Mërgim Osmani, rrëfen si u arratis nga sistemi barbar dhe ngjitjen si shkrimtar në Vjenë pasi humbi dëgjimin
Nga Beklie Koltraka
Fati e gjuajti me shpulla por çdo goditje e mori për përkëdhelje dhe kështu në fund arriti të triumfojë. Bëhet fjalë për Mërgim Osmanin, shkrimtarin kosovar që i shpëtoi regjimit barbar dhe me vullnet të pashteruar ndërtoi karrierë në Austri. Gjatë një interviste për pozitivi.org Osmani rrëfen një pjesë të historisë së tij. Ka lindur në 1971-in në Randobravë të Prizrenit, por regjimi politik e detyroi të largohej në Vjenë. Errësira mbizotëroi në Kosovë kur Millosheviq vjen në pushtet dhe i merr atë pak autonomi që kishte në ish-Federatën Jugosllave.
Optimizmi për të ardhmen e Kosovës për shkrimtarin u zbeh kur nëpër shkolla filluan të helmonin dhe arrestonin nxënësit. Megjithatë u regjistrua në fakultetin e Prishtinës. Osmani tregon për Pozitivin se fatkeqësisht i kishin mbetur dy rrugë: burgu ose të largohej. Zgjodhi të arratisej maleve kur e njoftuan se duan ta dërgojnë me shërbim në ushtrinë jugosllave, sepse e dinte se “të gjithë ata që shkonin ktheheshin në arkivole”.
Shkoi në Vjenë tek i ati, aty filloi shkollën dhe punën. Por nuk hoqi dorë as nga dëshira për të shkruar, e cila e ka zanafillën që nga bankat e shkollës. Krijimtaria e tij merr vrull që nga viti 2008, atëhere kur humbet të atin dhe dëgjimin. Sfidën e rradhës me të cilën e përballi fati, humbjen e dëgjimit dhe rikthimin e tij, Osmani e tregon në intervistën e plotë. Pavarësisht sfidave ishte optimist për jetën dhe në fund triumfoi. Pas kësaj rikthehet i vullnetshëm në jetën kulturore.
Është vlerësuar me çmime të ndryshme, madje edhe nga qeveria vjeneze. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në 2013 boton në Kosovë librin e parë me poezi “Do t’i mbledh”. “Me sytë kah qielli” është libri i dytë me poezi, i cili vjen si botim i kolonës së autorëve shqiptarë në Diasporë nga qendra PEN Albania. Sërish në 2015 boton vëllimin e tretë me poezi, “Shpirt i trazuar”. “Sykaltra” është libri i katërt por i pari me tregime i cili është botuar dhe gjermanisht, sponzorizuar dhe vlerësuar nga Qeveria Vjeneze. Ndërsa i pesti me radhë është “Misteri në sy” pas të cilit është duke punuar për të tjerë në vazhdimësi.
Intervista me Mërgim Osmani ekskluzive për pozitivi.org:
Pozitivi: Kush është Mërgim Osmani për të gjithë ata që se njohin?
Mërgim Osmani: Mërgim Osmani i lindur më 07.04.1971 në Randobravë të Prizrenit. Shkollën fillore e mbarova në vendlindje, kurse të mesmen dega e shkencave natyrore, në gjimnazin “Gjon Buzuku” Prizren. Nga përndjekja që i bëhej në ato vite, studentëve dhe intelektualëve shqiptarë nga regjimi dhe sistemi politik më është dashur t`i ndërpres studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Shkencave Filozofike dega Histori për të mërguar në Austri në Vjenë. Një kohë vazhdova studimet në fushën e Shkencave Politike, por për shkaqe familjare u detyrova t’i ndërpres studimet para kohe. Jam angazhuar si aktivist i çështjes kombëtare dhe me shoqatat kulturore të shqiptarëve në Austri. Në vitin 2008 ka humbur dëgjimin dhe jam detyruar t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale, ku më është mundësuar kjo aftësi përmes plantimit të cochleas. Pas kësaj rikthehem me plot vullnet në jetën kulturore.
Pozitivi: Ju jeni një njohës i penës, pasi keni shkruar disa libra. A mund të na tregoni më shumë për librat që keni botuar deri më tani?
Mërgim Osmani: Vazhdimisht jam pjesëmarrës aktiv i tubimeve letrare dhe bashkëpunooj me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”, në Austri. Kam bashkëpunuar në takime të ndryshme letrare me krijues shqiptarë në Austri, dhe në aktivitete të mbështetura nga qendra PEN e Austrisë. Poezitë e mia janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në vitin 2013 botova në Kosovë librin e parë me poezi “Do t’i mbledh”, i cili u promovua në bashkëpunim me LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” dhe qendrat PEN Kosova dhe PEN Albania në Prizren.
“Me sytë kah qielli” është libri i dytë me poezi, i cili vjen si botim i kolonës së autorëve shqiptarë në Diasporë nga qendra PEN Albania. Në vitin 2015 botoj vëllimin e tretë me poezi “Shpirt i trazuar”. “Sykaltra” është libri i katërt por i pari me tregime i cili është botuar dhe gjermanisht, sponzorizuar dhe vlerësuar nga Qeveria Vjeneze.
Ndërsa i pesti me radhë është “Misteri në sy” pas të cilit jam duke punuar për të tjerë në vazhdimësi. Në vitin 2014 PEN Albania në Tiranë e vlerësoi me çmimin PEN Albania për Diasporë. Po ashtu në konkursin letrar 2015 që organizoi LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” ka fituar çmimin e tretë me tregimin “Sykaltra”. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Jam pjesmarrës i Antologjisë “ILLYRICUM ” 2013 dhe 2017. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Po ashtu është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë dhe P.E.N Club Austria.
Pozitivi: Kur e keni kuptuar pasionin për krijimtarinë letrare dhe sa e vështirë ka qenë të ndërtosh karrierë në Vjenë?
Mërgim Osmani: Dëshira ime për të shkruar ka qenë që nga bankat shkollore. Por krijimtaria ime merr vrull që nga viti 2008, atëhere dhe kur kam humbur dëgjimin. Natyrisht vështirësitë kanë qenë dominante por falë vullnetit dhe optimizmit tim, po ashtu falë përkrahjes së miqëve si Bruna Gjoni Pervathi, Majlinda Nana Rama, Entela Kasi, Lumturi Plaku, Musa Jupolli, Bardha Mançe, Luljeta Xhediku, pastaj miku Austriak Dr. Kurt Gostentschnnig i cili edhe përktheu librin tim me tregime në gjermanisht Sykaltra, si dhe Besim Xhelili i cili udhëhiqte shoqatën Aleksandër Moisiu këtu në Vjenë dhe ku po merrja pjese në eventet kulturore që organizonte kjo shoqatë ku edhe kam njohur krijues Austriake dhe të tjere. Po ashtu nuk mund të harroj që këtu në Vjenë kam patur mbështetje absolute nga miku im i vjetër Austriak Peter Jagsch një aktivist përpos në politike edhe mbështetes i kulturës në veçanti.
Pozitivi: Pak më lart na keni treguar disa momente të vështira të jetës tuaj, ndaj dua të dalemi tek ndërprerja e studimeve për shkak të regjimit politik dhe largimi nga vendlindja. Na tregoni pak për këtë periudhë, kur u larguat dhe nisët një jetë krejt të re. Si ia dolët dhe cilat ishin pengesat që kapërcyet?
Mërgim Osmani: Po ishte koha kur satrapi Millosheviq vjen në pushtet dhe Kosovës ja mori edhe atë pak autonomi që kishte në ish Federatën Jugosllave. Errësira po mbretëronte absolutisht në Kosovën time. Protestat e përditshme ishin shndërruar si në vend të ushqimit. Ishte kohë e zymtë. Interesant syri vërr nuk na bënte edhe pse kudo, në çdo pore të jetës, të shihte syri thundrën gjakatare serbe të armatosur gjer në dhëmbë . Po ashtu ishin ato helmimet nëpër shkolla , i kisha parë vetë me sytë e mi, e ec e duro dhe mos protesto. Disa shok të minjtë i kishin arrestuar në orë të mësimit. Unë i kisha shpëtuar arrestimit falë vendosmërisë së kujdestareshes sime njëherazi profesoreshë e matematikes Prof. Nimete Vrenezi. Ishte kohë e zymtë por kishte optimizëm se Kosova do çlirohet dhe do jemi të lirë si të gjithe popujt e Evropës. Pas përfundimit të maturës u regjistrova në fakultetin e filozofisë në Prishtinë. Fatkeqësisht ishte e pamundur të vazhdoja mëtutje, kishin mbetur dy rrugë o të përfundoja në burg o të largohesha. Unë zgjodha të dytën edhe pse me dhimbje u largova nga Kosova ime. Unë isha djalë i hasretit pra i vetëm për prindërit e mi. Babai im Nasipi jetonte dhe punonte këtu në Vjenë që nga viti 1971.
Natyrisht që ishin shumë të shqetësuar për gjendjen time. Harrova të them se në këtë kohë ata që shkonin për shërbim në ushtrinë jugosllave po ktheheshin në arkivole .
Kishte ardhur dhe një kërkese edhe për mua dhe natyrisht unë e refuzova dhe u arratisa, maleve ku shkova te dajt e mi në Brestovc sepse policia po më kërkonte. Nga aty jam nisur për Vjenë tek babai im. Meqë babai im punonte në ndërtimtari kishte biseduar me inxhinierin dhe kishin rënë dakord që unë të shkoja dhe të bisedonim. Inxh. Schrenk më priti përzemërsisht dhe më tha që të miratohen dokumentat për punësim më lehtë si nxënës, dhe natyrisht që e pranova me kënaqësi edhe shkoja në shkollë edhe punoja. Edhe pse ndërtimtaria nuk ishte në shijen time por isha shumë i kënaqur që u sistemova dhe shpëtova nga regjimi barbar serbomadh.
Pozitivi: Në 2008 keni kaluar një moment tjetër të vështirë pasi keni humbur dëgjimin. Cilat ishin shkaqet e këtij problemi dhe çfarë bëtë gjatë kësaj kohe?
Mërgim Osmani: Po e saktë. Ishte viti më i rëndë, i dhimbshëm dhe trishtues për mua. Në këtë vit humba babain tim të shtrenjtë, i cili ishte i sëmurë nga mëlqia por jo për vdekje. Vdekja është e pamëshirshme. Dhe babai sikur më bëri një padrejtësi iu dorëzua vdekjes. Në këtë kohë isha në pushim me familjen në Kosovë. Herët në mëngjes mora lajmin e kobshëm se babai im kishte ndërruar jetë. U shokova, di që kam patur një ushëtimë në kokë si bomba kur eksplodon, thashë me vete sërish plasi lufta dhe po bombardohej Kosova, ka zgjatur diku deri në 15 minuta. Përpos dhimbjes kam vërejtur se dëgjimi po më dobësohej gradualisht. Kur kam kam shkuar tek mjeku i veshevë në spitalin universitar të Vjenës më kanë thënë se veshi është i hapur dhe më duhej të operohesha patjetër. Më caktuan terminin për operim por më duhej të prisja në listën e operacioneve. Në fund të vitit 2008 arrita në zero nuk po dëgjoja më. Termini për operacion ishte caktuar më 17 Janar 2009.
Mjekët kishin konstatuar se duhej të më vendosnin cochlea implantat pasiqë dëgjimi im natyral ishte shuar. Për këtë lajm të kobshëm nuk po dija asgjë sepse nuk i dëgjoja mjekët se ç‘farë thoshin. Përkundër kësaj kur kisha humbur dëgjimin unë nuk pajtohesha dhe nuk dorëzohesha por isha optmist. Kur miqtë qe më takonin apo më vizitonin më flisnin me shenja të duarve nuk pajtohesha dhe më mbetej hatri edhe pse ata kishin të drejtë.
Pavarësisht sfidave isha optimist për jetën. Jeta është e shenjtë, e bukur. Perëndia më solli fatkeqësi por ajo më solli njëkohësisht dhe engjëjt. Mjekët që bën maksimumin dhe miqtë që më mbështetën në çdo aspekt. Perëndia bën mrekullira. Unë sot them Profesori Hamzavi që më operoi Perëndia lart e Profesor Hamzavi në tokë. Kisha paradjenja se sërish do dëgjoj. Dhe ja arrita natyrisht. Mua fati më gjuajti në shpatulla. Dhe tha përsëri se ishte një përkëdhelje. Epo unë sërish triumfova.
Pozitivi: Nga se frymëzoheni kur shkruani?
Mërgim Osmani: Frymëzimet janë spontane ato vijn spontanisht natyrisht , jo kur dua unë . Inspirohem kur shoh natyrën njerëzit ,gjërat e bukura , takimet , kur bisedoi me miq të mirë , por edhe kur shoh jo të mirat dhe absurditetet që ndodhin nga ai vend nga kam ardhur. Inspirohem për Vendin qe me mirepriti tashmë Vjenën, këtu ku jetoi, frymoi e veproi .Shpesh here i lutem Zotit që jam këtu , Vjena me sistemoi , me integroi dy herë kur erdha dhe kur dhe humba dëgjimin .Zoti e Bekoftë Vjenën. Zoti e Bekoftë Austrinë !
Pozitivi: Ç’mund të na thoni për krijimtarinë tuaj në proces apo në të ardhmen?
Mërgim Osmani: Kam romanin ende të papërfunduar, shpresoj këtë vit ta përfundojë. Me krenari ju them se Pen Club Austria, në fillim të vitit 2019 do botojë librin tim me poezi. Natyrisht jam i nderuar dhe i privilegjuar që përpos librit me tregime në gjermanisht, tashi para dashamirëve të fjalës së shkruar vjenezë dhe austriakë vij dhe me poezi. Besoj se të gjitha kategoritë e botës njerëzore do ta gjenin veten në krijimtarin time.
© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.






