Një grua e dhunuar i largohet shtëpisë së torturave
25/11/2019 Shpërndaje

Një grua e dhunuar i largohet shtëpisë së torturave

Unë jam një ndër gratë e dhunuara nga bashkëshorti. Kjo është historia ime e trishtë. Gjithçka ka filluar në moshën 17 vjeçare kur prindërit më martuan me një burrë 30 vjet më të madh se unë.

Ishte një martesë e padëshiruar që më ka lënë brenga të cilat nuk më janë shëruar gjithë jetën. Prindërit më martuan me shkuesi pa më pyetur.

Përpara martesës nuk e kam takuar asnjëherë personin me të cilin presupozohej të kaloja jetën. Takimi i parë ndodhi ditën që ne shkëmbyen unazat e fejesës. Ka qenë në një drekë së bashku me familjet dhe as nuk kam mundur ta shoh në sy e jo më të bisedoj me të.

Tradita dhe mentaliteti i familjes time, më mohoi mundësinë e një bisedë normale të shkurtër që çdo vajzë minimumi mund të bëjë përpara fejesës. Për herë të parë kam arritur të bisedoj me bashkëshortin pasi jam bërë nuse dhe shkova tek shtëpia e tij.

Kjo nuk është ajo që unë doja për veten. Edhe pse e kundërshtova babain i cili është një njeri me zakone dhe tradita të forta, ata s’morën parasysh asgjë, as faktin që ish-burri im ishte në një moshë kaq të madhe. Për babain tim nuk ishte aspak problem mosha dhe as çfarë dëshiroja unë. Prandaj prej mentalitetit të prindërve u detyrova që të pranoj një martesë e cila në të ardhmen do t’ma bënte jetën ferr.

Refuzova disa herë por ishte e kotë. Babai mori vendimin të më martojë me një person shumë më të madh për faktin se ne ishim shumë fëmijë dhe mendonte se duke na martuar barra do të ishte më e lehtë për familjen. Pa u menduar dy herë dhe pa marrë parasysh moshën time, madje as moshën e ish-burrit, e mori vendimin.

Martesa ime me një burrë shumë më të madh dhe pa aprovimin tim nuk ishte e para që ndodhte në familjen tonë. Edhe motra ime u martua në të njëjtën moshë me mua, pra 17 vjeçe. Edhe ajo ka pasur të njëjtin fat, por nuk mundi të bëjë asgjë për mua. Kur mori vesh vendimin e babait më tha se i vinte shumë keq si dhe më paralajmëroi për vështirësitë që do të kem, të cilat i kishte kaluar edhe vetë disa vite më parë.

Gjërat rrodhën shpejt, pa u njohur, ne u martuam. Biseda e parë me bashkëshortin ndodhi pas martesës. Diskutuam rreth planeve të së ardhmes për një jetë më të mirë. Pavarësisht diferencës në moshë, ditët e para nuk ishin problematike. Dhuna për mua nisi që në vitin e parë.

E kujtoj aq mirë ditën kur ai vuri dorë mbi mua për herë të parë. Ishte fillimi i një dhune që s’kishte fund. ishte viti jonë i parë i martesës. Gjithçka filloi një ditë të zakonshme kur ai sapo ishte kthyer nga qyteti për në shtëpi. Në ato momente po qëndroja me vjehrrën, me të cilën kisha marrëdhënie shumë të mira.

Kur ai hyri në shtëpi na kërcënoi duke thotë se do na vriste të gjithë, duke filluar së pari me mua. Kanë qenë këto momente kur ai ka filluar të ushtrojë dhunë mbi mua dhe e vetmja gjë që mbaj mend janë goditjet e para. Më rrahu aq keq saqë humba ndjenjat. Kur u përmenda pranë kokës kam parë vetëm kunatën time, ajo ishte në një moshë me mua. Dhe askush tjetër sishte aty. Ndërkohë në atë periudhë sapo isha bërë nënë e një djali, djalit tonë të parë, i cili ishte vetëm 3 muajsh.

Torturat në shtëpi nuk kishin të ndalur. Ish-bashkëshorti nuk më dhunonte vetëm mua. Ai ushtronte dhunë edhe ndaj prindërve dhe motrave të tij. Pas çdo sherri pasi qetësohej bisedonim por asnjëherë nuk më kërkoi falje. Ai nuk i kërkonte falje askujt, as prindërve, të cilët i luteshin që ti linte të qetë dhe të mos sillej në këtë mënyrë me ne. Vazhdimisht e pyesnin se çfarë e detyron ta bëjë një gjë të tillë. Pse e rreh gruan në këtë mënyrë i thonin. Por ai ashtu ishte nuk ndryshonte dot. Sjellja e tij e dhunshme ishte bërë rutinë e përditshme në familje. Kur largohej nga shtëpia të gjithë ishim të qetë, ndërsa kur kthehej fillonin vuajtjet dhe tortura.

Unë vuaja çdo ditë, sepse dhuna mbi trupin tim ishte e pakontrrolluar, shpesh edhe ekstreme. Barbarisht jam goditur edhe me thikë dhe kaçavida. Por edhe pse kam përjetuar dhunë ekstreme u bëra e fortë dhe durova gjatë.

Ndonëse është diçka e pakonceptueshme të durosh dhunën e bashkëshortit për vite me rradhë por këtë e kam për shkak të rrethanave dhe frikës që kisha për ta denoncuar. Nuk kisha asnjë mundësi që ta denoncoj në polici. Me familjarët ai nuk më lejonte të kontaktoj, më dëgjonte sa herë flisja, nuk më linte të mbaj telefon dhe prandaj isha e detyruar ti duroja të gjitha sjelljet e tjera derisa vendosa ta thyej heshtjen e të flas me atë që vendosi fatin tim.

Të gjithë çka kisha kaluar dhe situatën në të cilën ndodhesha ia tregova babait. I thashë që po vuaj, por përgjigjia që mora ishte shumë zhgënjyese. Duhet të vuash ashtu siç vuajnë të gjithë femrat nga bashkëshortët e tyre më tha. Kjo ishte zgjidhja që babai më ofroi.

Kisha mbërritur në fazën ku nuk po duroja dot më. As nga prindi nuk mora mbështetje. E akuzova se ai ishte shkaktari i situatës në të cilën ndodhesha. Babai ma bëri të qartë të mos mbaja shpresat tek ai, por të pranoja fatin tim: “Ajo ka qenë jeta jote, ai ishte fati yt, ti duhet ti bindesh bashkëshortit”, më tha. Pas këtyre fjalëve edhe ajo pak shpresë që më kishte mbetur për t’ju larguar kësaj torture nga bashkëshorti u shua. Në ato momente e ndieva veten të pafat, sikur do vdisja dhe se skishte asnjë mbështetje.

 Ditët e mia si një grua e dhunuar kanë qenë të vështira, të tmerrshme. Ishin ditë pa dritë, pa liri, me frikë. Pas momenteve të dhunës e ndiente veten të humbur, ndihej e pafuqishme. Për të s’kishte gjë më të tmerrshme se të luftonte çdo dite për jetën.

Brenga më e madhe për mua ishin fëmijët. Edhe ata përjetuan të njëjtat ndjenja si unë. Çdo ditë qanin ndërsa më shikonin në atë gjendje, të rrahur për vdekje nga babai i tyre. Kur shkonin në shkollë me vete mbartnin frikën që ai do të më rrihte dhe ata s’do mund të më ndihmonin dot. Kërkonin më shumë kujdes, pasi prej situatës që krijohej u mungonte. Unë s’isha në gjendje gjithmonë të kujdesesha për to. Shpesh më pyesnin përse nuk shkoja ti merrja në shkollë siç shkojnë të gjithë prindërit e tjerë. Por unë s’kisha një përgjigje që çdo prind do të donte ti jepte fëmijës së tij.

Fëmijët u bënë mbështetja ime më e madhe. Më vjen keq për diçka se i kam trajtuar si të rritur. Ata kanë qenë të vetmit që më kanë qëndruar çdo ditë pranë. Më kanë mjekuar çdo plagë të dhunës dhe më kanë mbushur me dashuri. Tek ata jam shprehur edhe për gjëra që s’duhej por kanë qenë e vetmja shpresë dhe dritare për mua.

Në shumë ditë të jetës kam tentuar edhe vetëvrasjen. E vetmja gjë që më ka bërë të ndërroj mendje kanë qenë fëmijët. E ardhmja e tyre. Nuk guxoja as ta çojë ndër mend ti lija në duart e të atit, sepse një njeri që ushtron dhunë barabare ndaj të shoqes nuk është një baba i papërgjegjshëm. Ai s’ishte njeri i përgjegjshëm.

Siç kemi dëgjuar raste grash të tjera të dhunuara jo në të gjitha rastet mund ti largohesh kollaj një dhunuesi. Por unë ia dola të marr guximin e të shpëtoj nga dhuna e përditshme.

Një ditë ndërsa ish-bashkëshorti ishte në shtëpi, në një moment që nuk ndodhej në dhomë i rrëmbej telefonin dhe marr policinë. Pas telefonatës mbrojtja nga strukturat shtetërore ka qenë e menjëhershme. U largova nga shtëpia së bashku me fëmijët. Kam marrë urdhrin e mbrojtjes dhe gjykata më ka strehuar në një qendër grashë të dhunuara. Fillimisht urdhri i mbrojtjes ka qenë për 15 ditëshin e parë dhe më pas mora atë 1 vjeçar.

Edhe pse shpëtova nga tortura së bashku me fëmijët, largimi nga shtëpia për mua s’ka qenë i lehtë. Të marrësh guximin të denoncosh në polici e vetmja gjë që mendon është se do të përfundosh në rrugë pa asnjë mbështetje. Pa një vend ku të strehohesh. Këtë frikë ma shtoi edhe mungesa e besimit te strukturat shtetërore. Kam menduar se as ata s’do ta mbrojnë sepse nuk ka pasur informacion sesi funksionon. Por atë ditë kur jam larguar nga shtëpia në makinën e policisë, as nuk mendova ti pyes ku do të më dërgojnë, e vetmja gjë që mendova ishte largimi nga shtëpia e torturave.

Për gratë e dhunuara pasojat e dhunës shfaqen në forma të ndryshme. Dhimbjet e kaluara nuk harrohen, por ato jetojnë me ne. Edhe unë për një kohë të gjatë kam jetuar me kujtimet e dhunës por rëndësi ka që tani jam e qetë dhe ndaj meje nuk ushtrohet më dhunë. Për sa kohë jam në urdhër mbrojtje e ndjej veten të mbrojtur. Pjesa më e trishtueshme për mua është kur mendoj se mund të largohem nga qendra. E kam provuar, kur më ka mbaruar urdhri i mbrojtjes jam larguar për disa kohë kam jetuar jashtë qendrës derisa e rimora sërish. E vetmja frikë me të cilën sot jetoj është përballja me të. Kam frikë se ish-bashkëshorti mund të na gjejë sërish dhe të më masakrojë më keq se më parë.

© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.