
Mjekë nga Italia në shërbim të banorëve të prekur nga tërmeti në Lezhë
Italia vazhdon ta japë kontributin e saj për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit edhe tani që u bënë më shumë se 2 javë që ka ndodhur kjo tragjedi, prej të cilës humbën jetën 51 persona nën rrënojat e banesave të shembura.
Mjekët nga Firence e Italisë kanë mbërritur në Lezhë në shërbim të banorëve të prekur nga tërmeti, dhe do të qëndrojnë në zonat rurale të Lezhës për disa kohë.
Mjeku me origjinë shqiptare që jeton në Firence Vat Marashi, është pjesë e këtij grupi mjekësh që kanë ardhur nga shteti fqinj për të dhënë ndihmë kundrejt banorëve. Ai pasi ka parë gjendjen e banorëve është shprehur se disa prej tyre që kanë probleme të rënda do dërgohen jashtë vendit për tu kuruar.
“Do ndihmojmë me medikamente dhe vizita mjekësore personat e prekur nga tërmeti dhe nëse ka persona që kanë nevojë për shërbim më të specializuar do mundësojmë dërgimin e tyre në Toskana të Italisë”, u shpreh mjeku Vat Marashi.
Qendra shëndetësore e lëvizshme ka në përbërje 2 mjete dhe dy infermierë. Ajo është e pajisur me të gjitha aparaturat për dhënien e ndihmës mjekësore si dhe medikamentet bazë.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.