Artur Dauti, regjisori “i fundit” që nuk e la kurrë filmin vizatimor
08/11/2022 Shpërndaje

Artur Dauti, regjisori “i fundit” që nuk e la kurrë filmin vizatimor

Kinematografia shqiptare ka më shumë histori nga sa dihet gjerësisht. Të gjithë dinë filmin “Tana si “prodhimin e parë artistik shqiptar, por sipas Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, xhirimi i parë i dokumentuar është një tjetër. Në fakt që në vitin 1943 kur vendi ishte ende në luftë, regjisori shqiptar Mihallaq Kone xhiroi për herë të parë në Pogradec filmin “Takim në Liqen”, me minutazh 10 minuta.

Filmi i parë vizatimor shqiptar

Nuk lindi me të njëjtën shpejtësi edhe zhanri i filmave vizatimorë. Në vitin 1975 u prodhua  i pari film multiplikativ shqiptar “Zana dhe Miri” nga autorët  Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso.

Ishte prodhim fare i thjeshtë, sipas piktorit, regjistorit Artur Dauti u realizua me teknikën e kartonit të lirë: “Ky film ndodhet në Arkivin Qendror të Filmit Shqiptar. Të gjithë filmat e animuar të prodhuar në Shqipëri nga 1975 -1997 financuar nga shteti por edhe ato nga 1998 e deri më sot, prodhuar nga producentë privatë, por me financim nga QKK, ndodhen te ky arkiv bashkë me materialet bazë, skenarin, storybordin, vizatimet dhe posterin”.

 Lexoni më poshtë intervistën e plotë të dhënë për pozitivi.org.

Foto: Zana dhe Miri filmi i parë vizatimor shqiptar

Ku dhe si studiohet për të prodhuar filma vizatimorë?

Për të studiuar mbi filmin e animuar, ku përfshihet, koncepti mbi skenarin dhe mënyrën e të shkruarit, regjia, animacioni dhe zgjidhja grafike (personazhet dhe dekoret) duhet të studiosh në një shkollë arti me degë të vecantë, filmin e animuar (artet pamore – vizatim / pikturë, si dhe regji filmi, montazhi).

Mësohet sot në Universitetin e Arteve si të prodhosh një film vizatimor?

Sipas asaj që unë di, mësohet diçka mbi videon dhe dizajnin grafik me elementë bazë mbi animacionin, por si degë e veçante si filmi, jo, (kam parasysh strukturën realizuese të filmit me komponentët specifik të saj). Mungesa e degës specifike në shkollë, mosmbështetja e të rinjve por dhe teknikat e reja digitale që ndihmojnë në realizimin e një filmi të animuar pamundësojnë prodhimin cilësor dhe konkurues në treg, ndonëse një prodhim shqiptar i bën mirë edhe operatorëve televizivë.

Çfarë aftësish duhet të kesh për këtë profesion?

Studimi në një shkollë arti presupozon talentin dhe njohuritë mbi vizatimin, pikturën si dhe aftësinë për të lexuar skenarin dhe zbërthyer atë në gjuhën e filmit (lëvizjen dhe interpretimin), animimin e personazheve (animatori në filmin e animuar është dhe aktori i filmit). Nga ana tjetër, artisti i animacionit duhet të jetë dhe të njohë mirë gjuhën me të cilën operon filmi i animuar. Stilizimi, humori, hiperbola, fantazia dhe psikologjia e lëvizjes, por edhe ligjet bazë të fizikës me të cilat animacioni është shumë miqësor.

 A prodhohen sot ende në Shqipëri filma vizatimorë?

Sigurisht. Edhe sot, në Shqipëri prodhohen filma të animuar, por në numër shumë të vogël.

2-3 filma në vit. Por edhe këta varen nga sasia e projekteve që paraqiten pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (e krijuar në 1997), cilësisë së projeteve dhe buxhetit të përcaktuar nga Qendra për këtë gjini.                                                                                                                                                     Nga viti 1975 deri 1996 filmi financohej nga shteti dhe arriti për arsye shtetërore deri në 16 filma në një vit. Pas 1990-ës numri ra deri në 5-6 filma në vit. Shumë krijues u larguan, buxheti u shkurtua dhe te rinj erdhën shumë pak dhe donin kohë të pregatiteshin. Nuk kemi patur asnjëherë shkollë enkas për filmin e animuar. Madje as sot. Bëhet vetëm si lëndë brenda videos dhe dizajnit. Gjithçka është dëshira dhe pasioni i krijuesve që e kanë pasion.

Nga filmi i parë 1975 e deri më sot janë realizuar rreth 265 filma të animuar. Nga ana tjetër, duke e parë si mall, ka nevojë për treg, e Shqipëria nuk e ka. Por në ligj filmi është trajtuar si vlerë kombëtare dhe mbështetet nga shteti.

TABELE FILMAT VIZATIMORE NE SHQIPERI

Ju vetë e vazhdoni këtë aktivitet?

Më vjen keq ta them por ndoshta jam nga të vetmit që e kam nisur, e kam vazhduar dhe po e vazhdoj këtë gjini pa ndërprerje që nga viti 1980. Të tjerët e kanë ndërprerë ose e kanë filluar pas një farë kohe, dikush me periudha pasi kanë lëvizur jashtë dhe janë kthyer sërish. Ndonëse ka edhe krijues të rinj që kanë hyrë në këtë rrugë por kanë vështirësi për shkak të buxheteve të pamjaftueshme dhe numrit të vogël të filmave që futen në prodhim. Për fat të keq, kjo gjini nuk gjen mbështetje jo vetëm nga producentë të huaj por as edhe nga institucione të artit apo biznesit në Shqipëri, madje as televizionet. Kjo ul numrin e filmave dhe cilësinë, pasi këtu ka shumë pak animatorë, ndërkohë që një buxhet i mirë krijon mundësinë e thithjes së krijuesve cilësorë nga jashtë.

Foto: Artur Dauti në momente pune

Çfarë stafi duhet për prodhimin e një filmi të animuar?

Për të realizuar një film të animuar, numri i stafir varet nga subjekti, numri i personazheve (çdo personazh ka animatorin e vet, pra aktorin. Për zërin, janë aktorët.), gjatësia e filmit. Por baza mbi të cilën nis realizimi i një filmi janë: skenaristi, regjisori, piktori, animatori, intermedialisti (bën vizatimet e ndërmjetme), operatori, montazhieri, operatori i zërit, kompozitori, grafisti, aktorët e zërave etj. Çdokush nga këta ka edhe të tjerë nga pas në varësi të gjatësisë dhe personazheve në film. Kjo pavarësisht nga teknika e realizimit, tradicional, digital 2D apo 3D. Madje teknikat digitale kërkojnë edhe më shumë.  Nëse flasim për një serial, është problem më i gjerë.

Sot 22 filma vizatimorë janë online vetëm nga autori Artur Dauti, piktor e regjisor në të njëjtën kohë.

Video: Pune nga filmat vizatimore shqiptare Artur Dauti

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.