“Mësuesit që e duan mësimdhënien, i mësojnë nxënësit të duan nxënien…”
15/11/2017 Shpërndaje

“Mësuesit që e duan mësimdhënien, i mësojnë nxënësit të duan nxënien…”

Dr. Irida Hoti mësuese gjuhe dhe letërsie në Medresenë e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”, është fituese e Çmimit Kombëtar “Mësuesja e Vitit në Inovacion”. Konkursi për Çmimin Kombëtar për Mësuesin e Vitit është organizuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin e Fëmijëve,  për herë të parë në Shqipëri, këtë të premte.

Jemi mësuar me çmime të figurave të njohura, që i shikojmë shpesh në ekrane televizive ndërsa këtë herë personazhet e vërtetë kanë qenë mësuesit. U nderuan me 5 çmime të ndryshme, për mundin dhe ndikimin e madh që kanë pasur në formimin e brezave të tërë, dhe për kontributin e çmuar që kanë dhënë në arsim. Ndër to ishte dhe Dr. Irida Hoti (Muka).

Për të treguar një shembull sesi mësuesit kanë kontribuar dhe vazhdojnë, në integrimin e shoqërisë ne të Pozitivit vendosëm të zhvillojmë një intervistë me mësuese Iridën. Hoti ka një karrierë të gjatë në arsim, e jo në pak  raste e kemi parë si autore dhe bashkautore e 10 librave, të cilët i kanë shërbyer të sjellë inovacion në fushën e mësimdhënies. Këtë çmim ia dedikon edhe mësuesve të saj, figura të shquara në fushën e arsimit, të cilët kanë lënë gjurmë tek ajo dhe kanë ndikuar në rritjen e saj profesionale.

Në fushën e mësimdhënies nuk e ka gjetur veten rastësisht pasi ajo rrjedh nga një familje me tradita arsimore. “Unë vij nga Shkodra, qyteti i dijes dhe i kuturës. Përmes këtij qyteti ka ardhur edhe edukimi dhe shkollimi im. Unë rrjedh nga një familje me tradita arsimore. Gjyshi im Sheuqet Muka, “Mësues i Popullit”, ishte një figurë e shquar e arsimit shqiptar, i cili ka lënë gjurmë si mësues dhe drejtues në vitet 1913-1939 në Shkodër dhe në Tiranë.

Nëna ime Safet Muka (Myftija) më ka ushqyer pasionin për mësimdhënien (megjithëse karriera e saj u ndërpre për gati 24 vjet (1967-1991), si bijë e një familjeje të përndjekur nga regjimi i asaj kohe). Unë sot po realizoj një ëndërr të tyre, po jap kontribut në fushën e arsimit dhe po i rikthej familjes sime traditën arsimore, e cila iu mohua për shumë vite”, tha Hoti për Pozitivin.

Më tej flet për eksperiencën e gjatë në arsim, momentet e bukura që e kanë plotësuar më shumë profesionalisht dhe metodat që ka përdorur për të sjellë inovacion në mësimdhënie. Në fund e mbyll me një mesazh mjaft  të bukur për mësuesit, “Mësuesit që e duan mësimdhënien, i mësojnë nxënësit të duan nxënien”.

 

 Intervista me Dr. Irida Hoti (Muka) për pozitivi.org:

Pozitivi: Çmimi “Mësuesi i vitit në inovacion”, cilat janë ndjesitë tuaja?

Irida Hoti: Është ndjesi e bukur të fitosh një çmim, por mendoj se përveçse një vlerësim, është një shtysë dhe përgjegjësi e madhe për të përçuar përvojat e mia në fushën e mësimdhënies, kërkimit dhe botimit në nivele të reja dhe më bashkëkohore.

Për këtë falënderoj së pari, drejtorinë e shkollës, Medresenë e Shkodrës, që më përzgjodhi si mësuese novative për të garuar në këtë konkurs; së dyti, falënderoj MAS & ACCE si dhe jurinë e konkursit “Mësuesi i vitit”, që gjetën ato tregues inovativë në punën time dhe më shpallën “Mësuesi i Vitit në Inovacion”.

Pozitivi: Jeni shpallur “Mësuesja e Vitit në Inovacion”? Ku qëndron ky inovacion?

Irida Hoti: Që nga viti 2006 jam autore dhe bashkautore e 10 librave: fjalor, monografi, tekste universitare dhe botime shkollore.  Pavarësisht se të ndryshme për nga natyra ato janë në fushën e edukimit në përgjithësi dhe didaktikës në veçanti. Përsa i takon aspekteve inovative në fushën e mësimdhënies veçoj katër prej këtyre botimeve, të cilët aplikojnë teorinë përmes teknikave dhe modeleve bashkëkohore:

– “Fjalor termash në edukim”- Shpjegues-krahasues (Në b/autorësi me prof.dr. M.Gjokutaj, Ma. D.Kadriu, Prishtinë, 2016). Fjalori përfshin 5000 terma me 11000 shpjegime, nga këto 1000 janë autoriale. Në këtë fjalor janë të shpjeguara 41 teknika mësimore për mësimin e gjuhës shqipe: të folurit, të shkruarit, të lexuarit dhe gramatikë.

-“Gjuhësia e zbatuar përmes kurrikulës së gjuhës shqipe-Monografi (Shkodër, 2013), botim i disertacionit të doktoraturës  krahas teorive e hipotezave të shumta mbi gjuhësinë e zbatuar, evidenton  risitë  dhe larminë e tematikave nga tekstet shkollore të gjuhës shqipe për zhvillimin e shprehive komunikative. Në këtë monografi shpjegohen 200 terma në fushën e mësimdhënies. Ky botim u vjen në ndihmë mësuesve dhe studentëve të gjuhës shqipe.

-“Mësimdhënia e gjuhës shqipe përmes veprimtarive krijuese dhe ndërvepruese(Në b/autorësi me prof.dr.A.Jubani; prof.dr. M.Gjokutaj, Tiranë, 2013), në të cilën përfshihen 120 lojëra gjuhësore duke u nxitur kreativiteti tek nxënësit për mësimin e gjuhës shqipe. Ky libër shërben si një urë lidhëse mes metodologjisë mësimdhënëse dhe mundësive aplikuese të aftësive krijuese të nxënësit.

-“Didaktikë e gjuhës shqipe (Në b/autorësi me prof.dr.Nj. Kazazi, Tiranë,2009; Ribotim-Shkodër, 2016), synon të paraqesë një vizion teorik dhe praktik për studentët dhe mësuesit e arsimit fillor, si dhe rëndësinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Krahas aspekteve teorike jepen zbërthime orësh mësimore përmes teknikave të reja bashkëkohore.

Pozitivi: Shtysa drejt profesionit të mësimdhënies.

Irida Hoti: Unë vij nga Shkodra, qyteti i dijes dhe i kuturës. Përmes këtij qyteti ka ardhur edhe edukimi dhe shkollimi im. Jam një mësuese që e dua shumë  edukimin e brezit të ri, mes të cilëve bëjnë pjesë edhe tre djemtë  mi, të cilët janë bërë burim frymëzimi për këtë përkushtim.

Unë rrjedh nga një familje me tradita arsimore. Gjyshi im Sheuqet Muka, “Mësues i Popullit”, ishte një figurë e shquar e arsimit shqiptar, i cili ka lënë gjurmë si mësues dhe drejtues në vitet 1913-1939 në Shkodër dhe në Tiranë.

Nëna ime Safet Muka (Myftija) më ka ushqyer pasionin për mësimdhënien (megjithëse karriera e saj u ndërpre për gati 24 vjet (1967-1991), si bijë e një familjeje të përndjekur nga regjimi i asaj kohe).

Unë sot po realizoj një ëndërr të tyre, po jap kontribut në fushën e arsimit dhe po i rikthej familjes sime traditën arsimore, e cila iu mohua për shumë vite.

Pozitivi: Momentet e veçanta gjatë karrierës

Irida Hoti: E konsideroj veten me fat, sepse kam pasur mësues dhe profesorë figura të shquara në fushën e arsimit në Shqipëri, drejtues, kolegë, bashkautorë, që besuan tek unë dhe më kanë nxitur të ec përpara.

I jam mirënjohëse, në veçanti prof.dr. Mimoza Gjokutaj, udhëheqëses shkencore të doktoraturës, e cila jo vetëm më udhëhoqi, por më mbështeti në kërkimet e mia në gjuhësinë e zbatuar. Periudha studimore me të ka qenë një shkollë më vete. Pas mbrojtjes së titullit “Doktor”, në vitin 2012 bashkëpunimi ynë vazhdon në botimin e disa librave së bashku.

Prof.dr. Shefik Osmani, udhëheqësi shkencor në disertacionin e Masterit. Nga ai mësova origjinalitetin e punës studimore dhe kërkimit shkencor.

Dr.H.C. Faik Luli; prof. Islam Dizdari, ish- mësues dhe drejtues në Medresenë e Shkodrës, qenë udhërrëfyesit e mi të parë në ushtrimin e profesionit si mësuese, që lanë gjurmë dhe ndikuan në rritjen time profesionale.

Të njëjtën gjë mund të them edhe për prof.dr. Njazi Kazazi, profesor i imi dhe prej 13 vitesh koleg në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Shkodër, bashkautor i disa teksteve universitare.

Pozitivi: Si ka qenë puna me nxënësit?

Irida Hoti: Me nxënësit përpiqem që teoritë dhe praktikat mësimore të botuara në librat e mi t’i aplikoj në orët mësimore. Kam zgjedhur në mësimdhënien time të ndërthur teknikat tradicionale me ato bashkëkohore, por me pikësynim – rëndësinë e të aplikuarit të teknikës si duhet dhe kur duhet.

Shprehjet që përdor më shpesh drejt nxënësve janë:

  • Ju mund ta bëni këtë! (Nuk ka nxënës që nuk di të bëjë diçka, mjafton ta motivojmë dhe të zbulojmë atë që di të bëjë.)
  • Kërkoni, hulumtoni…. (Vetëm njerëzit kreativë kanë ide kreative dhe nuk mund të kemi ide pa kërkuar në fillim.)
  • Bashkëveproni, konkuroni. (Puna në grup sjell punë të mira. Aftësitë konkuruese krijojnë kreativitet më shumë se ato bashkëvepruese.)

Sa më shumë rritem profesionalisht kuptoj se nuk është vetëm mësimdhënia (të shpjeguarit), por aftësia dhe dëshira e pasioni t’i bëj nxënësit të punojnë me njëri-tjetrin, të punojnë me njohuritë, të punojnë me teknologjinë dhe informacionin.

Motoja ime është: “Të përçoj tek nxënësit e mi dijen, besimin, dëshirën, pasionin, vullnetin dhe të zhvilloj tek ata  të menduarit kritik dhe hulumtues. Dija për t’i formësuar dhe besimi se ata do të jenë më të mirë seç jemi ne mësuesit e tyre.”

Pozitivi: Mesazhi që keni për mësuesit e sotëm. Roli që duhet të ketë mësuesi, sipas jush?

Irida Hoti: Mësimdhënia është më tepër se një profesion. Një nxënës me ndihmën e mësuesit motivohet, duke arritur objektiva si vetë mësuesi.

Arritja e mësuesit është kur ai është i suksesshëm me nxënësit e tij, puna e tij matet me arritjet e nxënësit.

Mesazhi për mësuesit: “Mësuesit që e duan mësimdhënien, i mësojnë nxënësit të duan nxënien.”

 

Jetëshkrim:

Irida Hoti: Lindur në Shkodër, në vitin 1975.

Diplomuar në degën “Gjuhë –letërsi”, në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në vitin 1997.

Në nëntor të vitit 2006 merr titullin “Master”  dhe në maj të vitit 2012 merr titullin “Doktor i Shkencave”, pranë  Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Gjuhësisë, Tiranë.

Është mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në Medresenë e Shkodrës që nga viti 2001 e në vazhdim.

Studiuese, didakte dhe pedagoge (me kohë të pjesshme) pranë Departamentit të Gjuhësisë, universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër që nga viti 2004 e në vazhdim.

Fushat kryesore të veprimtarisë së saj botuese janë: Gjuhësi e zbatuar, Didaktikë, Shkrim akademik, Kërkim shkencor.

Autore dhe bashkautore e një Fjalori në fushën e edukimit, dy Monografive, katër Librave universitarë dhe disa botimeve shkollore.

Në vitin 2015 është nderuar me titullin “Decree of Merit”- për kontribut në fushën e Gjuhësisë së zbatuar, nga IBC – Qendra e Biografive Ndërkombëtare në Kembrixh,  si dhe është përfshirë në botimin e 2000 figurave të shquara të shek. XXI, “2000 Outstanding Intellectuals of the 21-st Century-9-th Edition”, botuar në vitin 2016 nga kjo qendër.

Në tetor të këtij viti nderohet me çmimin “Mësuesi i vitit në Inovacion”, nga MAS & ACCE.

  

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.