Kur triumfon mbi pushtetin e ujit, momente të vështira por emocionuese nga përmbytjet
Disa nga momentet më të vështira por triumfuese u kanë dhënë shpresë shumë familjeve dhe qytetarëve të përmbytur. Nën pushtetin e ujit janë shumë zona, ndërsa banorët kanë mundur të largohet falë forcave ndihmëse, vullnetit të tyre dhe kontributit që kanë dhënë për njëri-tjetrin.
Një moment të rrezikshëm kapërcyen banorët e fshatit Vanë në Delvinë pasi u shemb ura e Kanatës. Uji i madh ka rrezikuar jetën e disa personave, ndaj banorët kanë mbledhur forcat duke shpëtuar personalisht nga rrjedha e ujit 3 persona përmes një zetori. Të lidhur me litar kanë shpëtuar 3 vetë mes tyre një 20 vjeçar me hemoragji.
Po në Sarandë, lumi Pavëll ka dalë nga shtrati duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë, si dhe ka shkaktuar dëme tek banorët. Në rrezik kanë qenë një çift bashkëshortësh Lulëzim e Nevreze Barjami, të cilët kishin mbetur të bllokuar prej orësh duke mbrojtur bagëtitë e tyre. Policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka shpëtuar çiftin në orën 02.00 të mëngjesit por bagëtitë i ka marrë rrjedha e lumit. Mësohet se bashkëshortët kishin ngelur të izoluar në fushën e Shalësit, ku ndodheshin me bagëtitë.
Një tjetër moment i rëndë ka qenë kur është shembur ura e Vanës, ndërkohë që mbi të po kalonte një furgon një furgon i mbushur me pasagjerë. Fatmirësisht s’ka pasur të lënduar edhe pse furgoni ka shpëtuar pak para se të binte në humnerë.
Në Vlorë një 70 vjeçare është shpëtuar nga forcat e policisë, pasi kishte mbetur e ngujuar në banesën e saj prej dy ditësh. Mësohet se në katin e parë të shtëpisë së zonjës uji kishte hyrë cep më cep, ndërsa e moshuara është ngjitur në katin e dytë për të shpëtuar jetën. Ajo jetonte vetëm por fatmirësisht në ndihmë i ka ardhur policia të cilët e kanë zbritur me shkallë nga dritarja e katit të dytë.
Momente tepër emocionuese kanë pasur pafund dhe në raste tjera kur njerëzit janë shpëtuar nga zonat e përmbytuara. Një foto që s’ka nevojë për fjalë është e kësaj nënë me të bijës 3 vjeçare, që u shpëtuan nga përmbytjet e fshatit Mallkuç në Fushë-Krujë nga Forcat e Armatosura. Forca me të cilën shtrëngon të bijën flet shumë. Këto ishin disa nga rastet që Pozitivi.org ka përzgjedhur, mes qindra të tjerave.
Shumë familje kanë pësuar dëme të mëdha nga katastrofa që u shkaktua këto 2 ditë por e rëndësishme është që të shmangen sa më shumë dëmet në njerëz. Jeta e banorëve është mbi të gjitha.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.









