Lufta, rrëfehet zv.ministri ukrainas: Familja ime fle në bunkerin pranë shtëpisë
23/03/2022 Shpërndaje

Lufta, rrëfehet zv.ministri ukrainas: Familja ime fle në bunkerin pranë shtëpisë

Nga Rezarta Delisula

Lufta në Ukrainë nuk ka kursyer askënd, qytetarë të thjeshtë apo qeveritarë. Shumë kanë zgjedhur të arratisen e disa të tjerë të përballen me armikun për të mbrojtur vendin e tyre. Një prej tyre është zëvendësministri i Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko, i cili bashkë me familjen e tij ndodhet në Kiev që prej fillimit të luftës.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Rezarta Delisula, Koshelenko ka treguar si është situata në Ukrainë pas 28 ditësh luftë. Kievi, kalaja që synon presidenti rus Vladimir Putin, ka bërë rezistencë të fortë. Zv.ministri tregon se në qytet dielli ka lindur por nuk është një ditë e zakontë.

“Tani në Kiev ka lindur dielli, por për njerëzit tanë nuk është një ditë e zakonshme  sepse sulmet ruse vijojnë  dhe njerëzit duhet të fshihen nëpër bunkerë  për shkak të bombardimeve nga ajri. Rusët kanë sulmuar edhe shtëpi, spitale, struktura civile madje edhe qendra tregtare dhe  dyqane të mëdha. Dje rusët sulmuan edhe qendrën në Retrovil, është një qendër e madhe ku në të operojnë edhe disa firma franceze me seli në Ukrainë dhe në Rusi”.

Prej 28 ditësh, bashkë me qytetarët e Ukrainës, edhe familja e zv.ministrit po përballet me sulme të vazhdueshme, nga toka dhe ajri nga ushtria e Rusisë. Për të shpëtuar kokën familja e tij është strehuar në një bunker pranë shtëpisë.

“Familja ime ndodhet në Kiev prej 25 ditësh, ime shoqe, djali dhe vajza. Ne në fakt kemi një bunker pranë shtëpisë tonë dhe kur dëgjojmë sirenat shkojmë drejt tyre dhe e kalojmë natën aty”, thotë ai.

Pavarësisht terrorit, Koshelenko shprehet entuziast duke thënë se Ukraina do ta fitojë këtë luftë pasi po luftojnë për tokën e tyre.

Ne jemi në vendin tonë dhe ne do ta fitojmë këtë luftë. Trupat ruse nuk kanë suksese kur sulmojnë trupat tona, dhe për këtë sulmojnë infrastrukturën civile“.

Intervista e plotë:

-Si është situata sot në Kiev?

-Faleminderit për kohën dhe mbështetjen që i jepni Ukrainës!

Tani në Kiev ka lindur dielli, por për njerëzit tanë nuk është një ditë e zakonshme  sepse sulmet ruse vijojnë  dhe njerëzit duhet të fshihen nëpër bunkerë  për shkak të bombardimeve nga ajri. Rusët kanë sulmuar edhe shtëpi, spitale, struktura civile madje edhe qëndra tregtare dhe  dyqane të mëdha. Dje rusët sulmuan edhe qendrën në Retrovil, është një qendër e madhe ku në të operojnë edhe disa firma franceze me seli në Ukrainë dhe në Rusi.

-Ju jeni zv.ministër i politikave sociale në Ukrainë dhe ndodheni në mes të luftimeve, si është situate në qendrat sociale atje?

-Po unë jam zv. Ministër i politikave  sociale për transformimet dixhitale, qendrat tona punojnë në zonat  ku kontrollohen nga ukrainasit. Falë këtyre ndihmave të vullnetarëve dhe humanitarëve  që vijnë edhe nga perëndimi  janë shpërndarë  nga shtabet lokale  në të gjithë krahinat  dhe qytetet e vendit, por megjithatë këto ndihma janë  të mjaftueshme vetëm për njerëzit  me aftësi të kufizuara, fëmijët, nënat e vetme dhe njerëzit me të ardhurat nën  minimumin jetik. Ka shumë rradhë njerëzish por shtabet tona punojnë pa pushim dhe na nevojiten më shumë ndihma humanitare për t’i shpërndarë një numri të madh të qytetarëve tanë.

-Keni marrë ndihma nga Europa dhe SHBA-ja, por çfarë  i nevojitet  më shumë popullit tuaj?

-Ata thonë se Rusët sulmojnë pa pushim qytetet, shtëpitë, maternitetet, ndërtesat civile. Na duhen municione kundër ajrore, kjo është ajo që na duhet më shumë. Duhet të mbyllim hapsirat ajrore të qyteteve tona, ky është problem kryesor. Ushtria jonë do të bllokojë trupat ruse por armët e Putinit bombardojnë qytetet tona.

-Po morali i popullit si është?

-Morali ynë është shumë i thjeshtë në jemi në vendin tonë dhe ne do ta fitojmë  këtë luftë. Jemi në të drejtën tonë.

-Ju keni një eksperiencë të gjatë në sistemin bankar, sa janë dëmet e shkaktuara nga lufta? A e ka ndihmuar media luftën në Ukrainë?

-Kjo është si një pikë uji në oqean sepse trupt ruse nuk kanë sukses kur sulmojnë forcat tona dhe nga ana tjetër sulmojnë infrastrukturën, qytetet, palltet, aeroportet, urat.  Tani nuk kemi të dhëna të sakta për dëmet dhe kjo është një nga çështjet kryesore të qeverisë ukrainase, evakuimi drejt pjesës perënimore të Ukrainës. Na duhet të mbështesim ekonominë vendase.

-Më thoni diçka rreth familjes tuaj, aktualisht ndodhen në Kiev?

-Familja ime ndodhet në Kiev prej 25 ditësh, ime shoqe, djali dhe vajza. Ne në fakt kemi një bunker pranë shtëpisë tonë dhe kur dëgjojmë sirenat shkojmë drejt tyre dhe e kalojmë natën aty.

-Përsa i përket percipitimit të situatës, luftës, a do të ndalojë  kjo luftë?

-Mendoj se media ka një rol të madh dhe e vlerësojmë shumë. Shkëmbimi i informacioneve është shumë i vyer sidomos kur bëhet fjalë për agresionin rus  dhe na duhet të promovojmë misionet tona humanitare. Ministria e politikave sociale ka hapur një  llogari bankare në Bankën Kombëtare të Ukrainës, ky informacion  është publikuar edhe në faqen e tyre të internetit dhe ju kërkojmë të na mbështesni sepse kriza është në nivele të larta këtu në Ukrainë.

Faleminderit për mbështetjen!

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.