Pallatet ‘e braktisura’, legalizohen 7100 apartamente në Tiranë për 2 vite
23/11/2019 Shpërndaje

Pallatet ‘e braktisura’, legalizohen 7100 apartamente në Tiranë për 2 vite

Drejtoria e Kadastrës ka legalizuar 7100 apartamente dhe 620.000 m2 ndërtim në Tiranë në dy vite.

Pallatet pa leje të dalë nga leja e ndërtimit, apo të braktisura nga investitori kanë mundur të fillojnë te bëhen pronë e banorëve që i zotërojnë këto prona, vetëm dy vitet e fundit.

Ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame i cili gjatë një ceremonie për shpërndarjen e lejeve të legalizimit të një pallati të braktisur nga investitori ka deklaruar se janë legalizuar “rreth 7100 apartamente vetëm në Tiranë nga pallatet e braktisura me rreth 620.000m2 ndërtim të cilat ishin të mbetura si plaçkat e kasapit, sepse askush nuk i dilte për zot, përveç mijëra qytetarëve që vinin vërdallë për të legalizuar pallatin”.

“Megjithë pallatin e sotëm shkojmë rreth 7100 apartamente të legalizuara vetëm në Tiranë nga pallatet e braktisura me rreth 620.000m2 ndërtim të cilat ishin të mbetura si plaçkat e kasapit, sepse askush nuk i dilte për zot, përveç mijëra qytetarëve që vinin vërdallë për të legalizuar pallatin”, u shpreh Lame.

Drejtori i Kadastrës shfrytëzoi sërish një aktivitet të tillë për të bërë thirrje gjithë qytetarëve që janë në pallate të braktisura që të bëhen bashkë për të vijuar me procesin e legalizimit dhe hipotekimit të objektit duke iu drejtuar agjencisë.

“Ka qenë një nga ato rastet që ka shkuar mbarë megjithëse subjekti ishte zhdukur dhe prapë është e pafalshme që subjektet që bëjnë objekte kaq të mëdha sot, ne dalim edhe themi se nuk gjejmë dot subjektin. Është absurde! Ne për këtë kemi dërguar në Bashkinë e Tiranës një listë subjektesh me logjikën që të mos marrin më lejen e ndërtimit pa mbyllur problematikat me objektet që kanë nisur për dy arsye: njëra është për tu bërë presion që të vazhdojnë procedurat këtu (Kadastra) dhe e dyta të mos marrin në qafë blerës të tjerë! Arsyeja që këtu procesi i legalizimit përfundoi është që ju u bëtë bashkë dhe erdhët e ndoqët procedurat në agjenci. Po u bëtë bashkë legalizimi i pallateve ecën, po nuk u bëtë bashkë legalizimi i pallateve nuk ecën.

Nuk mund te procedojmë ne me një banor këtu dhe një banor atje. Lejet e legalizimit, regjistrimin, certifikimin, legalizimin e pallateve, regjistrimin e pronave në Kadastër i bëjnë vetëm punonjësit e Kadastrës. Mos u merrni me lloj-lloj sekserësh qe vinë si hijena poshtë e përpjetë. Merruni vetëm me punonjësit e kadastrës”, ka shtuar më tej Lame.

Banesat janë ndërtuar prej vitit 1997 e kanë vijuar deri në vitin 2015. Ndërsa banorët kanë mundur të fillojnë te bëhen pronarë të tyre vetëm dy vitet e fundit. Kjo ka ndodhur pasi Këshilli i Ministrave nxori vendimin e posaçëm për të pajisur me certifikatë pronësie banorët e këtyre kategori pallatesh dhe arsyeja e miratimit të kësaj VKM, ishte zgjidhja e problemit të një fluksi të madh qytetarësh, të cilët kishin blerë apartamente apo njësi shërbimi, por nuk ishin pajisur me certifikata pasurie, pasi ndërtuesit e kishin braktisur në mes procedurën.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.