Mësuesja heroinë nga Shkodra mes 50 arsimtareve më të mira në botë
26/09/2019 Shpërndaje

Mësuesja heroinë nga Shkodra mes 50 arsimtareve më të mira në botë

Liljana Luani, mësuesja 56 vjeçare nga Shkodra, është në listën e 50 mësuesve finalistë, nga e gjithë bota. Luani tashmë është në garë për çmimin “Global Teacher Prize”, duke vijuar garën për të marrë çmimin prestigjioz. Vetë “Global Teacher Prize”, ka publikuar listën me 50 emrat e mësuesve të kualifikuar.

Liljana, është një personazh i njohur për publikun shqiptar. Më herët është vlerësuar me çmimin ‘Mësuesja e vitit 2018’ nga kolicioni për arsimin në Shqipëri dhe Qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, sepse pjesën më të madhe të viteve në arsim, ua ka kushtuar fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes në veri të vendit. Ajo ushtron profesionin e saj në shkollën 9 vjeçare “Pashko Vasa” në Shkodër, prej 38 vitesh.

Për punën e saj me fëmijët që janë të ngujuar nga hakmarrja ka shkruar më parë edhe BBC një shkrim të gjatë. Në kohën e lirë Liljana udhëton në fshatrat e largëta ku jetojnë fëmijë të ngujuar. Liljana tashmë njihet nga të gjithë. Është ndër të paktat që mund të hapë portën metalike, për të mësuar fëmijë që janë të privuar nga e drejta për arsim për shkak të gjakmarrjes.

Ndjenja e rrezikut është përherë e pranishme, por ajo vazhdon edhe sot ta kryejë këtë mision, për të nxjerrë këta fëmijë nga vuajtja dhe izolimi.

Tashmë 56 vjeçarja është pretendente për të fituar “Global teacher prize”. Mësuesit pretendentë për të fituar këtë çmim përzgjidhen nga të katër anët e botës, duke nisur nga ata që japin mësim në fshatra të largëta malore, në qytet, e deri tek mësuesit e rajoneve më të varfra dhe të dhunshme në botë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.