NDËRTIMI I AUTOSTRADËS VËSHTIRËSOI LËVIZJEN E BANORËVE TË KRRABËS
Ndërtimi i rrugëve të reja e aq më tepër autostradave është gjithmonë një shenjë e mirë për zhvillimin e zonës. Por shpesh këto investime sjellin edhe shqetësime për banorët përreth tyre. Ky është rasti i banorëve të Krrabës, njësisë administrative tashmë pjesë e bashkisë Tiranë.
Ndodhemi vetëm 15 kilometër larg qendrës së Tiranës. Pas ndërtimit të autostradës Tiranë – Elbasan, rruga që lidhte qendrën e Krrabës me aksin kryesor, nuk ka më funksionin e dikurshëm. Një prej banoreve Kadife Hasmuça na tregon vështirësinë që has.
“Ky është itenerari i mëngjesit çdo ditë për mua. Vij me makinën time deri në hyrje të autostradës Tiranë – Elbasan. Pasi parkoj automjetin eci në këmbë për në rrugën kryesore, ku pres autobusin e linjës për të vajtur në punë në kryeqytet. Të njëjtën gjë duhet të bëj edhe në kthim. Kështu si unë vuajnë të gjithë banorët e njësisë administrative Krrabë”.
Mungesa e komunikimit direkt me autostradën ka shkaktuar probleme edhe për biznesin në këtë zonë. Kjo jo vetëm për faktin se do të shkurtohej koha e lëvizjes por do të ishte një urë lidhëse për të lehtësuar punësimin e banorëve të zonës. Kjo vlen sidomos për gratë që kanë numër të lartë papunësie në periferinë e Tiranës.
Njësia administrative e Krrabës ka rreth 3 mijë banorë dhe përbëhet nga tre fshatra. Për shkak të mungesës së lidhjes direkte të rrugës me Tiranën, jo pak herë banorët edhe pse pjesë administrative e kryeqytetit, zgjedhin të marrin shërbimet në Elbasan, pasi kanë akses më të lehtë rruge me këtë qytet.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
