Mjekja gjirokastrite nis detyrën e re si kryetare e këshillit bbashkiak: Motivi, personat me aftësi të kufizuara
28/08/2018 Shpërndaje

Mjekja gjirokastrite nis detyrën e re si kryetare e këshillit bbashkiak: Motivi, personat me aftësi të kufizuara

Nga Beklie Koltraka

Mjekja dhe Kryetarja e Shoqatës së Invalidëve “Para dhe Tetraplegjikë”, Vjollca Koko është zgjedhur Kryetare e Këshillit Bashkiak në Gjirokastër. Kjo është një tjetër arritje, në radhë të parë për gruan, që kapërceu çdo vështirësi me të cilën jeta e ka përballur që në moshën 17 vjeçare, kur u diagnostifikua me Sklerozë Multiple.

Doktoreshë Vjollca Koko, ka një histori ndryshe nga shumë mjekë në Shqipëri. Për vite me radhë çdo gjë e ka bërë nga një karrige me rrota, ndërsa sot i është besuar posti i Kryetares së Këshillit Bashkiak. Motivi për të hyrë në Këshill Bashkiak, kanë qenë problemet me të cilat personat me aftësi të kufizuara ndeshen çdo ditë. “Boshllëku që ekziston midis legjislacionit që siguron hapësira, ndërtesa, shërbime publike të aksesueshme dhe shërbime të përkujdesit social për p.a.k në nivel vendor dhe realitetit plot barriera të kudo ndodhura, pa shërbime të përkujdesit social në Bashkinë Gjirokastër, ishte motivi i iniciativës time për të hyrë si këshilltare në Këshillin Bashkiak”, thotë mjekja për pozitivi.org

Koko thotë se të qenurit me aftësi të kufizuara ka bërë që të paragjykohet për detyrën që i është besuar. “Padyshim që ka paragjykime për detyrën që më është besuar. Edhe midis këshilltarëve pati momente të tilla. Unë i mirëkuptoj të gjithë, respektoj mendimin e gjithsecilit, por i siguroj se do punoj për ta drejtuar Këshillin Bashkiak me të njëjtin përkushtim që punoj në profesionin e mjekut dhe në kërkimin e të drejtave për p.a.k. Mirëbërësia është një nga parimet themelore në punën e mjekut dhe e kam orientuese në punë dhe jetën time”, shprehet ajo. Në intervistën për pozitivi.org, doktoreshë Vjollca shprehet se detyrën e re e sheh si një mundësi për të kontribuar jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara, por për të gjithë komunitetin.

Intervista me Vjollca Koko për pozitivi.org:

Pozitivi: Si ndiheni që u zgjodhët Kryetare e Këshillit Bashkiak?

V.Koko: Të jesh Kryetare e Këshillit Bashkiak për mua është përgjegjësi, është një rrugë që po e përshkruaj për herë të parë, është përvojë e re dhe jam e bindur që do mësoj shumë prej saj.

Për herë të parë po drejtoj Këshillin Bashkiak, por eksperienca që kam krijuar deri tani, me drejtimin e shoqatës së “Invalidëve Para dhe Teteraplegjikë” për Qarkun Gjirokastër, me paraqitjen e problematikës të pesonave me aftësi të kufizuara (p.a.k) dhe kërkesat në drejtim të zbatimit të legjislacionit në mbrojtje të të drejtave për p.a.k, jo vetëm  në Këshillin Bashkiak por edhe në takimet në nivel rajonal me shoqatat p.a.k, në tryezat e rrumbullakta në nivel bashkiak dhe me institucionin e prefektit në nivel qarku, më kanë ndihmuar të krijoj profilin tim organizues dhe drejtues.

Detyrën e kryetares së Këshillit Bashkiak e shikoj si një mundësi për të kontribuar jo vetëm për p.a.k por për të gjithë komunitetin.

Pozitivi: Cilat do jenë përparësitë tuaja në krye të këshillit?

V.Koko: Shërbimet ndaj komunitetit janë gjithmonë përparësi. Janë përcaktuese, dhe vlerësuese të punës që bën pushteti vendor. Ligji “Për vetqeverisjen Vendore” përcakton qartë misionet, përgjegjësitë, të drejtat dhe funksionet e pushtetit vendor. Gjithëpërfshirja e funksioneve dhe shërbimeve në projektbuxhetet vjetore dhe afatmesme, duke mos lenë jashtë asnjë grup shoqëror pa shërbim, është prioritet.

Nëse do flasim fillimisht për p.a.k, boshllëku që ekziston midis legjislacionit që siguron hapësira, ndërtesa, shërbime publike të aksesueshme dhe shërbime të përkujdesit social për p.a.k në nivel vendor dhe realitetit plot barriera të kudo ndodhura, pa shërbime të përkujdesit social në Bashkinë Gjirokastër, ishte motivi i iniciativës time për të hyrë si këshilltare në Këshillin Bashkiak.

Me diskutimet në mbledhjet e Këshillit Bashkiak kam prezantuar problematikën e p.a.k në Bashkinë tonë që është, mungesa e lëvizjes së lirë si dhe mungesa e shërbimeve të përkujdesit social. Përballë problemeve me të cilat p.a.k ndeshen në çdo ditë, kam prezantuar legjislacionin e bollshëm shqiptar, zbatimi i të cilit ofron zgjidhjet e tyre.

Sipas legjislacionit, realizimi i shërbimeve në forma të përshtatshme, bazuar në nevojat e anëtarëve të bashkësisë, por edhe në përputhje me standartet e kërkuara me ligj ose akte të tjera normative, është mision i Vetqeverisjes Vendore.  Gjithashtu, funksione të bashkisë janë dhe shërbimet sociale vendore për shtresat në nevojë, pjesë e të cilëve janë dhe p.a.k.

Rregullat e arritshmërisë dhe detajet teknike të ndërtimit gjenden në Rregulloren “Për shfrytëzimin e hapësirave publike nga ana e p.a.k”, VKM 1503/2008.  Kjo rregullore, udhëzues në ndihmë të specialistëve projektues dhe zbatues në fushën e ndërtimit është kusht për përshtatshmërinë, është kusht për lejen e ndërtimit dhe çertifikatës së përdorimit, sipas Ligjit “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

Pavarësisht kuadrit ligjor, segmentet rrugore që u rikonstruktuan në vitet e fundit në Bashkinë Gjirokastër, u bënë pa respektuar kushtin e përshtatshmërisë. Jo vetëm me Ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e Territorit”, autoritetet përgjegjëse të institucioneve që ofrojnë shërbime për publikun janë të detyruara të sigurojnë një nivel bazë të përshtatshmërisë ndërtimore në mjediset ekzistuese në administrimin e tyre, por edhe me ligjin Nr 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, duhet të marrin gradualisht masat për sigurimin e fondeve të nevojshme për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike. Çdo subjekt që ofron shërbime për publikun është i detyruar të zbatojë një plan masash për të cilat nevojitet përshtatshmëria dhe të bëjë planifikimin progresiv të fondeve të nevojshme për përshtatjen, sipas Ligjit 1074/2015. “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara”.

Pavarësisht legjislacionit, në Bashkinë Gjirokastër, asnjë institucion, asnjë subjekt që ofron shërbime për publikun, nuk ka marrë masa për eliminimin e barrierave infrastrukturore.  Asnjë shërbim publik egzistues nuk është përshtatur që të arrihet nga ana e p.a.k.

Të ndodhur përpara këtij realiteti, përfshirja me zë të veçantë në fondin e investimeve në projektbuxhetin vjetor dhe atë afatmesëm 2019-– 2021, e përshtatshmërisë së hapësirave publike, godinave që ofrojnë shërbime publike që janë nën kontrollin e Bashkisë, do të jetë mes përparësive.

Përgjatë vitit 2018 filloi të funksionojë skema e re e ndihmës ekonomike (NE). Sipas Legjislacionit për përfitimin e NE, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të trajtojë me NE familjet aplikuese të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, duke përdorur deri në masën 6% nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike, mbi këtë fond mund të shtojë ose jo edhe fonde të buxhetit vendor. Në listat e familjeve aplikuese, të vlerësuara dhe të propozuara për NE në Bashkinë Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe ka patur familje të cilat kanë mbetur jashtë sistemit të pikëzimit, jashtë fondit të kushtëzuar prej 6% të bllokndihmës ekonomike.

Kuadri ligjor për përfitimin e NE lejon mbështetjen e këtyre familjeve me fondet e buxhetit vendor. Është i rëndësishëm roli i Drejtorisë së Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Gjirokastër, përkatësisht Zyrës së Vlerësimit të Nevojave për referimin e rasteve për NE, me qëllim planifikimin e kontributit të bashkisë nga të ardhurat e buxhetit vendor për familjet në nevojë për NE, me projektbuxhetet në vazhdimësi. Gjithashtu kjo zyrë duhet të mbështetet për të arritur identifikimin dhe referimin e rasteve të popullsisë të të gjitha grupmoshave, në nevojë për shërbime komunitare.

“Gjithashtu, kuadri ligjor për shërbimet e kujdesit shoqëror në komunitet,  i jep Bashkisë rolin e ofruesit dhe administruesit të shërbimeve të kujdesit shoqëror brenda territorit të saj. Tregon mekanizmin financiar që është fondi social, për të ngritur shërbimet e kujdesit shoqëror në nivel vendor në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mirëqënien sociale, për shtresat në nevojë. gratë, fëmijët, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara, prindër me shumë fëmijë, të moshuarit, p.a.k etj.

Në mbledhjen e këshillit bashkiak, data 20 Korrik 2018, u miratua Plani Lokal i Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve 2018 – 2020, me qëllim ngritjen dhe funksionimin e strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, shërbimeve të kujdesit shoqëror për fëmijët. Mirëpresim për miratim planin lokal social me përfshirjen e banorëve të të gjitha grupmoshave, në nevojë për shërbime të kujdesit shoqëror. Hartimi i planit social dhe planifikimi i fondit social vendor, në respektim të legjislacionit dhe të nevojave të komunitetit, do të bëjë që bashkia të marrë përgjegjësitë në fushën e shërbimeve sociale me ndërtimin dhe administrimin e banesave, qendrave për strehim dhe shërbime sociale në nivel vendor, me të ardhurat e buxhetit të vet. Por, edhe të mbështetet nga pushteti qëndror, donatorët, për ti përmbushur më së miri këto funksione. Krijimi i fondit social referuar planit vendor social do të jetë ndërmjet përparësive.

Pozitivi: Sa do përfaqësohen p.a.k?

V.Koko: Prania në këshill si p.a.k, kur diskutohen të gjitha shërbimet që marrin banorët e Gjirokastrës, të jep mundësinë të flasësh, të kërkosh për cilësinë e shërbimeve ndaj p.a.k.

Planifikimi i fondit social në projektbuxhetet për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe familjeve  në nevojë, për të krijuar strehëzat dhe qendrat sociale referuar nevojave të komunitetit, do të krijojë shërbime dhe për p.a.k. Planifikimi me zë të veçantë për përshtatshmërinë në planin e investimeve do kërkojë plan  masash si dhe përcaktim të afateve të realizimit të përshtatshmërisë.

Duke qenë përfaqësuese e p.a.k në Këshill Bashkiak shërben si urrë bashkëpunimi me zyrën e punësimit dhe ndihmon në identifikimin e p.a.k të aftë për tu punësuar nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit. Bashkëpunimi me këtë zyrë ka dhënë efektet e veta në jetën e p.a.k.

Pozitivi: A mendoni se ka paragjykime për faktin se jeni me aftësi të kufizuara?

V.Koko: Padyshim që ka paragjykime për detyrën që më është besuar. Edhe midis këshilltarëve pati momente të tilla. Unë i mirëkuptoj të gjithë, respektoj mendimin e gjithsecilit, por i siguroj se do punoj për ta drejtuar Këshillin Bashkiak me të njëjtin përkushtim që punoj në profesionin e mjekut dhe në kërkimin e të drejtave për p.a.k. Mirëbërësia është një nga parimet themelore në punën e mjekut dhe e kam orientuese në punën dhe jetën time.

Pozitivi: Si është pritur nga njerëzit që jeni anëtare dhe së fundmi Kryetare e Këshillit Bashkiak në Gjirokastër?

V.Koko: Sinqerisht, kam menduar se kontributi im në komunitet do ishte vetëm mjeke reumatologe, të cilin jam përpjekur ta përmbush me kujdes, prej vitit 1995. Nuk kam menduar ndonjëherë se do të kërkoja të kontribuoja për të përmirësuar qytetin tim në anët e tjera shoqërore të tij.

Humbja e aftësisë për të ecur në vitin 2014, ma bëri të paarritshëm qytetin tim, Gjirokastrën. Nuk e kisha ndjerë më parë të ishte i tillë. Gjirokastra, me barrierat në rrugë, ndërtesat e institucioneve, shërbimet publike dhe private, pa qendër rehabilitimi, pa qendër të shërbimit social, ma vështirësoi jetesën më shumë se vetë sëmundja ime, Skleroza Multiple.

Fillova të kërkoj dhe të lexoj legjislacionin që më siguron një qytet pa barriera dhe me shërbime sociale. Lexova fillimisht konventën e OKB në mbrojtje të të drejtave për p.a.k, strategjinë kombëtare për p.a.k, kërkova dhe gjeta ligjet, aktet ligjore në përshtatshmëri me konventën, që siguronin eliminimin e barrerave infrastrukturore në ambjentet publike dhe përkujdesjen shoqërore.  Legjislacioni që gjeta më mjaftoi për të marrë brenda vetes iniciativën për të kërkuar zbatimin e tij në qytetin tim.

Kërkesën e parë në emër të Shoqatës së Invalidëve Para & Tetraplegjikë, Gjirokastër ja drejtuam Këshillit Bashkiak Gjirokastër në vitin 2014, për të marrë masa për të siguruar lëvizje të lirë për p.a.k. Pas kërkesës tonë u planifikua një fond prej 100.000 lek të reja me të cilin u mundësua përgjatë 2016 përshtatshmëria e bulevardit “18 Shtatori”.

Në Maj të vitit 2015 m’u besua drejtimi i shoqatës së Invalidëve Para & Tetraplegjikë për Qarkun Gjirokastër. E pranova si mundësi për të kërkuar në emër të të gjithë të invalidëve para dhe tetraplegjikë ndryshimin e realitetit.

Në vitin 2015 filloi rikonstruksioni i një segmentit rrugor. (Rruga e Viroit dhe Hyrje në Qytetin Gjirokastër).  Me keqardhje vumë re se projekti që po zbatohej nuk kishte të parashikuar asnjë parametër teknik për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të p.a.k. Shqetësimin tonë ja shprehëm me shkrim firmës ndërtuese dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Përfaqësuesit e tyre erdhën na kontaktuan. U morrën disa masa përshtatshmërie edhe pse nuk ishin të planifikuar dhe rikonstruksioni u bë duke krijuar mundësi shfrytëzimi të segmentit rrugor nga ana e p.a.k. Kjo ekseriencë më dha shtysën për të menduar për të hyrë në Këshillin Bashkiak.

Bashkëjetesa e gjatë me sëmundjen, Skleroza Multiple, më ka kërkuar kohë për t’ju përkushtuar vetvetes, profesioni i mjekut më ka kërkuar kohë për përditësim të njohurive, kështu që nuk kam patur mundësi për të dhënë kontribut në politikë. Pavarësisht mungesës së kontributit në jetën politike, kontributin tim si mjeke (prej 1991) në shërbim të komunitetit, e mendova si të mjaftueshëm për këshilltare. Fatmirësisht gjeta mbështetje mes kolegëve dhe miqve të mi që janë të përfshirë në forcat politike.

Bashkëqytetarët ndoqën nëpërmjet TV lokale veprimet në emër të shoqatës si dhe i prekën ndryshimet. Ata e pritën shumë mirë kandidimin tim për këshilltare në Këshillin Bashkiak.  Nëpërmjet TV lokale banorët kanë ndjekur diskutimet në mbledhjet e Këshillit Bashkiak jo vetëm për aksesueshmërinë por edhe për problemet sociale. Mendoj se diskutimet me problematikën e paraqitur dhe kërkesat për zgjidhjen e tyre, kanë patur ndikim tek komuniteti. Të shumta ishin urimet kur u zgjodha kryetare e Këshillit Bashkiak.

Pozitivi: A ka pasur ndonjë kërkesë konkrete nga personat me aftësi të kufizuara pasi e kanë marrë vesh që jeni zgjedhur kryetare këshilli?

V.Koko: Në fund të Majit 2018, u zgjodha kryetare e Këshillit Bashkiak. Gjatë kohës që shërbej në spital vijnë për të më takuar dhe qytetarë që kanë nevoja të tjera, jo thjesht mjekësore. Disa qytetarë kërkojnë punë. Informimi dhe adresimi i tyre drejt zyrës rajonale të punësimit ka bërë që personat e paraqitur të jenë sistemuar në punë ose në programet e nxitjes së punësimit. Kam marrë ankesa edhe nga p.a.k. Në dukje mund të jenë probleme të thjeshta për njerëzit normalë, psh pllakat e trotuarëve që lëvizin, që mungojnë, që janë të thyera por që vështirësojnë lëvizjen e personave që nuk shikojnë.

Padyshim që ankesat do ti adresojmë. Kërkesa dhe ankesa kanë ardhur dhe nga banorë të tjerë.  Në mbledhjen e fundit, problematikën e një grupi qytetarësh për përmirësimin e një shërbimi që u ofrohet, në dakortësi me të gjithë këshilltarët, e vendosëm në rendin e ditës për në mbledhjen e rradhës me raportim të drejtorit të shërbimit përkatës. Gjithçka po më ndodh nuk e mohoj që më merr kohë dhe më mundon, por në fund kur merr rezultat pozitiv më bën të ndjehem mirë.

Pozitivi: E mendoni të dobishëm përfaqësimin e p.a.k në organet përfaqësuese vendore?

V.Koko: Sipas Shërbimit Rajonal Social, në Rajonin Gjirokastër banojnë 47.763 familje dhe 4. 424 persona me aftësi të kufizuara (invalidë pune, para & tetraplegjikë, të verbër, dhe p.a.k).

Afërsisht një familje në çdo 10 familje, ka një familjar p.a.k. Mendoj se është i nevojshëm  përfaqësimi i p.a.k  në organet përfaqësuese të bashkive që janë këshillat bashkiake.

Në tryezat e rrumbullakëta që kemi organizuar në nivel rajonal kushtuar problematikës së personave me aftësi të kufizuara kemi theksuar se situata për p.a.k është e njëjtë në të shtatë Bashkitë e Rajonit Gjirokastër.

Pozitivi: Si dëshironi të jetë Gjirokastra në të ardhmen?

V.Koko: Me investimet që bëhen Gjirokastra bëhet çdo ditë më e bukur. Por, më e bukur do të jetë nëse do të mbartë në trashëgiminë e saj kulturore edhe shërbime me standarte për banorët e saj, infrastrukturë të arritshme, si edhe shërbime të përkujdesit social për banorët në nevojë.

Qarku Gjirokastër sipas publikimeve për mediat që ka bërë INSTAT në vitet e fundit, kryeson për popullsinë me jetëgjatësinë me të madhe (77 vjet meshkujt, 80 vjet femrat), rritjen e përqindjes të popullsisë mbi moshën 60 vjeç (18.7% e popullsisë), uljen e popullsisë nën 15 vjec (18.5% e popullsisë), moshën mediane më të lartë (38 vjec), etj.

Gjithashtu përmendet për uljen më të madhe të numrin të popullsisë (-45.3 për 1000 banorë), popullsinë më të ulët 2%. Faktorët për tkurrjen e popullsisë duhen kërkuar edhe në cilësinë, sigurimin e shërbimeve që ka nevojë popullata.  Të dhënat, duhen analizuar e adresuar me kujdes dhe në vazhdimësi, për tu përmirësuar.

Ju falenderoj që më dhatë mundësinë të përshkruaj problematikën p.a.k të cilën përpiqem ta përçoj në Këshillin Bashkiak Gjirokastër. Faleminderit për mundësinë që më dhatë të shprehem si kryetare e Këshillit Bashkiak Gjirokastër për nevojën e përmirësimit të shërbimeve ndaj komunitetit dhe për funksionimin e shërbimeve komunitare të munguara për banorët në nevojë.

© 2018 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.