Nis lëvizja/ Pas vrasjes së gjyqtares Meta merr 4 nisma të rëndësishme
Pas vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi disa ditë më parë, nga bashkëshorti Fadil Kasemi në mes të Tiranës, Presidenti Ilir Metame anë të një postimi në rrjetin social “facebook” ka bërë publike disa nisma që ka ndërmarrë pë të evituar ngjarje të tilla.
Këto nisma kanë si synim parandalimin e dhunës, dekurajimin dhe ndëshkimin e dhunuesve, me qëllim mbrojtjen dhe shëndoshjen e familjes shqiptare. Një nga nismat e bëra publike është që KLD të fillojnë një procedurë për verifikimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Kavajës, më 28 prill 2016, ndaj shtetasit Fadil Kasemi. Sakaq më tej presidenti shkruan se zotohet se nuk do të falë në amnistinë e fundvitit asnjë të dënuar për krime në familje.
Katër nismat e bëra publike nga Meta:
1. Duke qenë se deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ushtroj funksionin e Kryetarit të KLD, kam kërkuar nga KLD dhe Inspektorati i saj, që në përputhje me kompetencat që iu njeh legjislacioni në fuqi, të fillojnë një procedurë për verifikimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Kavajës, më 28 prill 2016, ndaj shtetasit Fadil Kasemi.
2. Gjithashtu kam kërkuar të përfshihet në rendin e ditës të mbledhjes më të parë të KLD, një raportim mbi ndjekjen e detyrave të vendosura nga ky organ, për procedurat që duhet të ndiqen nga Gjykatat, në çështjet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, për viktimat e dhunës në familje.
3. Angazhohem që si President në ushtrimin e kompetencës kushtetuese të ushtrimit të së drejtës së faljes, do të zbatoj në germë dhe në frymë Kushtetutën e RSH, si dhe ligjin 10 295/2010 “Për faljen”, por jo vetëm.
4. Gjithashtu i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë si nismëtare për projektligjet për dhënie amnistie, por edhe ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë, që në vijim në asnjë rast në këto projektligje, të mos përfshihen si subjekte përfituese të tyre, të dënuarit të cilët kanë kryer vepra penale në marrëdhëniet familjare.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
