punës së nisur mbi 5 vjet më parë me korsinë e realizuar tek rruga “Dritan Hoxha”.

Sipas Ornela Mustës,  Përgjegjëse pranë Drejtorisë së Përgjithëshme të Rrugëve & Ndriçimit Publik, Bashkia Tiranë “Kjo ka lehtësuar shumë lëvizjen e njerëzve. Edhe me ata që këmi pasur kundërshtarë në thonjëza, fillimisht, duke qenë se vendet e parkimit u zunë, vendet e qëndrimit pranë subjekteve të ndryshme u zunë nga korsitë e biçikletave dhe kishim kundërshti. Po këta njerëz që na kundërshtuan në fillim, janë këta njerëz që sot na falenderojnë sepse duke parë që korsitë e biçikletave kanë ndikuar edhe në uljen e ndotjes së ajrit në qytetin e Tiranës. Kush është ai prind që nuk do që fëmijën e vet ta rrisë në një ambient të pastër, kjo ka ndikuar shumë. Në vazhdojmë të zgjerohemi akoma më tepër dhe kemi në projekt që të bëjmë edhe lidhje të korsive të bicikletave në qytetin e Tiranës. Dhe projekti është që nga 35 kilomentra që e kemi duam të arrijmë në 55 km dhe më tepër” .

Në pjesën më të madhe, rrjeti i korsive të biçikletave të lidh me zonën e Parkut të Liqenit dhe lidhja është bërë enkas kështu me qëllim që fokusi të jetë tek gjelbërimi. Rëndësi i është kushtuar gjatë këtyre viteve edhe sinjalistikës përkatëse me qëllim ruajtjen e jetës së çiklistëve dhe kalimtarëve.

Sipas Bashkisë, që tashmë ka vendosur edhe numratorë për numërimin e çiklistëve,  vetëm në një muaj lëvizin mbi 300 mijë çiklistë në Tiranë.

Paralel me korsitë e biçikletave janë ndërtuar edhe postacionet e tyre. Sipas të dhënave të Bashkisë Tiranë, qyteti ka aktualisht më shumë 50 postacione biçikletash të vendosura si në rrugë kryesore, dytësore apo dhe nëpër blloqe pallatesh. Postacionet e këtyre të fundit realizohen me kërkesat e vetë banorëve, pra komunitetit të një lagjeje.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.