MBI 15 RAPORTIME PËR PËRDHUNIME NË 3 VJET/ NGA SKANDALI NË SHTËPINË E FËMIJËS NË SHKODËR TE RASTI I ABUZIMIT NGA ROJA I SHKOLLËS NË BABRRU (INSTITUCIONET MOHOJNË)
06/07/2020 Shpërndaje

MBI 15 RAPORTIME PËR PËRDHUNIME NË 3 VJET/ NGA SKANDALI NË SHTËPINË E FËMIJËS NË SHKODËR TE RASTI I ABUZIMIT NGA ROJA I SHKOLLËS NË BABRRU (INSTITUCIONET MOHOJNË)

Skandali i abuzimit seksual në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër dhe abuzimi seksual me 15 vjeçaren në Babrru nga roja i shkollës Abaz Doku, të ndodhura së fundmi kanë revoltuar opinionin publik dhe kanë vënë në lëvizje institucionet për këtë fenomen të frikshëm, që jo në të gjitha rastet bëhet publik.

Rasti i Shkodrës; Adriana është 27-vjeçarja e guximshme që bëri denoncimin tronditës në lidhje me abuzimin seksual nga shefi i policisë së Fushë Arrëzit, Izmir Duraku i cili u arrestua dhe më pas u lirua për mungesë provash.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2015, por është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu. Adriana kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015-ën, punonjës të Shtëpisë së Fëmijës ne Shkodër, por aty është abuzuar dhe nga shefi i policisë, siç tregon ajo.

Skandali thellohet. E ftuar në emisionin e “Dua të të bëj të lumtur” të Arbana Osmanit ka ajo ka treguar të tjera ngjarje tronditëse nga jeta e saj, ku tha se në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër fëmijët dhe ajo janë abuzuar nga mësuesi i fesë islame.

Sipas saj ai i fuste në bodrum, i rreshtonte fëmijët e vegjël dhe abuzonte seksualisht me to.

“Kishim një mësues të fesë islame, dhe abuzonte seksualisht me ne të gjitha. Ishim nga 10-14 vjeç. Ai na fuste në bodrum te shtëpia e fëmijës dhe na rreshtonte. Na trembte me fantazma me gjëra, na rrihte. Dhe abuzonte një nga një me ne. Thoshte “çfarë do i bëj fëmijës së parë do i bëj dhe fëmijës së dytë e me radhë. Nuk kishim kujt t’i thoshim, ishim të pafuqishëm. Edhe nëse do tregonim mësuesi do hakmerrej pastaj”, tha ajo në emision.

Rasti në Babrru: Më 30 maj 2020, policia arreston në Tiranë, 4 shtetas me akuzën e marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur. I arrestuari është 65-vjeçari Abaz Doku, roje shkollë në Babrru të Tiranës dhe 3 të rinj të tjerë, të cilët përmes shantazheve me video kanë detyruar të rënë që të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me ta.

Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinioni publik pasi e reja ishte abuzuar prej vitesh nga roja i shkollës që në klasë të 7. Ai e kërcënonte edhe përmes shkrimeve në muret e lagjes, ku i shkruante emrin dhe fyerje të rënda. Por mjetin kryesor të shantazhit kishte disa video ku kishte filmuar abuzimet e veta dhe kërcënonte ti publikonte.

Raste të tjera: 5 qershor 2020. Një ngjarje e rëndë është denoncuar nga emisioni “Stop” në TV Klan. Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë, nga “arrest me burg” ne “arrest shtëpie”, për një 67-vjeçar nën akuzë për përdhunimin e një 10-vjeçareje. Bëhet fjalë për të një vajzë të mitur nga një fshat i Fierit, që është dhunuar pak muaj më parë seksualisht nga 67-vjeçari Lefter Ruko.

21 prill 2020. Arrestohet një 72-vjeçar pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një të mitur 17-vjeçe. 72-vjeçari, lindur e banues në Sarandë, në kohë të ndryshme ka abuzuar seksualisht me një 17-vjeçare po nga i njëjti qytet, ndërsa pas ndalimit nga policia ka pranuar kryerjen e aktit të rëndë. E reja jetonte me familjen e saj në shtëpinë e tij me qera. Ajo shkonte në shtëpinë e të moshuarit i cili ishte i ve për ta ndihmuar me punët e shtëpisë.

13 maj 2020. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier, ku një vajzë 23 vjeç është përdhunuar në datën 5 maj. Dy të rinj i kanë shkuar në banesë 23-vjeçares dhe kanë kryer marrëdhënies seksuale me forcë me të. Më pas ata i kanë kërkuar që vajza t’ju japë të gjitha paratë që kishte ndryshe do e vrisnin. Ishte vajza e cila denoncoi ngjarjen dhe janë arrestuar M. G., 26 vjeç (i dënuar më parë për kundërshtim dhe goditje të prokurorit) dhe O. A., 25 vjeç, të dy banues në Fier.

05 mars 2020. Në një fshat të Këlcyrës, një 19-vjeçare është abuzuar seksualisht nga disa gjimnazistë të moshës 17-18 vjeçare. Dyshohet se vajza ka qenë e përfshirë në një lidhje me njërin prej tyre, i cili e kërcënonte vazhdimisht me një video intime për ta detyruar që të kryenin raporte seksuale, derisa përfundoi duke e përdhunuar së bashku me shokët e tij. Ka qenë vetë 19-vjeçarja ajo që ka bërë denoncimin e përdhunimit.

20 janar 2020. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e plazhit në Durrës. Policia ka arrestuar shtetasin me inicialet D.M., 18 vjeç, i cili dyshohet se përdhunoi një 16-vjeçare në zonën e plazhit. I riu është arrestuar në flagrancë thotë policia. “Nga Specialistët për hetimin e krimeve në stacionin e Policisë Plazh, arrestuan në flagrancë shtetasin: D.M.,18 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 16 vjeçare”.

5 dhjetor 2019. Një ngjarje makabre është regjistruar në fshatin Suk të Roskovecit në Fier, ku një 19-vjeçar akuzohet se ka përdhunuar motrën e tij. Policia bën me dije se i riu me inicialet S. F., dyshohet se më datë 3 dhjetor ka kryer marrëdhënie seksuale me të motrën 16-vjeçare.

31 korrik 2019. Pas një denoncimi të thjeshtë për vjedhjen e një banese, Policia e Tiranës zbuloi rastin e abuzimit seksual të një të mituri dhe më pas shantazhimin e tij për ti vendosur gjobë në rast se ai nuk paguante. Dy të rinj të moshës 20 dhe 21-vjeç u arrestuan si të dyshuarit kryesorë të kësaj ngjarje.

23 korrik 2019. Në policinë e Elbasanit familja denoncon përdhunimin e djalit të tyre 18-vjeçar me probleme të shëndetit mendor. Pas denoncimit është shpallur në kërkim një person i dyshuar, 42-vjeç.

19 korrik, 2019. Një vajze 8-vjeçare në Arapaj të Durrësit i ka shpëtuar përdhunimit nga një bashkëfshatar 16-vjeçar dhe një tjetër 13 vjeçar. Prindërit e gjetën vajzën në tarracën e shkollës ku e kishin çuar djemtë, por vetëm një javë më vonë nëna denoncoi ngjarjen në polici duke vënë në lëvizje edhe gjykatën. Kjo e fundit caktoi masën arrest me burg për 20 ditë ndaj minorenit 16 vjeçar.

5 shkurt 2019. Ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një vajzë 14-vjeçare ishte abuzuar seksualisht dhe shantazhuar nga 8 adoleshentë për një kohë të gjatë. Vajza kishte patur një lidhje dashurie me një nga djemtë e klasës i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me të , por akti është filmuar nga një prej shokëve të djalit. Përgjatë nëntorit e dhjetorit vajza ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me 7 djem të tjerë, shokë të të dashurit, të cilët e shantazhonin me kërcënimin se do ti publikonin videon në rrjetet sociale. Në mes të janarit 2019 një nga mësueset ka rënë në dijeni te skandalit dhe ka informuar nënën e vajzës. Bashkë me vajzën me 29 janar kanë bërë denoncim në policinë e Kavajës, ndërsa ka renditur disa nga rastet e abuzimeve seksuale.

30 prill 2018. Një i mitur 6-vjeçar në Fushë-Krujë dhunohet seksualisht nga komshiu i tij. Policia raporton se është arrestuar autori i kësaj ngjarjeje kriminale, shtetasi D. T., 34 vjeç, banues në Kodër Thumanë.

25 prill 2018. Një 17-vjeçar është kallëzuar në polici, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë të mitur 16–vjeçe. Sipas Policisë së Tiranës më datë 23 prill, pas kallëzimit ka referuar në prokurori materialet për 17-vjeçarin me inicialet F.G. Ai dyshohet se më 31 mars ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e mitur 16-vjeçe.

Duhet të theksojmë se institucionet nga ana tjetër kanë mohuar të kenë ndodhur këto ngjarje në institucionet e tyre. Lidhur me rastin e skandalit në jetimoren e Shkodrës institucioni në reagimin e tij e ka mohuar.

Në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, Raimonda Draçini, përgjegjëse e sektorit social të Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, është shprehur se pas këtyre rrëfimeve askush nuk ka shkuar te ky institucion që të investigojë rreth ngjarjeve.

E pyetur nëse “kanë shkuar policë apo ndonjë njeri tjetër përkatës për të bërë ndonjë pyetje se kush ka qenë roje dhe kush ka dhunuar në këtë institucion”, Draçini shprehet se nuk ka shkuar asnjë.

“Asgjë nuk ka ndodhur që kur janë bërë publike këto rrëfime. Ne kemi vijuar si zakonisht aktivitetin e përditshëm. Unë jam në këtë institucion që në nëntor të vitit 2015 dhe në 2016 është ndryshuar i gjithë stafi”, ka treguar Raimonda.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.