Shoferet që thyen tabu, historia e instruktoreve në familjen Gjika: Mamaja la mësuesinë, vajzat braktisën Suedinë  
29/04/2022 Shpërndaje

Shoferet që thyen tabu, historia e instruktoreve në familjen Gjika: Mamaja la mësuesinë, vajzat braktisën Suedinë  

60 vjeçarja Tatjana Gjika, ka 30 vite duke i dhënë gaz, profesionit dhe pasionit për t’u mësuar makinën të tjerëve. Ishte viti 1992 kur ajo dhe bashkëshorti i saj vendosën të hapnin autoshkollën e parë private në Shqipëri në Vlorë. E vendosur për të braktisur profesionin e mësueses, Tatjana ishte ndër të parat instruktore grua, duke thyer kështu tabutë, se gratë jo vetëm që mund të jenë shofere të mira por edhe të mësojnë burrat dhe gratë e vajzat që të drejtojnë një makinë.

“Unë kam qenë 30 vjeç kur kam filluar të punoj si instruktore. Atëherë jetonim në Vlorë dhe bashkë me bashkëshortin tim Gëzimin vendosëm që të ngrinim një biznes. Lashë profesionin e mësueses dhe iu përkushtova “mësuesisë” së timonit. Ne jemi shumë të apasionuar pas kësaj pune sepse kemi kaq vite që e bëjmë. Pas 15 vitesh punë në Vlorë, u zhvendosëm në Tiranë, ku kemi Autoshkolla Rea. Po bëj 30 vite në këtë punë”, thotë Tatjana në një intervistë për Pozitivi.org.

Të njëjtën rrugë si Tatjana kanë ndjekur dhe vajzat e saj, Rezarta dhe Ina, të cilat u shkolluan për vite me radhë jashtë vendit, por vendosën që një ditë të kthehen në Tiranë për t’iu bashkuar familjes në autoshkollë.

“Ka shumë vajza që vijnë dhe thonë ku na dolët ju se kemi 15 vite që kemi patentë por nuk dimë t’i japim makinës. Në autoshkollën tonë vijnë shumë dhe vajzat e mbuluara. Kjo për faktin se një nga vajzat e mia që punon me ne në autoshkollë, Ina, është e mbuluar. Ina ka mbaruar studimet në Selanik dhe pastaj në Gjermani. Vajzat e mbuluara drejtohen te ne për faktin se jemi gra dhe vajza në staf”, thotë Tatjana.

Gëzimi ka një jetë instruktor. E ndërtoi biznesin në Vlorë para 30 vitesh, kurse sot ka angazhuar të gjithë familjen. Pasionin e tij për makinat 62 vjeçari e përcolli te gruaja dhe 2 vajzat të cilat e “sfidojnë” denjësisht, ç’ka e bën atë të ndihet krenar. Pikërisht ky ka qenë qëllimi i tij që në hapat e parë, që biznesin ta trashëgojë te familja. Duke besuar te aftësitë dhe pasioni i vajzave të tij Gëzimi tregon për Pozitivi.org se po shkon drejt daljes në pension i qetë pasi tashmë shoferet e tij të preferuara kanë marrë në dorë “timonin” e biznesit.

Vajzat janë pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Unë besoj shumë te aftësitë e vajzave të mia. Rea është shumë e përgatitur. Në këtë aspekt duke qenë në rrugën e liderëve si Rea dhe Ina, unë kam bërë mirë që i kam emancipuar në punë. Ideja e fillimeve tona ka qenë e tillë që, pasi emigrova në kurbet në 90, u ktheva dhe hapa biznesin tim. Autoshkollën e kisha me pasion sepse kam studiuar për mekanikë. Atëherë autoshkolla quhej Gjika. U hap më 20 janar 1992. E ndërtova me shumë pasion, dhe këtë pasion e trashëgova te fëmijët e mi”, tregon mes të tjerash Gëzimi.

Rezarta, ose ndryshe Rea, siç ka emrin dhe autoshkolla, ka një kalvar eksperiencash. I kishte të gjitha mundësitë të jetonte në Suedi, por autostopi i saj ishte autoshkolla. Një shofere e lindur, siç e quan veten Rea, nuk mundi ta braktisë profesionin e parë.

“Unë kam lindur instruktore (qesh). Ne fakt makinën e kam mësuar që 5 vjeçe me Volvot e autoshkollës në 1992 nga babai im dhe instruktore në zemër jam bërë që 10 vjeçe, pastaj në terren që 15 vjeçe kur ndihmoja mësueset e mia dhe vajzat që vinin tek autoshkolla jonë në ato vite. Me dëshmi instruktori në fakt jam bërë sapo mbusha moshën dhe plotësova kriteret”, tha Rea në intervistën e plotë për Pozitivi.org.

“Unë jam rritur me këtë biznes derisa mu kthye në pasion pavarësisht studimeve dhe profesioneve të tjera. Unë në fakt mbeta në Tiranë dhe nuk ika më në Suedi prej pandemisë sepse u sëmur babai shumë dhe më duhej ta zëvendësoja atë. Gjatë asaj periudhe vura re se tregu shqiptar për fat të mire apo të keq kishte shumë nevojë për instruktore gra, ca prej meshkujve që na besojnë partneret e tyre dhe ca prej femrave që ndjehen rehat dhe komode me një femër instruktore! Kështu që qëndrova në Shqipëri duke e kthyer pasionin në profesion dhe duke ofruar atë që mungonte”, shton Rea.

Rea tregon për Pozitivi.org se në autoshkollë është e punësuar edhe motra e saj Ina e cila është e mbuluar me shami. Tashmë shumë vajza që e kishin të pamundur të merrnin një patentë për shkak të “kufizimeve” të fesë që ndjekin, e kanë gjetur veten në derën e autoshkollës së familjes Gjika.

2 djemtë e familjes jetojnë në Suedi, por edhe ata e ushtrojnë profesionin e instruktorit. Rea tregon më shumë për Pozitivin, se si autoshkolla Rea, që tashmë ka një staf më shumë vajza, po inkurajon çdo ditë gratë që të bëhen shofere të mira.

Intervista e plotë me Rezarta Gjika për Pozitivi.org

Pse vendose te rikthehesh në Shqipëri dhe të punosh si instruktore?

Rezarta: Kam lindur e jetuar në Vlorë si dhe kam studiuar për ekonomi biznes në universitetin e Vlorës. Më pas kam jetuar në Selanik Greqi për 10 vjet ku kam punuar si përkthyese e gjuhëve greqisht-shqip-anglisht. Pasi u largova nga aty, shkova në Suedi ku edhe jetova 2 vjet e punësuar si shofere në kompani transporti.

Autoshkolla është hapur nga babai im në vitin 1992 në Vlorë! Me krenari shtoj se është Autoshkolla e parë private në Shqipëri, e quajtur Autoshkolla Gjika, kur unë isha vetëm 5 vjeç. Unë jam rritur me këtë biznes derisa mu kthye në pasion pavarësisht studimeve dhe profesioneve të tjera. Unë në fakt mbeta në Tiranë dhe nuk ika më në Suedi prej pandemisë sepse u sëmur babai shumë dhe më duhej ta zëvendësoja. Gjatë asaj periudhe vura re se tregu shqiptar për fat të mirë apo të keq kishte shumë nevojë për instruktore gra, ca prej meshkujve që na besojnë partneret e tyre dhe ca prej femrave që ndjehen rehat dhe komode me një grua instruktore. Kështu që qëndrova në Shqipëri duke e kthyer pasionin në profesion dhe duke ofruar atë që mungonte! Pra për t’iu përgjigjur pyetjes nuk ishte as ide biznesi dhe as rastësi por ishte trashëgimi dhe shërbim i nevojshëm në Tiranë.

Prej sa kohësh e ushtroni profesionin e instruktores?

Rezarta: Unë kam lindur instruktore (qesh). Në fakt makinën e kam mësuar që 5 vjeçe me volvot e autoshkollës në 1992 nga babai im dhe instruktore në zemër jam bërë që 10 vjeçe, pastaj në terren që 15 vjeçe ku ndihmoja mësueset e mia dhe vajzat që vinin tek autoshkolla jonë në ato vite. Me dëshmi instruktori në fakt jam bërë sapo mbusha moshën dhe plotësova kriteret.

Për shkak se instruktoret vajza numërohen me gishta, a mendon se është ende tabu ky profesion për vajzat?

Rezarta: Jo aspak nuk e kam ndjerë. Kam ndjerë veç admirim që në kohën kur numëroheshin dhe femrat që mësonin makinën. Nuk është tabu por është një profesion që duhet ta duash shumë që ta bësh. Nuk besoj se mësohet por është e lindur. Ndërthuret dashuria për drejtimin e mjetit me aftësinë didaktike për t’i mësuar të tjerëve ato që di vetë, dhe këtë jo të gjithë e kanë, aq me tepër që je në rrugë jo nëpër banka. Do edhe shumë guxim!

Unë patentën e kam marrë para 17 vjetësh kur kam mbushur moshën sipas rregullit por makinën e kam mësuar 5 vjeçe me jastëk se nuk më arrinin këmbët (qesh).

Si ka qenë si eksperiencë derisa e ke mësuar makinën?

Rezarta: Eksperienca ime ka qenë fantastike sepse kam pasur fatin ta mësoj me njeriun më të duruar e më të kompletuar babanë tim i cili jo vetëm mua por këdo që mëson ia bën drejtimin e mjetit argëtim dhe relaks.

Kush vjen më shumë në autoshkollën tuaj, vajzat apo djemtë?

Rezarta: Më shumë tek ne vijnë femrat saqë kur ndonjë mashkull do të regjistrohet pyet me ndrojtje a keni edhe për çuna (qesh). Por në fakt janë çunat ata që sjellin gocat tek ne… (qesh)

Çfarë mendimi keni për opinionin e krijuar se vajzat janë shofere të këqija?

Rezarta: Unë jam shumë feministe dhe e luftoj këtë përditë, ndaj dhe dashuroj punën që bëj sepse mendoj se ne jemi të afta ta bëjmë më së miri dhe madje me më shumë sukses, gjithçka. Sa i përket drejtimit të mjetit jemi shumë të kujdesshme siç e tregojnë edhe sondazhet se aksidentet e kryera nga femrat janë në përqindje shumë më të ulët.

Femrat në timon nuk bëjnë asnjë gabim sepse janë shumë të vëmendshme dhe te dëshiruara për të mësuar por e vetmja gjë që na duhet t’iu aktivizojmë është inkurajimi, motivimi dhe shpresa se do t’ia dalin. Vijnë të tmerruara nga opinioni i rëndomtë i partnerëve se nuk do t’ia dalin dot. Inkurajojini o meshkuj femrat tuaja, është ndihmë edhe për ju!

Pse gabimet më të mëdha bëhen te parkimi? Cilat janë disa sekrete që ua mëson shoferëve të rinj?

Rezarta: Parkimi është bërë fobi sepse nuk dinë ta shpjegojnë edhe pse dinë vetë ta bëjnë. Me rregullore ka 3 manovra të cilat po t’i respektosh me përpikmëri është parkim i sigurt. Unë nga ana ime dhe nga përvoja me kursante kam edhe ato metodat e mia për t’ua bërë sa më të lehtë. Si sekret mund të them zbatoni formulën, sepse nuk është rastësore apo dhunti. Duke respektuar 3 manovrat mund ta bëni edhe më mirë se ata që mendojnë se e dinë por e bëjnë me 20 manovra, ndërkohë që mjaftojnë veç 3.

Çfarë këshillash kryesore do jepje për shoferët e rinj, qofshin vajza apo djem?

Rezarta: Shoferët e rinj djem kujdes me shpejtësinë sepse siç themi ne nga labëria ”trimat kanë frikë”!

Për femrat shofere e vetmja këshille është ”Ti mundesh më së miri” sepse u është rrënjosur nga mentaliteti ynë se femrat nuk bëhen dot shofere të zonja! Unë guidën detyrimisht e filloj nga të dhënit kurajo dhe humor që të çlirohen e të besojnë tek vetja. Më duhet të luftoj frikën e tyre dhe bindjen që kanë se nuk do ia dalin! Nuk ka asgjë që femra s’ia del dot edhe madje më mirë!

Si është e ndarë puna mes familjes në autoshkollë, roli që ka secila prej jush?

Rezarta: Ne jemi një familje e rritur me këtë biznes, madje se shpejti festojmë 30 vjetorin! Ne të gjithë, i kryejmë të gjitha proceset, teori, praktikë, sekretari. Ashtu siç i kemi të ndara detyrat, ashtu edhe mbulojmë njëri-tjetrin në çdo drejtim që të mos çalojë kurrë puna jonë me kursantin. Funksionojmë tamam si në familje edhe në punë madje edhe klientët tanë e ndjejnë këtë dhe bëhen pjesë e familjes tonë të madhe, me mbi 30.000 të patentuar prej nesh në 30 vjet!

Pse zgjodhët që të vazhdonit të njëjtin profesion si babai?

Sepse është i pari që e ka hapur dhe dëshiroj ta trashëgoj brez pas brezi!

Sepse e kam aftësinë ta realizoj më së miri!

Sepse dëshiroj t’i mbush rrugët me femra në timon!

Sepse e dua femrën të pavarur dhe krenare!

Sepse dua ti jap mundësinë çdo femre shqiptare, në fshat apo qytet që prej xhelozisë së partnerit ndoshta as nuk e kishte ëndërruar veten në timon. Sepse…ka shumë arsye!

/Pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.