Marketet në Tiranë “zhvasin” qytetarët, mashtrimet që bëhen me ofertat
31/05/2022 Shpërndaje

Marketet në Tiranë “zhvasin” qytetarët, mashtrimet që bëhen me ofertat

Qytetarët shpesh bien pre e “mashtrimeve” nëpër markete të ndryshme të vendit përmes trukeve që këto të fundit përdorin. Pozitivi.org ka kontaktuar me Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit e cila ka bërë me dije se gjatë kontrolleve nëpër disa markete në kryeqytet janë vërejtur problematika në lidhje me etiketimin e produktit në ofertë.

“Sektori i Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve, si dhe Sektori i Garancive të Mallrave dhe Praktikave Tregtare kanë ndërmarrë nisma monitorimi në marketet kryesore në Tiranë lidhur me ndryshimet e çmimit dhe të gramaturës së produkteve ushqimore dhe etiketimit të produkteve  jo ushqimore. Problematikat kryesore që janë vërejtur janë si më poshtë :

Disa prej marketeve nuk respektojnë standardin e etiketimit të produktit në ofertë, duke mos reklamuar çmimin e parë të ulur, por vetëm çmimin e fundit të ofertës, si dhe nuk përcaktojnë afatet kohore deri kur vazhdon kjo ofertë, duke i nxitur konsumatorët të bëjnë blerje të çorientuara. Për këtë ne kemi ndërgjegjësuar subjektet të kenë kujdes, duke iu përshtatur kompetencave që na përcakton ligji për “Mbrojtjen e Konsumatorit”, thuhet në përgjigjen e AMK.

Jo vetëm për marketet, por qytetarët i janë ankuar agjencisë edhe për furrat e bukës. Problematikat që kanë ndeshur kanë qenë mospublikimi i gramaturave të sakta në rafte për secilin format buke të tregtuar.

“Ankesa ka pasur edhe për furrat e bukës, ku konsumatori është ankuar që nuk publikohet gramatura e saktë në rafte për secilin format buke të tregtuar, nëse është 600 gramë, 1 kg etj. Në këto raste kemi shkuar në furrën problematike dhe kemi këshilluar të afishohen përkrah çmimit të bukës edhe gramatura përkatëse.

Përveç monitorimit, këshillimit, reagimi ynë do të vazhdojë me delegimin e problematikave nga supermarkete të veçanta, shoqëruar me foto për çdo rast të konstatuar drejt institucioneve kompetente”, thuhet më tej në informacionet që Pozitivi ka marrë nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.