“Njeriun e karakterizon zemra, jo trupi”
02/02/2018 Shpërndaje

“Njeriun e karakterizon zemra, jo trupi”

Nga Beklie Koltraka

Marigona Përvetica është një vajzë nga Podujeva, me trup të vogël dhe zemër të madhe. Ka lindur me nanizëm por asgjë s’e ka ndalur të realizojë ëndrrat dhe të jetë e suksesshme. Ajo është 24 vjeç, studion për Drejtësi në Fakultetin e Prishtinës, ka pasion aktrimin dhe modën, të cilave iu kushton një pjesë të kohës.

Në një intervistë për pozitivi.org Marigona tregon më shumë nga jeta e saj. Në shkollë e ka pasur të vështirë, pasi përflitej për shtatin e shkurtër, por falë motrës dhe mbështetjes së pakufizuar të familjes për ta motivuar ia ka dalë të thyejë çdo barrierë që i ka dalë përpara. Gjatë intervistës ajo thekson një shprehje të nënës së saj që e ka bërë të ngrihet në momentin më të vështirë. “Njeriun e karakterizon zemra jo trupi”. Kjo shprehje është kthyer në motiv jete për të.

24 vjeçarja ka një rreth të gjerë shoqëror, i cili është i përbërë nga njerëz me shtat të vogël dhe të lartë, por të gjithë me zemër të madhe si Marigona. Ata luftojnë për të drejtat e tyre, si dhe kanë treguar se munden t’i shërbejnë vendit ku jetojnë. Marigona tregon për pozitivi.org momentet më të bukura në jetë, planet që ka, nga i buron gjithë kjo energji pozitive të cilën e vë në zbatim gjithmonë.

Gjykatësja e ardhshme zbulon për Pozitivin se po bën realitet një ëndërr që s’e kishtë menduar që do t’i plotësohej ndonjë ditë. Tepër e entuziazmuar, tha se është ftuar të marrë pjesë në një film dramë, i cili ende nuk ka përfunduar. Vajza me trup të vogël beson se mund të bëjë gjëra të mëdha.

Intevista me Marigona Përvetica për pozitivi.org:

Pozitivi: Marigona ne të kemi pare të shfaqesh në disa emisione të ndryshme, të flasësh për hobet që ke dhe historinë tënde, por duam një prezantim ndryshe, enkas për Pozitivin. Kush është Marigona…?

Marigona: Marigona është një vajzë me nanizëm…është 24 vjeçe dhe synon te arrijë suksese në jetën e saj në fushën e aktrimit ndonëse atë e ka hobi. Jam kreative me gjërat që më rrethojnë, dhe e dashur me të gjithë. Ajo që më karakterizon është se unë luftoj për ëndrrën time dhe nuk heq dorë, edhe pse jam vajzë me nanizëm.

Pozitivi: A mund të na e përshkruash historinë e jetës tënde me pak fjalë? A kishe njohuri mbi nanizmin kur t’u tha se edhe ti je e prekur? Si e ke pritur?

Marigona: Historia e jetës time është kjo: Kam qenë e interesuar të lexoj që në moshën 5 vjeçare, kur hyra në klasën e parë në shkollë filluan të flasin o kjo vajza, o kjo vajza shtatshkurtër…ishte e vështirë por me motrën time isha në një klasë dhe ajo me fliste gjatë rrugës leee se askushi s’janë këta, qaja me orë të tëra kur isha në shtëpi… Mamaja dhe motra më thoshin nuk është asgjë kjo sepse njeriun e karakterizon Zemra jo trupi.

Nuk kam pasur njohuri asnjëherë për nanizmin sepse në familjen time isha vetëm unë… asgjë tjetër. Nanizmin e kam pritur si një njeri që brenda saj ka vetëm dashuri për një vajzë e cila isha unë. Me ndihmën e familjes kuptoja që nanizmi karakterizon ato që janë njerëz të dashur dhe jo njerëz të këqinj.

Pozitivi: A ke shoqëri me persona qe janë të prekur nga nanizmi? Si je njohur me ta, për çfarë organizoheni, sa e kuptoni njëri-tjetrin?

Marigona: Po kam shoqëri që janë të prekur me nanizëm, janë persona shumë të dashur dhe shumë të respektueshëm! Krenar-krenare janë njerezit që në shoqërinë e tyre kanë një person me nanizëm. Jemi njohur përmes organizatës kur kemi qenë më të vegjël, organizohemi bashkë për ndonjë kafe bëjmë muhabet, shprehemi për mangësitë e njeri-tjetrit…qeshim pafund.

Kuptimi i njërit-tjetrit është në maksimum për shkak se ne i kemi të njëjtat probleme dhe asnjëri nuk ka me shumë apo më pak, edhe pse nanizmi ndahet në kategori të ndryshme. Zakonisht mblidhemi nëpër konferenca që kemi bërë këtu në Kosovë, luftojmë për të drejtat tona që të jemi në qendër të vëmendjes për opinionin publik dhe atë institucional. Në raste shoqërore jashtë organizatës mblidhemi për kafe, ndonjë festë dhe kënaqemi.

Pozitivi: Pak më lartë the që keni mbajtur konferenca për të drejtat tuaja. Për çfarë kanë qenë konkretisht?

Marigona: Ne kemi një organizatë në Kosovë “Little People of Kosova”, por më konkretisht ato kanë qenë të fokusuara në faktin si të jemi të barabartë, si të kemi qasje nëpër institucione, dhe të tregojmë se edhe ne mundemi të punojmë, të jemi aktiv gjithmonë! Mbi të gjitha të tregojmë që ne mundemi t’i shërbejmë shtetit tonë!!

Pozitivi: Të kemi parë gjithë kohës aktive, mbi të gjitha transmeton shumë energji pozitive. Çfarë e frymëzon Marigonën?

Marigona: Jam aktive për shkak se jam edhe në fakultet, dhe jam aktive dhe për një film i cili ende nuk ka mbaruar por shpresojmë që ta mbarojmë së shpejti… Jam e sigurt që do të dalë një film i bukur i mirë… S’mund të tregoj shumë detaje, vetëm do them se është me metrazh të gjatë dhe film dramë!

Ajo që më frymëzon më së shumti është bota e njerëzve, mendimet dhe karakteristika e njerëzve të cilët hasim ne çdo ditë… njerëzit që shpërndajnë dashuri dhe që të motivojnë çdo ditë e më shumë!! Të tregojnë që t’i mundesh të ecësh përpara, të vazhdosh të luftosh.

Pozitivi: Si është një ditë e jotja?

Marigona: Dita ime që në mëngjes është që të shkoj në fakultet dhe me pas të dal me shoqërinë time. Gjithashtu ditën mësoj dhe shikoj filma. Por ajo që më motivon është gjithmonë dita e nesërme e cila me sjell surpriza, çdo ditë kam një surprize dhe që çdo herë ma bën ditën të veçantë secilën.

Pozitivi: Kush janë disa nga momentet më të bukura që ke kaluar në jetë?

Marigona: Momentet më të bukura janë ato nga motra ime, Florentina e cila për ditëlindje më bën surpriza, momenti kur është martuar motra dhe teksa e kam parë të veshur me vello të bardhë që shndriste. Gjithashtu të veçantë do të quaja edhe ftesën që më kanë bërë për film, të cilin vetëm e kisha ëndërruar dhe nuk mendoja që ndonje ditë të më bëhej realitet.

Pozitivi: A beson se vajzat e vogla mund të bëjnë gjëra të mëdha?

Marigona: Vajzat e vogla jo vetëm që munden të bëjnë gjëra të mëdha por munden të bëjnë gjera të mahnitshme që të mbetet syri te ato, kanë imagjinatë dhe zgjuarsi të zhvilluar sa të bëjnë gjera që shndrisin…varet nga profesioni i tyre!!!

Pozitivi: Ti studion drejtësi, pse zgjodhe këtë degë, dhe cilat janë ato gjera të mëdha që mendon të bësh?

Marigona: Zgjodha drejtësinë, sepse ka shumë njerëz të cilët duhet t’i tregosh se nuk duhet të bëhen të padrejt, kundër personave të tjerë. Profesioni im është të behem gjykatëse dhe çdo njeri të marrë atë dënim të merituar për veprën që bën! Ajo që mendoj të bëj është që të kemi drejtësi me shumë ta zhdukim padrejtësinë nga njerezit dashakeq.

Pozitivi: Një mesazh që do t’u dërgoje të gjithëve përmes Pozitivit?

Marigona: Nëse je rrëzuar mendo që duhet të ngrihesh dhe të luftosh për ëndrrat e tua, dhe të falësh sa më shumë buzëqeshje e dashuri për njerëzit e tjerë!

© 2018 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.