Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, konkursi i eseve të nxënësve të 4 gjimnazeve të Kamzës
Të rinjtë janë ata që e dëshirojnë më shumë bashkimin me familjen evropiane, që mezi e presin, që ende kanë shumë pyetje pa përgjigje përse ky proces është tejzgjatur dhe vonuar. Duke folur për letërsinë dhe artin, ata e shohin Shqipërinë shumë afër Bashkimit Evropian, madje pjesë të tij, ndërsa në aspektin politik ende larg. Të gjitha aktivitetet në kuadër të projektit “Evropa përmes Letërsisë” treguan se sa shumë afron letërsia dhe arti njerëzit dhe shtetet, duke kapërcyer çdo kufi.
Aktivitetet u përmbyllen me konkursin për esenë më të mirë me titull “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”. 21 nxënës të 4 gjimnazeve të Kamzës krijuan esetë e tyre për këtë temë duke nxitur më tej mendimin kritik.
“Letërsia i ka bërë shqiptarët të ndjehen pjesë e Europës, pasi shumë shkrimtarë e kanë bërë Shqipërinë të njihet në Evropë dhe më gjërë me veprat e tyre”-thanë nxënësit e pranishëm në konkursin e esesë më të mirë.
Shembulli më i njohur dhe i dashur për të gjithë është shkrimtari Ismail Kadare. Pikërisht ky shkrimtar ka nxitur debate me veprën e tij “Identiteti Evropian i Shqiptarëve” mbi titullin e të cilit u zhvillua edhe konkursi i esesë.
Duke cituar Kadarenë, shkrimari Liridon Mulaj theksoi: “Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar.”
Kadare gjithashtu thekson se “qytete kryesore, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën” për të dëshmuar kështu identitetin evropian.
Moderatori i aktivitetit, Renaldo Salianji u ndal tek reagimi që solli ky libër i Kadaresë, tek një tjetër shkrimtar i madh si Rexhep Qosja, i cili foli për identitetin kombëtar shqiptar.
Fitues të konkursit të esesë me titull “Identiteti evropian i shqiptarëve” u shpallën nxënësit Alban Sinani dhe Denisa Kola.
Të dy fituesit, të nxitur edhe nga moderatori i aktivitetit, ranë dakord që “çmimi” të shkojë për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në këtë konkurs, ndonëse ishte planifikuar që dy nxënësit fitues të merrnin, fituesi i çmimit të parë 10 libra dhe ai i vendit të dytë, 5 libra. GJithashtu shkrimtari Liridon Mulaj nxiti të rintjë që pasi të kenë lexuar librin që morën dhuratë të mblidhen sërish në Bibliotekën e “Shtëpisë së Kulturës” në Kamëz për të vijuar këtë traditë të nisur për të diskutuar mbi librat dhe letërsinë. Nxënësit e pranishëm në këtë aktivitet thanë gjithashtu se pasi t’i kenë lexuar dhe shkëmbyer librat me njëri-tjetrin do t’ja dhurojnë ato Bibliotekës së Kamzës në mënyrë që bashkëmoshatarë të tyre të kenë mundësi t’i lexojnë.
Ky ishte takimi i pestë në kuadër të nismës “Europa përmes Letërsisë”, një takim që u fokusua tek nxitja e mendimit kritik te nxënësit, që është një nga synimet e projektit që zbatohet në disa prej gjimnazeve të Kamzës dhe që do të reflektohet përmes eseve që gjimnazistët do të përgatisin. Ky aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana
© 2022 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.
