Nxënëset që tërheqin autobusin e shkollës në baltë frymëzojnë të tjerët në botë
Në Indi shkolla ka nisur, ndërsa në vendin tonë nga dita e hënë të gjithë parashkollorët, nxënësit e shkollës fillore dhe gjimnazistët do shkelin për herë të parë në banka, duke hedhur hapin e parë të dijes për vitin 2017-2018.
Në një fotografi që po bën xhiron në rrjete sociale, janë disa nxënëse që po tërheqin autobusin e shkollës që ka mbetur në baltë. Nxënëset indiane që tërheqin autobusin e shkollës të mbetur në baltë pasi automjeti ka pësuar një defekt, janë komentuar gjerësisht në rrjet. Shumë njerëz dhe nxënës janë inspiruar prej tyre dhe i kanë cilësuar si shembull të fuqisë së vërtetë të vajzës, shkruan pozitivi.org.
Adoleshentet nga Manipur, në veri-lindje të Indisë, po ktheheshin nga një udhëtim në Liqenin Loktak për në shkollë, por autobusi thuhet se mbeti në baltë të trashë. Dhjetëra adoleshente, me veshjen tradicionale, siç shihet nga fotoja po përpiqen të nxjerrin makinën e madhe nga balta duke përdorur një litar të trashë.
Vajzat besohet të jenë studentë të Kolegjit Waikhomani Girls, pranë qytetit të Imphal, afër kufirit të Mjanmarit. Shumë njerëz i lavdëruan vajzat, duke “përshëndetur guximin” e tyre në një “situatë të pafavorshme” dhe duke i përshkruar ato si “gra të fuqizuara” që dëshmojnë se “asgjë nuk është e pamundur”.
Në të vërtetë kjo është një foto që flet shumë. Nxënëse që përpiqen të nxjerrin autobusin që po i çon ato në shkollën e tyre, në rrugën e dijes. Të guximshme, të forta, vajzat gjithmonë ia kanë dalë dhe tashmë do ia dalin., shkruan pozitivi.org. Uroj që të njëjtin guxim dhe vullnet për të studjuar të kenë edhe nxënësit që vazhdojnë shkollën në vendin tonë nga dita e hënë.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
