
“BËHU BURRË”! THIRRJA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR BARAZINË GJINORE DREJTUAR TË RINJVE.
Ajo është një vajzë 17 vjeçare dhe ishte një ndër personazhet më interesantë që takuam në qytetin e Pukës. Kishte shkuar atje për të kremtuar javën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Arseda Hadroj është prej disa vitesh pjesë e klubit “Bëhu Burrë”, të mobilizuar nga organizata Act for Society dhe mbështetur nga UNFPA. Në kuadër të fushatës së UN “Ne njerëzit”, Arseda së bashku me moshatarët e saj realizuan një pikturë murale në qendër të qytetit duke dhënë mesazhin mbi rëndësinë e barazisë gjinore, parë nga këndvështrimi i të rinjve.

Ne përfituam nga rasti dhe i bëmë një intervistë për të kuptuar më mirë angazhimin e saj në radhët e të rinjve që mbështet UNFPA në ndjekjen e kauzave të rëndësishme.

Arseda si u bëre pjesë e klubit “Bëhu Burrë”?
Pjesë e këtij grupi u bëra nëpërmjet qendrës rinore në të cilën jam aktiviste prej vitesh tashmë. Që në momentin e parë që u njoha me temën isha mjaft e kënaqur, kjo për disa arsye. Një nga to është fakti se të rinjtë, por jo vetëm, duhet të edukohen gjithnjë e më shumë në lidhje me barazinë gjinore.
Çfarë do të thotë barazia gjinore për ty?
Barazia gjinore nuk ka të bëjë me faktin që femrat të jenë superiore krahasuar me figurën mashkullore por thjesht të drejtat e tyre të jenë të barabarta me ato të meshkujve. Unë si një femër vet mendoj se është tejet e rëndësishme që kjo temë të jetë gjithnjë e më e pranishme në jetët tona. Dhe mendoj se në një farë mënyre të gjithë kanë filluar ta kuptojnë pak nga pak konceptin e barazisë gjinore dhe ta respektojne atë. Dhe pse kemi pafund raste kur femra përbuzet, dhunohet apo dhe përdhunohet. E pse? E tërë kjo për arsye se është femër! Kjo duhet të ndryshojë. Femrat duhet të jenë të lira të dalin të veshura si të duan ku të duan me kë të duan pa frikë nga paragjykimet apo gjëra të tjera që mund të ndodhin kundër dëshirës së tyre. Duhet të kenë mundësinë po aq sa meshkujt ta fitojnë një punë që aq shumë e duan e jo ti jepet përparësi mashkullit. Të gjithë duhet të mësojne ta respektojnë figurën e femrës dhe ta trajtojnë atë të barabartë.

“Bëhu burrë” dhe UNFPA Albania ka angazhuar edhe shumë djem në Pukë. Ronaldo 16 vjeç është një prej tyre. Ai na tregon se edhe pse vjen nga një qytet në very ku të flasësh për të tilla tema ka vështirësinë e vet, sërish ia ka dalë.

Pse iu bashkove klubit “Bëhu burrë”?
U bëra pjesë e grupit “Bëhu burrë” pranë qendrës së të rinjve këtu në Pukë, sepse trajtonte tema shumë interesante. Si i ri i këtij komuniteti duhet të përpiqem për barazinë gjinore, të flas me bashkëmoshatarët që ta vëmë barazinë në funksion dhe të mos mbetet vetëm një tezë. Kjo për të mirën e komunitetit.
Cili është mesazhi yt për të rinjtë që dhunojnë vajzat?
Mesazhi im për të rinjtë që nuk respektojnë apo dhunojnë vajzat është që duhet të ndalojnë menjëhere. Veprime të tilla dënohen dhe ky është gabimi më i madh që mund të bëjë një i ri. Femra është një qenie e shenjtë që duhet respektuar, dashur dhe jo dhunuar asnjëherë. Të flasësh për barazinë gjinore me bashkëmoshatarët ka vështirësitë e veta por me pak punë dhe angazhim të të rinjve në këto nisma, mund të arrihet.

Në ekspozitën “Ne njerëzit” UNFPA Albania informoi qytetarët e Pukës në lidhje me fushat e veprimit në vendin tonë. Të Drejtat e Njeriut dhe Barazia Gjinore, Dhuna me Bazë Gjinore, Shëndeti Seksual Riprodhues, Fuqizimi dhe Pjesëmarrja e të Rinjve dhe Moshimi janë fushat në të cilat UNFPA Shqipëri është investuar për të ndikuar në përmirësimin e treguesve për shoqërinë shqiptare.

Pjesë e aktiviteteve të javës së OKB-së në qytetin e Pukës ishte takimi me Kryetarin e Bashkisë, një vizitë në Qendrën Multifunksionale Komunitare, Ekspozita “Ne Njerëzit” dhe koncerti nën moton “Zëra që Bashkojnë”.
Java e Kombeve të Bashkuara për vitin 2022 u shtri në disa qytete të vendit, nga Tirana, Puka, Durrësi dhe Përmeti, ditë në të cilat agjencitë e Kombeve të Bashkuara shpalosën Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, sfidat dhe arritjet.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.