MË SHUMË MUNDËSI PËR PERIFERINË QË SHPESH HARROHET!
25/11/2022 Shpërndaje

MË SHUMË MUNDËSI PËR PERIFERINË QË SHPESH HARROHET!

“Të tregosh është thuajse gjithmonë një dhuratë”-kështu e nis romanin “Fytyra jote nesër” shkrimtari spanjoll Javier Marias. E po kështu nisi edhe takimi me nxënës të shkollës së mesme “Elez Isuf Ndreu” në bashkinë e Kamzës, duke folur për rëndësinë e “të lexuarit”, “ të treguarit” dhe bisedave letrare. 

Takimi u zhvillua në bibliotekën e shkollës, një ambjent i këndshëm i krijuar nga vetë nxënësit me ndihmën e mësues Lekës që me aq pasion flet për Letërsinë.

Nxënësit folën për librat e tyre të preferuar, shkrimtarët që pëlqejnë, duke i cilësuar botimet e mira si “një dhuratë”, që mezi pret ta hapësh, ta shfletosh, të përjetosh çdo rrëfim, të ndjesh stilin, mënyrën se si është shkruar, të futesh në imagjinatën e shkrimtarit, në botën e tij dhe të marrësh maksimumin prej saj.

I pranishëm në këtë takim ishte shkrimtari i ri, Liridon Mulaj, i cili u foli nxënësve për disa nga shkrimtarët evropianë, duke u ndalur tek i preferuari i tij, shkrimtari spanjoll Javier Marias.

“Marias ka qënë udhëheqës shpirtëror për mua, pasi ndriçoi jetën time dhe perceptimin tim për realitetin. Ai është shkrimtari im i preferuar për stilin e tij, mënyrën se si i ka trajtuar ngjarjet, historitë njerëzore dhe për këndvështrimin e tij për jetën, për të vërtetën. Ky shkrimtar ka ndikuar tek unë edhe për ta parë Evropën në një këndvështrim tjetër”-tha shkrimtari Liridon Mulaj në këtë takim.

I cilësuar si shkrimtari i dramave psikologjike, Javier Marias përdor në librat e tij disa thënie që janë leksione jete për këdo.

“Dëmi që bëjmë me fjalë na duket përherë më i lehtë se ai që mund të shkaktojmë me duar, por nuk është kështu.”-është vetëm njëra prej thënieve të tij që zgjoi dhe interesin e nxënësve të shkollës “Elez Isuf Ndreu” për ta njohur dhe për ta lexuar autorin që Salman Ruzhdie e ka cilësuar “një shkrimtar i madh”, ndërsa Orhan Pamuk si shkrimtar që “meriton çmimin Nobel”.

“Biseda të tilla janë gjithnjë një mundësi e mirë për të diskutuar mbi letërsinë dhe për të marrë sugjerime për shkrimtarë dhe letërsi të mire, që ndoshta deri sot nuk e kemi ndeshur, siç ishte edhe shkrimtari spanjoll”- u shpreh një prej nxënësve.

“Më mbeti në mendje ajo thënia: Dëmi që bëjmë me fjalë na duket përherë më i lehtë se ai që mund të shkaktojmë me duar, por nuk është kështu’. Një thënie që na fton të jemi të kujdesshëm me atë që themi, shpesh pa menduar për efektin që shkakton”-tha një tjetër nxënës.

Por kjo bisedë nxorri në pah edhe një problematikë. Faktin se nxënës të shkollave të mesme në Kamëz e kanë të vështirë të sigurojnë librat që u kërkohet të lexojnë si pjesë e programit mësimor të lëndës së Letërsisë.

Njëra prej nxënëseve të shkollës “Elez Isuf Ndreu” tha se udhëton shpesh nga Kamza në Tiranë për të siguruar pranë Bibliotekës Kombëtare librat që ajo dëshiron të lexojë e gjithashtu të ndjekë kurse trajnimi, që kryeqyteti i ofron, por periferia jo. Një shqetësim që sipas drejtores së shkollës e kanë edhe nxënës të tjerë.

Në fakt nisma për të zhvilluar biseda letrare në këtë gjimnaz dhe të tjerë në Kamëz u ndërmor pikërisht për faktin se periferia shpesh lihet në harresë, jashtë vëmendjes, duke ua mohuar sidomos të rinjve, mundësitë për t’u zhvilluar, për të ndjekur pasionet e tyre, për të rritur aftësitë.

Megjithatë biseda nuk u mbyll vetëm duke sjellë në vëmendje këtë problematikë, por edhe duke u angazhuar për ta adresuar tek institucionet përgjegjëse dhe për të bërë gjithçka për ta zgjidhur atë. 

Ky ishte takimi i dytë në kuadër të nismës “Europa përmes Letërsisë” që do të shtrihet edhe në gjimnaze të tjera. Ky aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.